Trafiku i klandestinëve, zbulohet banda fierake
Operacioni i koduar "Cikloni" ka shkatërruar një grup kriminal me aktivitet të theksuar në fushën e trafikut të klandestinëve në drejtim të shtetit grek, kundrejt fitimit. Kështu, në pranga kanë rënë pesë persona, Laurent Shehaj, 33 vjeç nga Fieri, Agron Seati, 47 vjeç nga Fier, Bujar Seati, 45 vjeç nga Fieri, Qamil Fejzullai, 44 vjeç (në foton bashkëlidhur) nga Fieri dhe Çlirim Pashaj, 44 vjeç nga Tepelena dhe banues në Fier. Ky grup qendrën e kishte në qytetin e Fierit dhe rrethinat e tij dhe me shtrirje në qytetet Vlorë, Berat, Durrës, Tepelenë, me stacion të fundit Gjirokastrën. Klandestinët rekrutoheshin nga pjesëtarët e këtij grupi në rrethet Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Tepelenë dhe me mjete të ndryshme i transportonin deri në afërsi të vijës së kufirit. Aty, pasi i grumbullonin, realizonin kalimin për në Greqi nga kufiri i gjelbër, në dy drejtime, afër fshatit Radat dhe fshatit Dritë të rrethit Gjirokastër. Për çdo emigrant trafikantët merrnin 700 deri në 800 euro. Vetëm 2 javët e fundit ky grup tentoi të kalonte 96 shtetas klandestinë, të cilët janë ndaluar nga policia. Nga të dhënat e grumbulluara rezulton që brenda dy muajve të fundit, nga ky grup është realizuar kalimi i paligjshëm për në shtetin grek i qindra personave.