Ndryshimet e Statutit që do të miratohen në Kongresin e Partisë Socialiste
Më 18 prill Partia Socialiste do të zhvillojë kongresin për miratimin e ndryshimeve të Statutit. Sipas burimeve për gazetën “Albania”, një ndër pikat më të debatuara, ajo e mendimit ndryshe, do të sanksionohet në Statut, por vendimet e marra nga partia do të jenë të detyrueshme për të gjithë. Një ndryshim tjetër thelbësor është rikthimi i kryetarit të Asamblesë së PS-së në rreth. Më parë PS-ja ka pasur një koordinator dhe sekretar qarku. Një tjetër pikë mjaft e rëndësishme është përfshirja e Sekretariatit Qendror të PS-së në Kryesinë e Partisë me të drejtë vote. Deri tani sekretarët e PS-së, edhe pse me mjaft ndikim në selinë rozë, nuk kanë pasur të drejtë vote në Kryesi. Por, me këto ndryshime, pritet që Sekretariati i PS-së, por edhe Kryesia të riformatohen. Vëmendje e madhe i është kushtuar edhe forcimit të demokracisë së brendshme në parti. Ndërkaq, Partia Socialiste ka kërkuar ekspertizë të Partive Socialiste Europiane për të bërë një rishikim të plotë të Statutit, sapo të zgjidhet kriza politike në vend. Grupi i punës ka punuar prej 7 muajsh dhe ndryshimet që do t’i paraqiten Kongresit tashmë janë gati. Bëhet e ditur se Asambleja Kombëtare e Partisë do të rithirret brenda këtyre ditëve, ku do të shqyrtojë këto ndryshime programore dhe statutore.
Anëtarësia
Grupi i posaçëm i punës, i miratuar nga Kryesia e PS-së, që po merret me hartimin e propozimeve për ndryshimet statutore, drejtohet nga Gramoz Ruçi. Në përbërje të këtij grupi janë deputetët: Namik Dokle, Fatmir Xhafaj, Bashkim Fino, Erion Braçe, Blendi Klosi, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri, Taulant Balla, Arben Ahmetaj dhe Ilir Gjoni. Grupi i punës për ndryshimet statutore në PS është ngritur që në nëntor të vitit 2009, ku paralelisht është ngritur edhe grup tjetër pune për ndryshimet në programin e PS-së. Për ndryshimet në Statut është marrë edhe mendimi i anëtarësisë socialiste. Ky mendim është marrë në dy mënyra. Së pari, me takimet e drejtpërdrejta që grupi i punës në PS zhvillonte me organizatat socialiste. Mënyra e dytë ishte ajo e shprehjes së mendimit me anë të formularëve të posaçëm, të cilët plotësoheshin nga anëtarët e Partisë Socialiste. Dhe sipas një raporti që grupi i punës bëri publik disa kohë më parë, shumica e anëtarësisë doli kundër lejimit të fraksioneve; debat ky që ka shoqëruar gjithnjë Partinë Socialiste.
Paketa “Blushi”
Në Kongresin e shkuar deputetët e LMN-së paraqitën një paketë propozimesh, ku evidentoheshin 10 ndryshimet statutore. Por kjo paketë nuk u fut në axhendën e Kongresit të kaluar. Kjo paketë është hartuar nga 5 deputetët e LMN-së, të cilët kryesohen nga deputeti Ben Blushi. Paketa "Blushi" përmban dhjetë pika, duke synuar ndryshimin e shumë prej neneve të tij. Platforma synon zgjerimin e hapësirave demokratike, të cilat, sipas kritikëve të Ramës, janë ngushtuar ndjeshëm nga ky i fundit. Një tjetër pikë synon që të rriten kompetencat e kongresit. Në të thuhet se kongresi i partisë analizon veprimtarinë e saj gjatë periudhës ndërmjet dy kongreseve dhe përcakton objektivat kryesore për të ardhmen. Kongresi miraton programin dhe statutin e partisë dhe bën ndryshime e përmirësime në to. Përfaqësia e kongresit administron kandidaturat për kryetar të PSSH-së, shoqëruar me kërkesat për kandidim dhe platformat për drejtimin e partisë të paraqitura prej tyre. Kandidatët për kryetar të PSSH-së duhet të kenë të paktën një mandat përfaqësimi politik si të zgjedhur në AK të PSSH-së. Kandidatët për kryetar të PSSH-së paraqesin në kongres platformat e tyre. Një tjetër paketë propozimesh për ndryshimet në Statutin e Partisë Socialiste ishte ajo e paraqitur nga ish-kandidati për kryetar të kësaj partie, Maqo Lakrori. Sipas tij, PS-ja duhet të drejtohet në mënyrë kolegjiale dhe të shkëputet nga kulti i individit, ndërkohë që duhet të ketë ndryshime në mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve për deputetë, të kryetarëve të organizatave, kryetarëve të degëve të PS-së në rrethe, si dhe të strukturave të tjera drejtuese.
Ndryshimet
1. Do të lejohet mendimi ndryshe
2. Vendimet e marra nga partia do të jenë të detyrueshme për të gjithë.
3. Kush del kundër vendimeve, ndaj tij/saj do të merren sanksione deri në përjashtim nga partia.
4. Do të rikthehet kryetari i Asamblesë së PS-së në rreth.
5. Sekretariati Qendror do të jetë në Kryesinë e Partisë Socialiste me të drejtë vote.
Disa prej propozimeve të LMN-së
1. Kryetari i partisë nuk duhet të rikandidojë në rast se humbet zgjedhjet.
2. Të rriten kompetencat e kongresit.
3. Kongresi i partisë analizon veprimtarinë e saj gjatë periudhës ndërmjet dy kongreseve dhe përcakton objektivat kryesore për të ardhmen.
4. Kongresi miraton programin dhe statutin e partisë dhe bën ndryshime e përmirësime në to.
5. Përfaqësia e kongresit administron kandidaturat për kryetar të PSSH-së, shoqëruar me kërkesat për kandidim dhe platformat për drejtimin e partisë të paraqitura prej tyre. Kandidatët për kryetar të PSSH-së duhet të kenë të paktën një mandat përfaqësimi politik si të zgjedhur në AK të PSSH-së.
6. Kandidatët për kryetar të PSSH-së paraqesin në kongres platformat e tyre.
1 Prill 2010