E Diel, 1 Nëntor 2026

Aldo Bare, ekzekutim në sy të fëmijëve dhe gruas

Gjyqi ndaj anëtarëve të bandës së Lushnjës në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka hyrë në fazën më interesante, atë të dëshmive kundër Aldo Bares e shokëve të tij, të cilët, për më shumë se 10 vjet, kanë terrorizuar dhe vrarë dhjetëra persona. Një ndër vrasjet më makabre është edhe ekzekutimi i Xhevat Demirit. Për këtë ngjarje, janë dëshmitarë familjarët e tij, të cilët kanë parë ekzekutimin nga banda famëkeqe. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se në seancat që do të vijojnë, do të dëshmojë bashkëshortja e Demirit, e cila ishte disa metra larg të shoqit kur është ekzekutuar. Dëshmitarë janë edhe dy fëmijët e tij. Prokuroria thotë se vrasja ka ndodhur për hakmarrje ndaj vrasjes së Ramadan Shkurtit nga Artur Daja, pasi Bare dyshonte se Demiri ka qenë anëtar i bandës së rivalit të tij. Duke parë rrezikshmërinë e kundërshtarit, Aldo Bare do të planifikonte në detaj planin dhe menjëherë do të niste veprimet hakmarrëse ndaj grupit të Tur Dajës. "Goditja e parë do të jepej ndaj Xhevat Demirit, i njohur me nofkën ‘Kosovari‘. Ditën e ekzekutimit, i ndjekur gjatë gjithë kohës, do t‘i zihej pritë në hyrje të qytetit të Lushnjës, te kthesa e lokalit ‘Blerim‘ dhe në prani të gruas dhe dy fëmijëve do të qëllohej me breshëri automatiku. Në ikje e sipër, njëri nga autorët e këtij krimi, me pistoletë në dorë e qëllon në kokë", deklaron akuza, e cila saktëson se ngjarja ndodhi më datën 3 gusht 1997. Sipas burimeve zyrtare, Demiri është ndaluar nga katër persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishin edhe Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare. "Pasi kanë vënë maskat në kokë, ata kanë qëlluar në drejtim të Xhevat Demirit, i cili kishte zbritur nga furgoni, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ndërkohë Arben Boriçi, i cili rrinte në një autoveturë pranë vendit të ngjarjes, është afruar me shpejtësi dhe në automjet kanë hipur të gjithë personat e sipërcituar", pohon akuza.

Hasmëritë e tjera

Një tjetër ngjarje është shënuar në dosjen e prokurorisë më datë 13 shkurt 1998. Në vendin e quajtur Kolonjë të Rrethit të Lushnjës është vrarë Nimet Zeneli. Në rrugën automobilistike, persona të armatosur, ndërmjet tyre edhe Arben Boriçi, Ilir Stergu, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare, i kanë zënë pritë fuoristradës "Toyota", me targa FR 8079 A. Personat e armatosur pasi kanë parë furgonin të afrohej, kanë qëlluar me armë automatik në drejtim të tij. Në fuoristradë udhëtonte Gramoz Selmani, shoku i ngushtë i Tur Dajës, si dhe Masar Aliu e Nimet Zeneli, shokë të Gramoz Selmanit. Ky i fundit, pas goditjes nga grupi i Aldo Bares, me qëllim për t‘u shmangur nga goditja e grupit, fshihej te shtetasit e sipërpërmendur. Menjëherë shoferi i furgonit, Masar Aliu, ka nxjerrë nga rruga makinën dhe të tre personat kanë dalë nga furgoni dhe janë larguar me vrap. Arben Boriçi dhe Ilir Stergu kanë ndjekur Nimet Zenelin dhe Masar Aliun, duke qëlluar me armë në drejtim të tyre. Gjatë ndjekjes, Nimet Zeneli është plagosur dhe nuk ka mundur të largohej. Ilir Stergu, së bashku me Arben Boriçin, i janë afruar të plagosurit dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen. Ndërsa Gramoz Selmani dhe Masar Aliu kanë mundur t‘i shpëtonin ekzekutimit. Disa ditë më vonë, më datë 22 shkurt 1998, në rrugën Kolonjë-Bitaj të Rrethit të Lushnjës, me qëllimin e vetëm vrasjen e Masar Aliut, persona të armatosur, ndërmjet tyre edhe Enver Dondollaku, Ilir Stergu dhe Arben Boriçi, kanë pritur ardhjen me makinë të Masar Aliut. Pasi kanë pikasur ardhjen e makinës, kanë dalë dhe e kanë ndaluar. Ata kanë qëlluar në drejtim të Masar Aliut, duke i shkaktuar vdekjen. Ata kanë qëlluar edhe në drejtim të Idajet Beqirit, i cili ka qenë rastësisht brenda në automjet. Më 18 gusht 1998, në Lushnjë është gjetur i vrarë Luan Bilbili, i cili ishte shok i Artur Dajës. Në mëngjesin e ditës së ngjarjes, në shtëpinë e tij kanë shkuar Ilir Stergu dhe Arben Boriçi. Më pas Luan Bilbili është gjetur i vrarë.

