E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aldo Bare, Krimet e Rënda vendosin konfiskimin e Lagunës së Karavastasë

TIRANE - Krimet e Rënda "zhveshin" Aldo Baren nga pasuritë. 

Vendimi u mor dje në këtë gjykatë, kur u vendos që të pranohej kërkesa e Prokurorisë për konfiskimin e të gjitha pronave të Bares në qytetin e Lushnjës dhe atë të Divjakës. Kështu, gjykata u shpreh dje për konfiskimin dhe kalimin nën pronësi të shtetit të shoqërisë "Laguna Karavasta" sh.p.k, me një sipërfaqe toke prej 11.792 metër katrorë në Divjakë, Lushnjë, së bashku me 1216 metër katrorë ndërtesa dhe pajisjet brenda tyre së bashku me barkat e peshkimit, rrjetat dhe dajlanët. Gjithashtu gjykata vendosi konfiskimin edhe për truallin me sipërfaqe 470 metër katrorë e ndodhur në lagjen "Çlirimi" të qytetit të Lushnjës, ku përfshihen sipërfaqja prej 24 metër katrorë garazh si dhe sipërfaqen 48 metër katrorë magazinë së bashku me të gjitha pajisjet e ndodhura brenda tyre. Për konfiskimin e një shume prej 1.5 milionë lekësh, më parë ishte vendosur pushimi i gjykimit. Burime nga procesi pohojnë se gjithë seancat janë zhvilluar në mungesë të Bares, pasi ky ndodhet i arrestuar në Turqi dhe nuk ka marrë njoftim për gjyqin që zhvillohej te Krimet e Rënda. Në këtë mënyrë ai nuk pati mundësi të caktonte një avokat që do ta mbronte në mungesë, duke bërë që gjykata të shqyrtonte kërkesën e organit të akuzës pa pasur përfaqësues të mbrojtjes të pajisur me prokurë nga Bare. Ish-polici special Aldo Bare, tashmë po gjykohet në mungesë në Gjykatën e Krimeve të Rënda nën akuzat "drejtim të organizatës kriminale", "vrasje", "shkatërrim të pronës me zjarr", "dhunim të varreve" dhe "vjedhje me dhunë në bashkëpunim", vepra të cilat mendohet se i ka konsumuar gjatë viteve 1998-2002. Gjyqtari i çështjes argumentoi dje se gjykata ka krijuar bindjen se këto pasuri janë vënë nga Bare nëpërmjet veprimtarive kriminale e të paligjshme dhe si të tilla duhet të kalohen në favor të shtetit. Sipas tij, tashmë Ministrisë së Financave i duhet të caktojë një administrator për këto prona, ndërsa Bare vazhdon të gjykohet për akuzat e rënda. Aktualisht banda e Lushnjës, në krye të së cilës sipas Prokurorisë qëndronte Aldo Bare, po gjykohet në gjashtë procese të veçanta sipas episodeve kriminale. Ndërkohë, Bare dhe ish-krahu i djathtë i tij, Enver Dondollaku, po gjykohen edhe në Itali për "shpërndarje droge", ndërsa bëhet e ditur se Tirana dhe Roma janë në garë për ekstradimin e Bares.          fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›