Tahiri: “KQZ-ja fsheh përgjegjësit kryesorë të manipulimit të zgjedhjeve”
Eneida Jaçaj
Në këtë situatë të tensionuar politike, duke u përpjekur për të mos nxjerrë përgjegjësit kryesorë të krimit elektoral të 28 qershorit, ka qenë jo vetëm maxhoranca, por edhe partizanët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky është qëndrimi i deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, i cili ka kritikuar KQZ-në se është përpjekur të fshehë kokën si struci për manipulimin e evidentuar më së miri tashmë, ashtu siç lëvdon hajduti hajdutin për vjedhjen e suksesshme. Në këto kushte, Tahiri ka pohuar se e vetmja alternativë demokratike e mbetur e opozitës është protesta në çdo cep të vendit, deri në zyrën e kryeministrit. Ai theksoi se kjo protestë do të ndalet atëherë kur kryeministri Sali Berisha dhe maxhoranca do t’i nënshtrohen ligjit për t’i hapur rrugë hetimit të zgjedhjeve dhe të gjitha skandaleve të tjera që mbajnë peng zhvillimin e vendit.
Deklarata
Deputeti Tahiri deklaroi se kryeministri Berisha është i vetmi që nuk është i interesuar për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Sipas tij, Berisha ka përfituar nga shkelja e standardeve zgjedhore dhe manipulimi me votën e zgjedhësve, ndërkohë që shumica e shqiptarëve ka humbur për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit. “Kur janë mbushur thuajse 9 muaj nga manipulimi i zgjedhjeve, me gjithë kërkesat e opozitës dhe të partnerëve ndërkombëtarë, maxhoranca dhe qeveria e Sali Berishës jo vetëm ka dështuar me kokëfortësi antikushtetuese çdo përpjekje për të bërë transparencën e zgjedhjeve, e duket se po duket se aborton që në nisje çdo alternativë për të zgjidhur krizën e shumëfishtë në vend, e bashkë me të edhe shanset për zgjedhje të lira e të ndershme në të ardhmen”, - u shpreh Tahiri, duke shtuar se “në këto 9 muaj është bërë e qartë për opinionin publik dhe partnerët ndërkombëtarë se zgjedhjet e 28 qershorit ishin një dështim për shkak të manipulimit me votën e qytetarëve, se Parlamenti duhet të hetojë procesin zgjedhor në themel, në mënyrë të plotë dhe shteruese dhe se mbetet ende domosdoshmëri absolute garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme në të ardhmen”.
Kriza ekonomike
Kryeministri Berisha dhe maxhoranca e tij kanë hedhur poshtë çdo përpjekje ligjore të opozitës për transparencë edhe në një kohë kur kriza ekonomike ka pllakosur vendin. Ndërkaq, Tahiri tha se kjo maxhorancë deri tani ka shkelur me dhunë të gjitha alternativat për të zgjidhur krizën, duke i bërë karshillëk jo vetëm opozitës dhe partnerëve ndërkombëtarë, por edhe çdo qytetari të ndershëm në këtë vend. “Maxhoranca ka shkelur me dhunë të gjitha alternativat në një kohë kur ekonomia është fundosur në krizë, kur familjet shqiptare janë zhytur në borxhe, kur çmimet janë katapultuar në maksimum e ku varfëria po grabit të ardhmen dhe shpresën e shqiptarëve; në një kohë kur korrupsioni me kostum e kollare gllabëron miliona euro që duhet të shkonin për interesin e qytetarëve e jo për xhepin e qeveritarëve, e kur ata që kapen në flagrancë nga Drejtësia dhe shoqëria mbrohen nga qeveria me imunitet familjar e ministror, Sali Berisha mburret për arritje e suksese të paqena”, - u shpreh Tahiri.
1 Prill 2010