Një javë nëpër Kosovë

Ambasada e Gjermanisë ka mbajtur të martën një konferencë për media në Kinemanë ABC, me qëllim të njoftimit më të detajuar rreth programit dhe të rejave tjera që do ta karakterizojnë Javën e 7’të të Filmit Gjerman në Kosovë, që do të fillojë nga data 5 dhe do të përfundojë më 11 tetor.
Për shtatë ditë do të shfaqen filma të ndryshëm të kinematografisë gjermane, megjithëse kësaj here jo vetëm në Prishtinë, siç ishte rasti herëve të tjera, por edhe në qytete të ndryshme të Kosovës.
Në konferencë ishte i pranishëm edhe ambasadori gjerman, Ernst Reichel, sipas të cilit Ambasada kësaj radhe është marrë më seriozisht me filma sesa herëve të kaluara.
“Përderisa Javët e para të filmit zhvilloheshin vetëm në Prishtinë, vitin e kaluar Ambasada për herë të parë shfaqi filma të kinematografisë gjermane edhe në Mitrovicë.
Suksesi i madh atje na ka motivuar që sivjet të shkojmë edhe në disa qytete tjera të vendit”, sqaroi Reichel.
Edhe përzgjedhja e filmave, sipas tij, është bërë për shijen e çdokujt, andaj ky është një rast i mirë për t’u njohur më shumë me kinematografinë gjermane. Janë katër filma gjermanë që do të shfaqen në pesë qytete të Kosovës. Prizreni, Mitrovica, Gjilani dhe Peja janë qytetet kosovare në të cilat do të shfaqet kinematografia gjermane e tri viteve të fundit.
Filmi i parë, i cili do të shfaqet në Kinemanë ABC, do të jetë “Goethe!”, i cili flet për shkrimtarin më të madh gjerman. Ndërkaq, për vetëm dy ditë, duke filluar nga e mërkura (5 tetor) do të shfaqen edhe filmat e tjerë, “Almanya - Willkommen in Deutschland”, “Baroni i kuq” dhe “Kokowääh”.
Të gjithë filmat do të shfaqen edhe për dy ditë me radhë edhe në Pejë, ndërkohë që në qytetet e tjera do të shfaqen vetëm nga dy filma.