Aldo Bare hesht në Gjykatë para akuzave për vrasje dhe plagosje
Laureta Rryçi
Aldo Bare është njohur dje për 15 minuta vetëm me akuzat e ngritura ndaj tij. Aq kanë mjaftuar për kreun e bandës së Lushnjës për të përfunduar seancën e komunikimit të akuzës. I heshtur, ashtu si edhe dy ditë më parë, Bare nuk e zgjodhi vetë avokatin, por u përfaqësua me avokat kryesisht, që paguhet nga shtetit. Gjyqtari Klodian Kurushi mësoi prej të arrestuarit vetëm gjeneralitetet, pasi në momentin që e ka pyetur nëse kishte diçka për të shtuar në lidhje me akuzat, Bare ka lëvizur vetëm kokën në shenjë mohimi. Ndërkaq, i njëjti nivel sigurie si ditën e ekstradimit vijoi edhe dje. Trupat më të specializuara për shoqërimin e të burgosurve janë vënë në lëvizje për Aldo Baren. Ndryshe nga herët e tjera, drejtuesit e burgut kanë gjykuar se ai nuk duhej të lëvizte me makinë për t’u njohur me akuzat, por kanë shfrytëzuar tunelin që lidh paraburgimin e 313-s me ambientet e brendshme të godinës së re të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Masa
Aldo Bare, me pranga në duar, është lënë në kafazin e të pandehurve gjatë gjithë seancës. Sipas burimeve pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, në seancë kanë qenë të pranishëm fillimisht vetëm gjyqtari i gatshëm dhe prokurorët që janë marrë me hetimin e ngjarjeve të bandës së Lushnjës. Gjyqtari e ka pyetur të arrestuarin nëse e kishte njoftuar avokatin që e ka mbrojtur deri tani në proceset që ka në gjykim po në këtë gjykatë. Deri dje të drejtat e Bares mbroheshin nga avokati Vladimir Meçe. Mësohet se Bare është shprehur se nuk ka një avokat të zgjedhur prej tij. Përballë kësaj situate, gjyqtari Klodian Kurushi ka njoftuar menjëherë një nga avokatët kryesisht që punojnë pranë kësaj gjykate. Në këtë mënyrë, edhe pse sa për fasadë, avokati kryesisht, fare i panjohur me dosjen e Aldo Bares, ka luajtur rolin e mbrojtësit të të drejtave të të arrestuarit. Për Baren, heshtja duket se ka qenë zgjidhja më e mirë, pasi ai ka folur vetëm në ato raste kur e ka pasur të pamundur të mos fliste. Para gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Bare ka pranuar vetëm të dhënat personale dhe më pas është ulur në karrige për t’u njohur personalisht me akuzat e ngritura ndaj tij. Seanca nuk ka zgjatur më shumë se 15 minuta dhe pas ditës së djeshme Bare do të jetë i pranishëm në sallën e gjyqit si i pandehur njësoj si bashkëpunëtorët e etiketuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Ekstradimi
Aldo Bare, i njohur ndryshe me emrin Alfred Shkurti, mbërriti dy ditë më parë në Aeroportin e Rinasit pas dhjetë vitesh në kërkim nga Drejtësia shqiptare. Pas dorëzimit nga autoritetet turke, efektivët shqiptarë duket se kishin planifikuar deri në detaj shoqërimin e Bares për në Tiranë dhe vendosjen në një dhomë të veçantë. Çarteri u ul në orën 10:05 minuta. Bare, pavarësish se ishte i lidhur duar e këmbë, sërish në dy anët e tij ishin dy specialë. Më pas, me një makinë të blinduar, u transportua fillimisht në Komisariatin e Aeroportit dhe më pas drejt qelive të paraburgimit të 313-ës. I konsideruar person i rrezikshëm, Bare, gjatë gjithë kohës është shoqëruar në vëmendjen e policëve, forcave të RENEA-s dhe krerëve të Policisë shqiptare që dje kishin "pushtuar" Aeroportin duke arritur madje të bllokonin për pak çaste punën rutinë në të. Fatin e Aeroportit pati edhe autostrada Tiranë-Durrës. Autostrada u bllokua për rreth gjysmë ore dhe makina të shumta policie shoqëruan automjetin e blinduar drejt Tiranës për në Burgun e Sigurisë së Lartë Nr. 313.
Aldo Bare dhe organizata e tij kriminale akuzohen për:
- vrasjen dhe dekapitimin (prerjen e kokës dhe shëtitjen në publik) të Artur Dajës në qytetin e Lushnjës;
- vrasjen në qendër të qytetit të shtetasit shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri;
- vrasjen për shkake të cilësive të veçanta, mbetur në tentativë, të shefit të Komisariatit të Policisë Lushnjë, Sinan Meta;
- vendosjen e lëndës eksplozive me telekomandë në stadiumin e futbollit të qytetit të Lushnjës;
- vrasjen në vitin 2000 të inspektorit të Policisë Kriminale, Klejdi Bano;
- vendosjen në vitin 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit të Policisë së Rendit, Idriz Shuli;
- vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut;
- vendosjen në mars të 2005-s të eksplozivit në banesën e një punonjësi policie në rrugën “Don Bosko” në Tiranë;
- vendosjen e minës me telekomandë në makinën e ish-drejtorit të Policisë Kriminale, Xhavit Shala;
- vrasjen në vitin 2005 të biznesmenit Baki Taullau;
- disa vepra të tjera penale, të cilat janë në hetim; për vrasjen e ish-kryetarit të SHIK-ut të rrethit Lushnjë, Bashkim Shkurti; për vrasjen e ish-nënkryetarit të Bashkisë të qytetit Lushnjë, Drago Voshtima, vrasje këto të kryera në vitin 1998.
27 Nentor 2009