Dhunimi i Artur Dajës

Më datë 21 tetor 1998, në fshatin Grabian të qytetit të Lushnjës, pasi është dëgjuar një shpërthim eksplozivi, janë gjetur në vendngjarje pjesë të një trupi njerëzor, i shpërndarë. Ditën e vrasjes së Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjës, pjesëtarë të grupit kriminal, të drejtuar nga Aldo Bare, kanë shëtitur kokën e prerë të kufomës së Artur Dajës. Midis tyre, në ngjarjen kriminale të ekspozimit të kokës së prerë, kanë qenë Ilir Stergu, Arben Boriçi, Erion Cici, Arjan Aliço, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, /////////////shtetasi i vrarë Leonard Prifti etj. Prokuroria tha dje se të gjitha viktimat kanë qenë shokë, miq të Artur Dajës, i cili ishte kundërshtari i drejtuesit të organizatës kriminale të drejtuar nga Aldo Bare. Viktimat nuk kanë pasur konflikte personale me të pandehurit.

Banda e Lushnjës Nr. 2

Aldo Bare

Arben Boriçi

Enver Boriçi

Ilir Stergu

Erion Cici

Afrim Hoxha

Enver Dondollaku

Rexhep Gina

Akuzat e prokurorisë për Aldo Baren

Akuzohet për kryerjen e veprave penale të:

1- "Vrasjes me paramendim" të Genci Kasharit

2- "Vrasjes me paramendim" të mbetur në tentativë të Artur Dajës

3- "Vrasjes me paramendim" të Xhevat Demirit

4- "Vrasjes me paramendim" të Nimet Zenelit

5- "Vrasjes me paramendim" të ngelur në tentativë të Gramoz Selmanit dhe Masar Aliut

6- "Vrasjes me paramendim" të Masar Aliut

7- "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake"

8- "Shkatërrimit të pronës me zjarr" të banesës se Shkëlqim Haxhiut

9- "Krijimit të organizatës kriminale"

10- "Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale"

Anëtarët e thërrisnin kreun si: "I madhi", "Profesori", "Kryetari"

"Aldo Bare i shpëtoi

atentatit me antitank"

Aldo Bare i ka shpëtuar atentatit me antitank. Ngjarja ka ndodhur në gusht të vitit 1998. Në këtë datë është djegur banesa e Shkëlqim Haxhiut. Anëtarët e bandës së Lushnjës, në bashkëpunim me Aldo Baren dhe Enver Dondollakun, ditën e atentatit kanë shkuar në shtëpinë e Shkëlqim Haxhiut. Pasi nuk i kanë gjetur personat që kërkonin, ata i kanë vënë zjarrin shtëpisë dhe kanë marrë me vete disa nga personat që ndodheshin brenda në shtëpi. Kjo ngjarje është e lidhur me një ngjarje tjetër, e ndodhur në Lushnjë, në të njëjtën ditë. Paraditen e ditës së ngjarjes i është bërë goditje me antitank një makine në Sul Zotaj, Lushnjë, ku ndodhej edhe drejtuesi i grupit kriminal Alfred Shkurti. Në vendngjarje ka qenë edhe furgoni i Shkëlqim Haxhiut, nga ku është qëlluar me antitank dhe armë zjarri në drejtim të makinës ku ndodhej Aldo Bare dhe pjesëtarë të tjerë të bandës së tij.

Krijimi i bandës

Prokuroria thotë se si moment i krijimit të organizatës, e ashtuquajtura "Bandë e Lushnjës" apo "Grupi i Alfred Shkurtit" është vrasja dhe dhunimi i kufomës të Ramadan Shkurtit, vëllai i Aldo Bares, në muajin korrik të vitit 1997, në Lushnjë. Kjo vrasje erdhi si pasojë e përballjes me bandën e Tur Dajës. Pas vrasjes, Aldo Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj dajës dhe bashkëpunëtorëve të tij, krijoi bandën. Nga veprimet hetimore rezultoi se Bare kishte një rol dhe autoritet absolut në organizatë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar që të gjithë anëtarët e organizatës kriminale kanë pasur një disiplinë të fortë të drejtuar dhe të kontrolluar nga Aldo Bare. Në gjithë veprimtarinë e saj, organizata udhëhiqej nga interesat e Bares. Anëtarët e saj i drejtoheshin drejtuesit të tyre me nofka të tilla si: "I madhi", "Profesori", "Kryetari" e të tjera. Akuza thotë se disiplina e fortë dallohej qartë në momentet kur urdhrat e Bares nuk bëheshin të diskutueshëm. Ato zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anëtarët e saj, të cilët vepronin nëpërmjet ushtrimit të dhunës psikike, fizike si dhe të veprimeve kriminale të tilla si: rrahje, heqje të lirisë, tortura, vrasje. Në vijim të veprimtarisë kriminale, organizata është kujdesur vazhdimisht në drejtim të ushtrimit të veprimtarive ekonomike, ku pjesëtarë të saj ushtronin role të caktuara. Këto veprimtari shtriheshin në lagunën e Karavastasë, në shoqërinë e sport-klub Lushnje, në bingon e qytetit e të tjera.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›