Miriam Cani: Do jap maksimumin në “The Voice of Albania”

Miriam Cani rikthehet në Shqipëri. Do të jetë një nga katër trajnerët e zërit të “show”-t muzikor “The Voice of Albania”, formati që do të nisë së shpejti në “Top Channel”. Së bashku me Elton Dedën, Alma Bektashin dhe Sidrit Bejlerin, do të kenë një mision: të zbulojnë zërin më të mirë shqiptar. Miriam Cani është zbulim i një formati të ngjashëm në Gjermani, kur vite më parë konkurronte me “Preluders”. Tashmë do të jetë në anën e kundërt: të panelit gjykues. Ajo shprehet entuziaste për ftesën e marrë dhe premton se do të japë sa më shumë nga përvoja personale. Si pjesë e kësaj aventure televizive, do të qëndrojë më gjatë se çdo herë tjetër në Shqipëri. Mbi çdo gjë vlerëson faktin që ky format bazohet mbi një gjë: Zërin!
Do të jeni një nga katër trajnerët e zërit të spektaklit të talenteve “Voice of Albania”. Si e pritët ftesën për të qenë pjesë e kësaj aventure televizive?
Së pari u ndjeva shumë e vlerësuar që organizatorët më ftuan të marr pjesë në këtë eksperiencë. Të të besojnë të jesh pjesë e këtij paneli gjykues, do të thotë të besojnë në eksperiencën dhe formimin tënd, prandaj e konsiderova vlerësim dhe ndjehem shumë e lumtur. Nuk e njihja mirë këtë format, prandaj gjëja e parë që bëra, ishte kërkimi në internet për t’u informuar më shumë. Pashë realizimin në Amerikë, në Holandë dhe aktualin në Gjermani. Më ngjalli kuriozitet dhe komentet e bëra si në blogjet në internet ashtu edhe në media ishin të mira. Ndërsa për trajnerë zëri të këtij formati në shtetet përkatëse janë zgjedhur këngëtarët më të njohur, ndaj jam e lumtur për ftesën.
Disa vite më parë me grupin “Preluders” keni qenë në pozicionin në të cilin do të jenë konkurrentët në këtë spektakël. Si është të jeni në anën e kundërt, të atij që vendos?
Besoj se do ta kem pak më të vështirë se të tjerët. Do ta kem të vështirë, edhe kur do të më duhet të jap ndonjë gjykim jo pozitiv, sepse e di shumë mirë se çfarë do të ndiejnë kandidatët dhe e di që emocioni luan rol shumë të madh. Ka një sërë ndjenjash që përshkojnë konkurrentin në ato momente dhe gjithnjë mendohet se ky mund të jetë çast vendimtar për të ardhmen. Ndodh shpesh që ka zëra shumë të mirë, por çorientohen nga moskontrollimi i emocioneve. Në këtë drejtim shpresoj që të katërt ne të përcjellim te konkurrentët një ndjenjë pozitive që ata të mos ndiejnë presion apo frikë. Është një ndjenjë shumë e çuditshme për mua të jem në anën tjetër të kësaj loje.
Që në fillim të spektaklit do t’ju duhet të zgjidhni 14 talente, me të cilët do të punoni në vazhdim. Keni menduar një kriter mbi të cilin do të përzgjidhni?
Është si një lojë. Ti kurrë nuk mund ta dish se kush do të këndojë më pas dhe nëse i ke zgjedhur 14 konkurrentët, nuk ka kthim pas. Shpresoj që do të ketë një balancë në grupet e konkurrentëve që do të dëgjojmë. Më pëlqen shumë fakti që ky format e nis gjithçka nga zëri. Unë nuk jam adhuruese e “reality”, ndaj ndiej se ky format është ai që më përshtatet dhe do të mundohem të jap sa më shumë nga vetja, që në fund të jem krenare edhe për rezultatet. Ndonëse ende nuk kemi filluar me spektaklin, kam nisur të mendoj për një repertor të mundshëm këngësh në zhanrin e muzikës që mua më pëlqen. Besoj se edhe kandidatët do të mundohem t’i zgjedh që të më përshtaten mua dhe shijes sime muzikore. Mund të ketë një zë shumë të bukur, por mua nuk më përshtatet dhe kjo mund të jetë një arsye pse nuk do ta shtyp butonin. Secili nga kandidatët duhet të nxjerrë maksimumin dhe këtë mund ta bëjë vetëm nëse gjen trajnerin e përshtatshëm për zërin e vet, për talentin dhe stilin. Unë nuk dua të deformoj njerëz, kandidati duhet të përmirësohet në atë që ka. Të katër trajnerët e zërit vijnë nga stile të ndryshme muzikore dhe kjo u jep mundësi kandidatëve të gjejnë veten. Nuk e di si e shohin trajnerët e tjerë, por kjo është shumë e rëndësishme për mua.
Do të jetë i pari qëndrim i gjatë në Shqipëri. Ishte një vendim i marrë në mirëkuptim me Albanin?
Është hera e parë që do të qëndroj kaq gjatë në Shqipëri, por herë pas here do të shkëputem, sepse kam shfaqje të programuara në Gjermani me muzikalin “Hair” (“Flokët”) me operën e Bonit. Albani mendoi se një format i tillë më përshtatet dhe u gëzua edhe ai për ftesën. Ne bashkëjetojmë dhe vendime të tilla duhet të merren bashkë, por edhe ai do të ketë disa angazhime në Shqipëri, kështu që erdhi në momentin e duhur. Nëse do të kishte qenë një format tjetër, ndoshta edhe nuk do ta pranoja, sepse ka shumë prapaskena ku më shumë se gjithçka është një “show”. “The Voice” besoj se është më profesionali, sepse në 95 për qind të tij përqendrohet te zëri dhe gjithçka fillon aty. Ky format nuk të lejon që ti, si anëtar jurie, të kesh një gjykim fizik, por përmes zërit dhe kjo është shumë pozitive. Sigurisht që më pas të duhet të punosh e ta ndërtosh këtë artist, pse jo t’i japësh edhe këshilla për “look”-un, por në thelb mbetet talenti.
Në “Voice of Albania” dhe njëkohësisht në Gjermani për muzikalin. Një periudhë e ngjeshur artistikisht?
Për mua, ky muzikal është angazhimi më i madh artistikisht. Është i dyti pas “Çikago” që kam realizuar në Tiranë, por deri më sot nuk kam punuar në një projekt me përmasa dhe nivel të tillë. Është një orkestër prej 45 vetash dhe çdo gjë është “live”. Kur më është propozuar të merrja pjesë, jam menduar disa ditë, sepse është një muzikal që vjen nga Brodway, një nga më të famshmit dhe ose e bën mirë ose nuk e bën fare. Pas dy muaj provash intensive dhe pas suksesit që kanë pasur tri shfaqjet e para, jam e lumtur që e pranova.
Do të thotë në njëfarë mënyre, një rikthim si këngëtare për publikun gjerman?
Sigurisht. Këto vite jam marrë me prezantimin. Ky muzikal është një mundësi e madhe për mua që të angazhohem sërish në këtë zhanër, që po njeh lulëzim të madh në Gjermani e ndoshta të kem edhe një projekt që zgjat dy apo tre vjet. Është një angazhim më i sigurt, se sa thjesht muzika ku nxjerr një këngë sot e nesër nuk di se çfarë duhet të bësh. Do të jetë një periudhë e ngjeshur, por do të mundohem të jap sa më shumë gjatë periudhës që do jem në Shqipëri në “The Voice of Albania”. /shqip/