E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu, SHBA shuplakë Topallit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i paraqet zyrtarisht kërkesën kryeprokurores Ina Rama për t’u njohur me dokumente shtesë në lidhje me çështjen “Mediu” në Kuvend. 

BLEDAR HOTI
Ndërsa kryeprokurorja kërkon ndihmën e SHBA-së për çështjen e imunitetit të deputetit Mediu. Menjëherë pas letrës së bërë publike nga ana e Topallit, kryeprokurorja Rama ka zhvilluar një takim me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Uidhers. Diplomati i lartë amerikan në deklaratën për median ka qortuar qëndrimin e mbajtur nga kryeparlamentarja Topalli për çështjen e imunitetit të Mediut.
Letra e Topallit
Letra e Topallit mban datën 3 qershor dhe në të kërkohen që Prokuroria të sjellë dokumente të tjera shtesë, që kanë të bëjnë me rolin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Forcave të Armatosura në lidhje me fabrikën e demontimit në Gërdec. Në letër kërkohen dhe të dhëna për hyrjet e daljet ditore, si dhe për sasinë e municionit që shkonte çdo ditë në Gërdec. “Eshtë në detyrën tuaj t’i paraqitni Parlamentit dokumentet e plota, që faktojnë pretendimin tuaj për mospërfshirjen e Forcave të Armatosura në këtë proces në mënyrë që ky Parlament të gjykojë e të marrë vendimin që duhet”, thuhet në letër. Topalli thekson se, “në mënyrë të veçantë, jo i bazuar është gjetur pretendimi juaj se në proces nuk janë përshirë Forcat e Armatosura dhe se materialet e paraqitura janë të mangëta”. “Për të shmangur çdo lloj keqkuptimi për njëanësi, duhet të sillni çdo dokument për këtë çështje dhe të faktoni ku është shmangur autoriteti ushtarak”, shprehet Topalli.
Reagimi i Uidhers
Përfaqësuesi më i lartë i qeverisë amerikane në Tiranë, ambasadori Xhon Uidhers, i kërkon Parlamentit të shqyrtojë sa më shpejt çështjen e imunitetit të deputetit të PR-së, Fatmir Mediu. Një qëndrim i tillë ka ardhur pas takimit që Uidhers pati me kryeprokuroren Ina Rama. “Qeveria amerikane do të shihte e zhgënjyer dhe e alarmuar çfarëdo përpjekje për t’ia nënshtruar këtë hetim çfarëdo ndikimi të jashtëm. Eshtë detyra kushtetuese e prokurores së Përgjithshme dhe jo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që të kryejë punën e saj pa pasur ndërhyrje. Që të ndodhë kjo, është e domosdoshme që Parlamenti të trajtojë në mënyrë të menjëhershme çështjen e imunitetit parlamentar”, ka deklaruar Uidhers. Ambasadori e siguroi prokuroren e Përgjithshme që qeveria e Shteteve të Bashkuara mbetet në mënyrë të përhershme e përkushtuar ndaj një hetimi të paanshëm e të gjithanshëm, të bazuar plotësisht mbi fakte ligjore. Qeveria e SHBA-së nuk do të paragjykojë përfundimin e ndonjë procedimi ligjor, por pret që vetëm faktet do të jenë përbërësi kritik për të përcaktuar gamën dhe natyrën e hetimit. “Qeveria dhe populli amerikan do të jenë thellësisht të shqetësuar nëse ndonjë faktor, parti, apo udhëheqës politik bën deklarata apo ndërmerr veprime që, në ndonjë mënyrë, do të përfshinin ndonjë axhendë politike në çka duhet të jetë një hetim i paanshëm dhe i pavarur, bazuar mbi sundimin e ligjit”, përfundon deklaratën e tij Uidhers.

Petro Koçi
Anëtari i Këshillit të Imunitetit, socialisti Petro Koçi, e ka cilësuar si të komplementuar dosjen e paraqitur nga ana e Prokurorisë në lidhje me çështjen e heqjes së imunitetit të deputetit Fatmir Mediu. Ai kundërshtoi edhe pretendimet e Topallit, e cila ka thënë se dosja e “Gërdecit” nuk është e kompletuar. Sipas tij, dosja për imunitetin e Mediut është e plotësuar nga Prokuroria, por se pretendimet e fundit janë një mënyrë për të shpëtuar Mediun. Vonesat e vërejtura në këtë proces shqyrtimi për socialistin janë të pashpjegueshme nga ana e Kuvendit dhe të drejtuesve të saj.

Akuzat
Topalli më 30 maj akuzoi Ina Ramën për fshehje të dosjeve për Gërdecin. “Siç e shikoni z. Mediu ka sjellë material voluminoz dokumentesh që kërkojnë kohë për t’u shqyrtuar. Dokumente që mesa duket i janë mbajtur fshehur Parlamentit”, u shpreh Topalli në mbledhjen e 30 majit të këshillit. Por kryeprokurorja shtoi se, në Kuvend ka depozituar materialet që prekin vetëm përgjegjësitë në lidhje me ish-ministrin Mediu, pasi kërkohet heqja e imunitetit të tij. Ky ishte reagimi zyrtar i saj për këtë çështje, duke theksuar se dosja për Mediun ka qenë e plotë.

