Topi takon kreun e deputetëve çekë: “Çekia do të mbështesë integrimin europian të Shqipërisë”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në një takim kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Çekisë, Miloslav Vlaçek. Gjatë takimit presidenti Topi vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, të cilin e tregon dhe shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë. Më tej, duke folur për miqësinë tradicionale, presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e thellimit të saj dhe në nivel parlamentar, nisur sidomos përvoja e Çekisë në integrimin në Bashkimin Europian nëpërmjet konsultimeve në nivele të ndryshme dhe shkëmbimit të përvojës e bashkëpunimit, duke e konsideruar “dimensionin parlamentar si më të rëndësishmin në raportet mes dy vendeve”. Pasi bëri një panoramë të përgjithshme të situatës politike në vend duke u shprehur optimist për kapërcimin e ngërçit politik dhe pasi vuri në dukje se paraqitja e kërkesës së Shqipërisë për vend kandidat në Bashkimin Europian është bërë pikërisht gjatë presidencës çeke, Presidenti Topi nënvizoi besimin se Çekia do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në integrimin në Bashkimin Evropian. Duke përmendur dhe aspiratën e të gjithë shqiptarëve për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së, Kreu i shtetit shprehu dëshirën për një vendim të shpejtë politik në përgjigje të përmbushjes me sukses të këtij procesi. Gjithashtu, presidenti Topi vlerësoi bashkëpunimin me Çekinë në kuadër të NATO-s, ku përvoja çeke është shumë e vlefshme. Kryetari i shtetit theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit edhe në fusha të tjera, si në atë ekonomike dhe të turizmit duke nënvizuar rëndësinë e rivendosjes së një linje direkte ajrore mes Pragës dhe Tiranës.
Nga ana e tij, kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit çek, zotin Miloslav Vlaçek, pasi shprehu kënaqësinë për këtë vizitë zyrtare në Shqipëri, vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe dhe shprehu bindjen në zgjerimin e mëtejshëm të dialogut dhe bashkëpunimit më intensiv në të ardhmen mes dy vendeve tona. Z. Vlaçek vlerësoi përparimet dhe arritjet e vendit tonë dhe siguroi për mbështetjen e pakursyer e të vazhdueshme të vendit të tij në përmbushjen e aspiratave integruese të Shqipërisë në familjen evropiane duke ofruar të gjithë përvojën pozitive çeke në proceset integruese.
1 Prill 2010