Elbasani bëhet gati, priten afrime cilësore
Është thënë se të mërkurën pritet që të marrë jetë Elbasani i sezonit 2012-2013. Ekipi do të fillojë normalisht stërvitjen nën urdhërat e trajnerit Ilirjan File. Ka qënë vetë trajneri që ka bërë publike datën e fillimit të përgatitjeve për sezonin e ri. Skuadra pritet që ta fillojë stërvitjen në kompleksin sportiv Shefqet Lamçja.
Tashmë zyrtarisht klubi është futur edhe në merkato ku do të kërkojë të përforcojë skuadrën me element cilësore, për të qënë një nga pretendentët kryesore për tu ngjitur në superligë.
Për momentin të konfirmuar në skuadrën e Elbasanit veç trajneri File janë edhe kapiteni i skuadrës Eriol Merxha, portieri Shkëlzen Ruci, mesfushorët Musta dhe Hila si edhe sulmuesi Ornald Tafani. Në stërvitjen që do të zhvillohet sot në kompleksin sportive Shefqet Lamçja pritet që të jenë edhe disa nga lojtarët e rinj që mund të afrohen në skuadrën e Elbasanit.
Ekipi pritet që të qëndrojë vetëm një javë të stërvitet në fushën e vjetër sportive për tu larguar më pas drejt Maqedonisë, ku do të zhvillojë fazën përgatitore këtë sezon. Gjërat nuk mund të shkonin më mirë për këtë Elbasan që tashmë sheh përpara drejt sezonit të ri me synimin për tu rikthyer në supeligë.
Ditët në vijim pritet që të jenë vendimtare edhe për merkaton e skuadrës, që sipas burimeve brenda klubit, ajo do të jetë mjaft cilësore dhe në skuadër do të afrohen vetëm lojtarë me peshë.