Kërkesat e Topallit për Prokurorinë

1. Praktika shoqëruese (MEMO, relacionet, vendimet paraprake të komisioneve, etj) e urdhrit të ministrit të Mbrojtjes nr. 550, datë 25.4.2007 “Për zbatimin e vendimit nr. 138, datë 25.4.2007 të KM-së, “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të FA-së të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, për sa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”.
2. Detyrat që ka lënë shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe urdhrat që ai ka nxjerrë në zbatim të urdhrit të ministrit të Mbrojtjes nr. 550, datë 25.4.2007.
3. Shkresa nr. 7395, datë 17.9.2007 e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, drejtuar ministrit të Mbrojtjes dhe praktika shoqëruese e saj.
4. MEMO e datës 22.11.2007 nga drejtori i Drejtorisë Logjistike, drejtuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
5. MEMO e datës 22.11.2007 nga drejtori i Drejtorisë Logjistike, drejtuar ministrit të Mbrojtjes nëpërmjet shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
6. Praktika shoqëruese (MEMO, relacionet, vendimet paraprake të komisioneve, etj) e urdhrit të ministrit të Mbrojtjes nr. 2044, datë 7.12.2007 “Për zbatimin e vendimit nr. 138, datë 25.4.2007 të Këshillit të Ministrave “Për kalim municioni ndërmarrjes MEICO”.
7. Detyrat që ka lënë shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe urdhrat që ai ka nxjerrë në zbatim të urdhrit të ministrit të Mbrojtjes nr. 2044, datë 7.12.2007.
8. Dokumentacioni që rregullon licencimin e depove të armatim municioneve.
9. Komunikatat ditore të Qendrës Operacionale për lëvizjen dhe transportimin e municioneve për në Gërdec, si dhe raportin e Ministrisë së Mbrojtjes, Qendra Operacionale e Mbrojtjes datë 23.03.2008.

Kuvendi, zyrë e posaçme për dokumentet e Mediut

Kryetarja e Kuvendit u ka caktuar një zyrë të posaçme anëtarëve të Këshillit të Imunitetit për t’u konsultuar me materialet voluminoze të paraqitura nga ana e ish-ministrit Mediu. Për shkak se materialet janë rreth 5 mijë faqe, Topalli për të kursyer i ka bërë vetëm një kopje dhe u ka lënë në dispozicion një zyrë të posaçme deputetëve për t’u konsultuar me materialet e paraqitura. Çdo anëtar i këshillit mund të konsultohet në lidhje materialet e paraqitua nga ana e Mediut për këtë çështje. Këtë fakt e bëri dje të ditur deputeti i PS-së, Besnik Dervishi. Sipas tij, çdo deputet është njoftuar se materialet e paraqitura nga ana e ish-ministrit Mediu mund të shqyrtohen në një nga zyrat e Kuvendit. Sipas burimeve, zyra ndodhet ngjitur me sallën ku zhvillohet mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve, në katin e tretë, aty ku zhvillohen edhe mbledhjet e konferencës së kryetarëve. Ish-ministri paraqiti 3 volume me dokumente që fajësojnë Shtabin e Përgjithshëm në këtë proces. “Unë do ju vë në dispozicion 8 volume me shkresa dhe dokumentacione, pjesa më e madhe e të cilave nuk ka ardhur nga Prokuroria, nuk i ka sjellë Prokuroria për t’i vënë në dispozicion të Parlamentit, i janë fshehur Parlamentit. Unë do të kërkoja kohë edhe për t’i fotokopjuar sepse aty mund të jenë rreth 5 mijë faqe dhe ju do t’i lexoni në mënyrë që kur të fillojë bërja e raportit të dini të gjykoni drejt”, deklaroi Mediu në mbledhjen e zhvilluar në datën 30 maj. Materialet e paraqitura përmbajnë vendime të ministrisë dhe urdhra të Shtabit të Përgjithshëm, ku sipas Mediut, çdo gjë për fabrikën e demontimit është realizuar dhe është vendosur, pasi shtabi ka dhënë mendimin paraprak. Kryetarja e Kuvendit, Topalli nëpërmjet faqes zyrtare ka bërë publike të gjitha etapat që janë ndjekur gjatë shqyrtimit të kërkesës për heqjen e imunitetit të Mediut. Që nga paraqitja e kërkesës me datën 25 prill, Këshilli ka zhvilluar tre mbledhje gjithsej, ku ka dëgjuar edhe dëshminë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Për një muaj, Kuvendi ka shkëmbyer dy letra në adresë të Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me çështjen "Mediu".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›