Diplomati italian, në Berat për bashkëkombësin e arrestuar
Napoletani i akuzuar për mashtrim pretendon se i kanë bërë kurth
Konsulli italian në Vlorë, Serxhio Stozi, ka vizituar paraditen e djeshme dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Beratit. Vizita e zyrtarit të huaj nuk ka qenë pjesë protokolli apo ceremonie zyrtare, por takim me një bashkëkombësin e tij, Vito Ludoviko, i ndaluar një muaj më parë nga uniformat blu beratase, nën akuzën e “vjedhjes në përmasa të mëdha dhe me anë të mashtrimit”. Mësohet se gjatë kësaj vizite të papritur në Berat, Serxhio Stozi ka qëndruar për më shumë se një orë në ambientet e këtij institucioni, ku ka biseduar me të arrestuarin dhe më pas ka marrë takime me drejtorin e institucionit të paraburgimit, Agron Mahmutaj, me drejtorin e policisë, Altin Qato dhe me kryeprokurorin e rrethit, Xhemal Saliasi.
Ndonëse nuk është konfirmuar zyrtarisht qëllimi i kësaj vizite të papritur të kreut të konsullatës italiane në Vlorë, burime jo zyrtare të policisë dhe prokurorisë së Beratit bëjnë me dije se ai është interesuar për kushtet e trajtimit të bashkëkombësit të tij në këtë institucion, për problemet dhe shqetësimet që ai ka dhe për akuzat e ngritura ndaj tij. Burime jozyrtare thanë gjithashtu se ka qenë vetë 47-vjeçari italian, Vito Ludoviko, ai që ka kërkuar takim me përfaqësuesin e shtetit të tij. Sipas burimeve në fjalë, disa ditë më parë Vito Ludoviko u ka shkruar përfaqësuesve të shtetit të tij se mbahej pa të drejtë në burg dhe ka kërkuar ndërhyrjen e tyre për përshpejtimin e procedurave ligjore të hetimit. Të njëjtat burime sqaruan gjithashtu se Ludoviko u ka kërkuar autoriteteve italiane mbrojtje të plotë ligjore për akuzat e ngritura kundër tij, jo nga avokatë shqiptarë, por nga bashkëkombës. Ndërkaq, ka pretenduar se akuzat që rëndojnë mbi të janë sajuara nga disa njerëz ordinerë që kanë dashur të njollosin emrin dhe të shkatërrojnë biznesin e tij.
Thuhet se 47-vjeçari nga Napoli ka ruajtur edhe një mesazh kërcënues në celularin e tij, i shkruar më shumë se një muaj më parë prej njërit nga “të mashtruarit” e tij, të cilin e ka denoncuar edhe tek përfaqësuesi i shtetit të tij.
Vito Ludoviko u arrestua nga policia me një urdhër të lëshuar nga Prokuroria e Beratit rreth një muaj më parë, ndërkohë që kërkohej nga muaji prill i vitit të kaluar, pas denoncimeve të bëra nga tre shtetas shqiptarë me banim në fshatin Perondi të rrethit të Kuçovës, si dhe nga ish e dashura e tij që jeton në qytetin e Kuçovës. Vito Ludoviko u denoncua se kishte vjedhur me anë të mashtrimit një shumë prej 5 mijë eurosh dhe 1.5 milionë lekësh. Ai u kishte premtuar banorëve të fshatit se do t’i bënte ortakë të një qendre të përpunimit të qumështit, por pasi arriti t’i marrë të hollat u zhduk pa lënë gjurmë dhe “viktimat” e tij bënë kallëzim penal në polici për mashtrim. Ndërkohë, prej asaj kohe shtetasi italian ishte shpallur në kërkim dhe ndalimi i tij u bë i mundur vetëm një muaj më parë.
#