E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasqyra financiare, formulari që duhet të plotësojnë biznesi i vogël



Ervin KOÇI

Fundi i muajit mars shënoi dhe afatin përfundimtar të deklarimit të pasqyrave financiare nga ana e subjekteve të biznesit të vogël (deri në 8 milionë lekë xhiro në vit) për 3-mujorin e parë të vitit 2010. Kalimi i këtij afati i penalizon të gjitha subjektet private me kamata të cilat nuk janë gjë tjetër veç se gjoba që vendosen nga Tatimet. Por pjesa më e madhe e subjekteve të vogla që tani janë subjekte të tvsh-së, nuk e kanë pasur informacionin e duhur për plotësimin e formularëve të posaçëm, si dhe për vendin se ku duhet ti dorëzojnë ato. Gazeta “Albania” ka siguruar sot formularin origjinal që duhet të potësojë cdo biznes i vogël subjekt i tvsh-së, si dhe udhëzuesin për mënyrën se si duhet plotësuar ky formuar. Bashkë me dorëzimin e pasqyrave financiare do të bëhet dhe ai i formularit të deklarimit të pagesës së tatimit mbi fitimin, si dhe formulari i deklarimit të pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël. Sipas udhëzimeve të DPT-së, pasqyrat financiare duhet të përgatiten sipas Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit Nr.2 dhe Nr.15 (për Mikrondërmarrjet). Standardi Nr.15, “Për Mikrondermarrjet”, do të zbatohet në pasqyrat financiare që mbulojnë periudhën kontabël, që fillon pas datës 1 janar 2009. “Ky standard duhet të zbatohet në mënyrë prospektive nga data 1 janar 2009, d.m.th pa ndryshuar pasqyrat financiare krahasuese te vitit 2008, të cilat janë përgatitur sipas kërkesave ekzistuese të kontabilitetit”,- thuhet në udhëzimin e DPT-së. Ky Standard përqendrohet vetëm në disa nga çështjet bazë mbi organizimin e kontabilitetit, mbi mbajtjen e llogarive, mbi përgatitjen dhe deklarimin e Raportimeve Financiare Vjetore të thjeshtuara nga mikronjësitë ekonomike.

Procedura e pranimit të pasqyrave financiare
Procedurat e pranimit të pasqyrave financiare sipas Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit Nr.2 dhe Nr.15( për Mikrondërmarjet), formularit të deklarimit dhe të pagesës së tatimit mbi fitimin, si dhe formularit të deklarimit dhe të pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël të bëhen sipas kërkesave të ligjit Nr.8438, datë 28.12.1998, i ndryshuar, si dhe të udhëzimit të Ministrit të Financave Nr.5, datë 30.01.2006 “Për tatimin mbi të ardhurat” si dhe kërkesave të ligjit Nr.9228, datë 29.04.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrave financiare” i ndryshuar”. Pasqyrat financiare dhe gjithë dokumentacioni shoqërues do të protokollohen në protokollin e Drejtorisë Rajonale Tatimore konform ligjit Nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Mënyra e dorëzimit do bëhet në zyrat dhe sportelet e Postës Shqiptare me rekomende, përjashtuar ato që janë dorëzuar para datës së marrjes së kësaj shkrese. Pasqyrat financiare duhet të jenë të firmosura nga administratori dhe nga hartuesi. Hartuesi i pasqyrave financiare duhet të jetë ekonomist i punësuar apo kontabilist i kontraktuar.

Procedura e verifikimit të pasqyrave financiare
Verifikimi i pasqyrave financiare të cilat janë: bilanci, pasqyra e të ardhurave dhe
shpenzimeve, pasqyra e ndryshimeve në kapital, pasqyra e fluksit të parasë si dhe aneksi për shpjegimet sqaruese do të bëhen nga Drejtoria e Përpunimit dhe Menaxhimit të të Ardhurave. Kjo e fundit duhet të azhornojë listën e të gjithë tatimpaguesve të regjistruar për tatim fitimin dhe që kanë detyrim ligjor për të plotësuar deklaratën vjetore të tatim-fitimit dhe pasqyrat financiare për vitin 2009.

