E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha është një i humbur që ka humbur ekuilibrin mendor”



Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka reaguar menjëherë pas sulmeve të egra personale dhe familjare që kryeministri Sali Berisha bëri në adresë të tij nga salla e Kuvendit. Rama nuk ka ngurruar ta vlerësojë si një çoroditje të plotë gjendjen psikologjike të kreut të qeverisë, ndërsa akuzat në adresë të tij i ka vlerësuar si një shkulmë të pafre shpifjesh e sharjesh, “që shqip do të quhej me libër shtëpie e shoqërie”. Kryesocialisti i ka vlerësuar si monstruoze akuzat e kryeministrit ndaj tij për krime e lidhje me kriminelë. “Jo vetëm kaq, por kërcënoi opozitën e mediat opozitare me një gjuhë që na turpëroi të tërëve si shqiptarë për kryeministrin që kemi në vitin 2009 në mes të Europës. Nuk do të hyja unë pas tij në ekranet tuaja sonte dhe aq më pak do të bëja replikë në këtë orë me njeriun e dalë jashtë çdo kontrolli të vetvetes në këtë vigjilje feste, sikur i tërë ai shfrim shtazarak të lidhej thjesht me mua e me të gjallët e të vdekurit e familjes sime, të cilët prej dhjetë vjetësh Sali Berisha i thërret në gjuhën e tij sa herë nuk i dalin hesapet e veta me këtë popull”, - theksoi Rama.
Kreu i PS-së sqaroi se vendosi të reagojë në vlerësim të asaj që ai e komentoi si shqetësimin për ekuilibrin mendor të kryeministrit që ka në dorë qeverinë e Shqipërisë në këto orë të vështira për vendin, për demokracinë, për shtetin e së drejtës, për ekonominë shqiptare. Rama nënvizoi se vendi është në udhëkryq, demokracia është në rrezik, shteti i së drejtës ka rënë, ekonomia shqiptare po falimenton. “Ne të gjithë drejtohemi nga një njeri që, bashkë me ekuilibrin mendor, ka humbur vetaftësinë për t’i fshehur ato që fatkeqësisht mendon me të vërtetë për demokracinë, për lirinë e të drejtat e njerëzve në Shqipëri, për opozitën, për të gjithë ata që thjesht nuk e duan për të parin e vendit dhe për vetë normat më elementare të edukatës qytetare. Kohën që ne i dhamë për reflektim, Sali Berisha e ktheu kohë për tërbim”, - nënvizoi Rama.
Paniku
Sipas tij, Berisha, me të kuptuar se kërkesa për hapjen e kutive të 28 qershorit nuk ishte asfare një lojë e vogël politike, po një vullnet i madh popullor, u bë e qartë se ka humbur krejt fillin e arsyes, është mbërthyer nga paniku i ballafaqimit me popullin e vet dhe është lëshuar në një sulm vetëdiskreditues duke e nxjerrë edhe më shumë në dukje atë që mundohet të fshehë. Kreu i PS-së nënvizoi se Berisha i ka grabitur zgjedhjet dhe sot kjo është edhe më e qartë se dje. “Nga njeriu që ka marrë peng kutitë e votave të vjedhura, Sali Berisha është bërë pengu i atyre kutive. I mban kutitë mbyllur forcërisht dhe i duket se nga çasti në çast do t’i vërsulen forcërisht për t’ia marrë. Dhe mu si ai hajduti që bërtet ‘kapeni hajdutin’, i shpërfytyruar prej panikut, tregon me gisht nga opozita duke yshtur drejt saj me gjuhën e urrejtjes të gjithë lakenjtë e tij, duke shpifur për opozitën me të gjithë forcën e altoparlantëve të medias që ka në shërbim nga titujt e mëngjesit tek emisionet e darkës, duke u kërkuar ndihmë miqve ndërkombëtarë që të mbrojë demokracinë nga opozita”, - ka theksuar Rama. Sipas tij, kryeministri e ka të kotë, siç e ka të kotë edhe gjithë atë angazhim të fshehtë për të tentuar edhe manipulimin e kutive në depot ku i mban, siç i ka të kota edhe ato filmimet e protestuesve nën dritaren e tij që ua ka dhënë për studim e ndëshkim atyre që s’e besojnë më as vetë, siç i ka të kota edhe ato palokëritë që u vë në gojë deputetëve të lëshuar ekraneve për të nxjerrë gjithë ç’u jep me zor për të ngrënë. “I ka të kota edhe ecejaket nëpër Shqipërinë që nuk ndryshon, duke përsëritur filmin e djegur të inaugurimeve pa lekë me fëmijë shkollash që e duartrokasin si njëherë e një kohë Silvën e cirkut të Tiranës. Siç i ka të kota edhe listat e punonjësve të administratës shtetërore për antimitingun e 8 dhjetorit, ku, me gjoja popullin e mbledhur për të duartrokitur udhëheqësin, do t’i ‘thyejë dhëmbët e dhëmballët’ opozitës, njësoj siç bënin Ramiz Alia apo udhëheqësit e tjerë të Lindjes Komuniste në kohën kur Sali Berisha s’ishte veçse anëtari me teserën nr.18690 i partisë së Enver Hoxhës. Të kota të gjitha”, - ka deklaruar Rama.
Ballafaqimi
Sipas tij, “Berisha nuk i ikën dot ballafaqimit me të vërtetat e qeverisjes së tij, duke iu drejtuar nga foltorja e Parlamentit nënës time dhe se nuk e fsheh dot përfshirjen e familjes e të tarafit të tij në kapjen e qeverisë për përfitime të paligjshme, duke sulmuar të ndjerin babain tim”. “Sali Berisha nuk e mbulon dot masakrën elektorale, duke përgojuar nënën e djalit tim dhe pa kursyer as gjyshen e djalit. Sali Berisha nuk i shpëton dot nxjerrjes së të vërtetave, duke e përdorur foltoren e Parlamentit për të kërcënuar me emër e mbiemër qytetarë të lirë të këtij vendi që s’janë të rreshtuar pas tij. Sali Berisha nuk e justifikon dot rrënimin e përditshëm ekonomik të Shqipërisë, duke u treguar shqiptarëve përralla me krimin e me skllevërit e tij në opozitë. Këto nuk i bën asnjë njeri normal, jo më kryeministri i një vendi europian nga foltorja e Parlamentit”, - ka komentuar Rama. Kreu i PS-së ka bërë të qartë se nuk ulet në nivelin e kryeministrit dhe se nuk ka “baltë për t’i kthyer në këmbim të baltës që hodhi pa kursim mbi mua e mbi kë mundi”. Por, sipas Ramës, është e sigurt si dielli që do të lindë nesër se, i kthyer si sot, në një dordolec që zor se do ta pranonte edhe ndonjë fshat për ta vënë në arë për trembjen e laraskave, Sali Berisha nuk frikëson dot askënd, e jo më popullin e opozitës, që, pa asnjë dyshim e kthim mbrapa, do t’ia kërkojë deri në fund llogarinë e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Sali Berisha është një i humbur që ka humbur mendjen”, - ka përfunduar kryetari i PS-së.

27 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›