Alcani: Mos humbisni kohë, Partizani është një, ai që u ngjit
Kapiteni i të kuqve të kryeqytetit në sezonin e fundit, Alert Alcani, pohon se nuk duhet bërë zhurmë e kotë për përfaqësimin e demave të kuq
Partizani është një që nga themelimi i tij me 4 shkurt 1946, por aktualisht pyetja shtrohet se cili do të jetë administratori që do të mbajë të drejtën e përfaqësimit të skuadrës së kuqe.
Momentalisht flitet për tre pretendues, dy aksionarët e shoqërisë PARTIZANI sh.a , Albert Xhani dhe Paro Laçi, si dhe Ministria e Mbrojtjes, e cila në sezonin e fundit përfaqësoi klubin në Kategorinë e Dytë. Kapiteni i të kuqve të kryeqytetit në sezonin e fundit, Alert Alcani, pohon se nuk duhet bërë zhurmë e kotë për përfaqësimin e demave të kuq.
Partizani është një që nga themelimi, kështu mos humbisni kohë, se Partizani është ai që u ngjit këtë sezon nga Kategoria e Dytë në të Parën. Ky Partizan arriti të përballojë vështirësitë dhe në një farë mënyre u kthej një buzëqeshje të vogël tifozëve të kuq, që i gjen në çdo cep të Shqipërisë.
Partizani nuk është as i Xhanit, as i Laçit, por i tifozëve dhe Ministrisë së Mbrojtjes që e ka themeluar. Prandaj, mos i jepni shumë rëndësi emrave, por nëse ata që duan të jenë të parë, të vijnë, dyert janë të hapura dhe të gjithë të kontribuojnë me vepra e jo me fjalë për rimëkëmbjen e legjendës.
Është thënë e stërthënë që Partizani është një dhe ai është skuadra që vjen nga sezoni i fundit. Partizani duket në rrugë të mbarë dhe shpresoj se në ditë në vijim organika do të jetë më e plotë dhe konkuruese, kjo edhe për vetë angazhimin e madh që po tregon aktualisht Paro Laçi. Partizanin nuk mund ta bëjë një njeri i vetëm, prandaj këtu ka vend për të gjithë ata që duan të financojnë.
Mjaft me kontradikta e luftë paskrahëve, te Partizani ka ardhur koha e bashkimit, bashkëpunimit dhe rikthimit të legjendës në vendin që i takon,- u shpreh për Sportin shqiptar kapiteni i të kuqve, Alert Alcani.
Faza përgatitore e të kuqve, me shumë mundësi në Pogradec
Në këtë fund korriku Partizani pritet të përmbyllë fazën seleksionuese, dhe pasi të kryhet konturimi i grupit, mendohet se skuadra do të grumbullohet për të kryer një fazë të mirëfilltë përgatitore.
Por para se të shkohet në këtë pikë, pritet që në ditët në vijim të vijnë edhe disa përforcime, që sipas aksionarit Paro Laçi do të jenë lojtarë cilësorë. Faza përgatitore e të kuqve me shumë mundësi do të zhvillohet në Pogradec, fazë e cila pritet të nisë në fillim të gushtit.