Procedurat e shqyrtimit të treguesve të pasqyrave financiare dhe analiza
Objekti i punës do të jetë verifikimi nga zyra sipas orientimeve të mëposhtme por jo vetëm: 1. Verifikimi i plotësimit të pasqyrave financiare dhe llogaritjet që lidhen me zërat përbërës të tyre. 2. Vëmendje t’i kushtohet verifikimit të pasqyrës së të ardhurave dhe shpenzimeve, duke trajtuar me përgjegjësi elementët si më poshtë: a) Vlerësimi dhe analiza formale e shpenzimeve për materialet e lëndët e para të konsumuara, pagave, sigurimeve shoqërore e shëndetësore, duke i krahasuar ato me dokumentacionin bashkëlidhur pasqyrave financiare dhe situatën financiare të deklaruar gjatë vitit 2009. b)
Ndryshimi i gjendjes së inventarit të produkteve të gatshme dhe prodhimit në proces, i cili duhet të reflektohet drejtë në të ardhurat e njësisë ekonomike sipas rastit. Duke pakësuar këto të ardhura kur kemi të bëjmë me pakësim të inventarit, apo rritje të
ardhurash, kur kemi të bëjmë me shtim inventari(+-). c) Njohja, vlerësimi, zhvlerësimi dhe paraqitja e inventarit duhet bërë sipas kërkesave ligjore të përcaktuar në SKK Nr.4 dhe 15, si dhe në nenin 23 të ligjit Nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar. ç) Të kontrollohen e krahasohen me kërkesat e ligjit normat e amortizimit të llogaritur, në përputhje me kërkesat e Ligjit “Për tatimin mbi të Ardhurat”. d) Të analizohen shumat e parashikuara për rreziqe (provigjione) afatshkurtra dhe afat gjata
duke kontrolluar ne se janë zbatuar drejtë konform Ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”. 3. Të bëhen verifikimit në se janë pasqyruar saktë rivlerësimet e ndryshme që janë bërë nga
subjektet tatimpagues për aktivet afatgjatë materiale dhe aktivet afatgjatë jo materiale
gjatë vitit 2009 dhe nëse ka, ose janë llogaritur saktë amortizimet e tyre sipas ligjit “Për
tatimin mbi të ardhurat”. Të analizohet me kujdes zëri “Fitimet e pashpërndara” duke vepruar sipas nenit 33/1 të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar. Të analizohen dhe të krahasohen të ardhurat nga shitjet neto dhe nga shitje të tjera nga veprimtaria e shfrytëzimit të deklaruara në pasqyrën financiare përkatëse me atë të deklaruara nga tatimpaguesi në situatën financiare për tvsh-ë, dhe për rastet e tjera kur ka diferenca të evidentohen ato duke kërkuar shpjegimet përkatëse. Verifikimi i detyrimeve tatimore të mbartura nga vitet paraardhës, të atyre të llogaritura dhe të derdhura për periudhën ushtrimore të mbyllur, si dhe krahasimi i tyre me gjendjet në fund të periudhave tatimore (31.12.2009) bëhet për çdo lloj tatimi ose takse si: tvsh-ja, kontribute dhe tap-i për t`u paguar në 31 dhjetor, teprica e tatim fitimit, etj. Kjo analizë do të shërbejë për verifikime të mëtejshme të deklarimeve të tatimpaguesve për detyrimet tatimore si dhe për vlerësimin e detyrimeve të parapagimeve të tatimit mbi fitimin. Tatimpaguesit subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi i vogël (Mikronjësitë) dorëzojnë në Drejtoritë Rajonale Tatimore pasqyrat financiare sipas standardit.

Procedurat
1- Procedura e pranimit të pasqyrave financiare.
2- Procedura e verifikimit të pasqyrave financiare
3- Procedurat e shqyrtimit të treguesve të pasqyrave financiare dhe analiza
4- Pasqyra dhe formulari i bashkëngjitur

1 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›