E kthen Policia greke, prangoset për vrasjen e 14 viteve më parë
TEPELENË – Merr fund arratia 12-vjeçare e një personi që ka masakruar me thikë bashkëqytetarin e tij në vitin 1995 për një shuplakë që i tha në sy të personave të tjerë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se shtetasi Astrit Guçe është arrestuar ditën e djeshme pasi ishte shpallur person në kërkim për “vrasje”. 45-vjeçari Guçe, në janar të vitit 1995 ka vrarë me thikë për motive të dobëta bashkëqytetarin K. SH. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në qendër të qytetit Memaliaj. Viktima e ka qëlluar me pëllëmbë në fytyrë Guçen në prani të personave të tjerë. Ky i fundit ka shkuar në banesë dhe ka marrë një thikë, më pas e ka qëlluar disa herë autorin që e goditi dhe më pas është larguar. Por policia e prangosi. Në vitin 1997, duke përfituar nga trazirat që përfshinë vendin, Astrit Guçe u arratis nga Burgu Sarandës dhe që atëherë është shpallur person në kërkim. Burimet policore bëjnë të ditur se i shumëkërkuari për krimin që prej marsit të vitit 1997 është strehuar në Greqi. Dy ditë më parë ai është ndaluar në vendin fqinj dhe më pas është ekstraduar në Shqipëri. Por, në momentin që është dorëzuar në pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës atij i janë vënë prangat pasi figuronte në listën e personave që kanë probleme me Drejtësinë. Guçe kishte dhënë emër të rremë edhe te Policia greke, por edhe tek autoritetet e Policisë Kufitare shqiptare. Nga e hetimet e bëra prej specialistëve të Policisë Kufitare rezultoi se gjeneralitetet ishin të pasakta, pasi u verifikuan në sistemin TIMS. Pas verifikimeve të shumta dhe punës së bërë nga specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër u arrit identifikimi i saktë i tij. Policia menjëherë ka bërë ndalimin e shtetasit Astrit Guçe duke e vënë nën masa të rrepta sigurie dhe është transportuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër nga grupet e gatshme të Policisë së Rendit. Më pas, i shumëkërkuari është transportuar në Burgun e Sigurisë së Lartë Bënçë të rrethit Tepelenë.
Arrestohet 27-vjeçari, mbante municione pa leje
KRUJË - Policia e Krujës ka arrestuar Shpëtim Zgurin, 27 vjeç, pasi në banesën e tij ka sekuestruar një sasi jo të vogël municionesh. Burime nga policia thanë se në rrugë operative kishin siguruar informacione se Zguri posedonte armë në banesë gjë që bëri të mundur një kontroll të imtësishëm nga ana e policinë në banesën e të riut. Gjatë kontrollit që iu bë banesës së tij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një automatik model 56, kalibër 7.62 m/m, tip “Kallashnikov” me nr. serie 11085413 dhe 260 copë fishekë model 56, kalibër 7.62 m/m, si dhe katër krehra fishekësh model 56 bosh. 27-vjeçari ka lindur dhe është banues në fshatin Larushkë të Krujës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Treni merr përpara furgonin, plagoset shoferi
FIER - Aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në aksin Fier-Levan, kur treni i linjës Vlorë - Fier ishte në ecje e sipër dhe ka marrë përpara një furgon me targë të Fierit 90 53 A, i cili në atë moment ka tentuar të kalojë shinat. Ky i fundit e ka marrë përpara rreth 50 metra furgonin teksa shoferi ndodhej brenda në mjet. Por fatmirësisht nga ky aksident nuk pati të vdekur. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ka mbetur i plagosur në gjendje jo të rëndë shëndetësore shtetasi Baftjar Kallashi, drejtuesi i furgonit. Makinisti të trenit të linjës Vlorë-Fier tha se furgoni po vinte nga krahu i Nipsit. Sipas policisë, shkaku i aksidentit ka qenë veprimi i gabuar i shoferit për të kaluar shinat, ndërsa treni ishte në ecje e sipër.
Djeg veten, shkak, depresioni i thellë
DURRËS – Në person me probleme mendore është gjetur i djegur në banesën e tij si pasojë e zjarrit që u shkaktua nga një furnelë elektrike. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi mëngjesin e së mërkurës dhe viktima është shtetasi Vlash Boshku. Trupi i 51-vjeçarit është gjetur vetëm ditën e djeshme, pasi jetonte i vetmuar në një garsonierë në katin e tretë të pallatit që ndodhet në Lagjen Nr. 13 në zonën e Plazhit. Sipas të afërmeve, viktima vuante nga një gjendje e rënda depresioni dhe jetonte vetëm. Sipas burimeve policore nga këqyrja e jashtme e kufomës nuk u konstatuan shenja dhune. Kufoma ndodhet në morgun e Spitalit rajonal të qytetit të Durrësit, për t’iu nënshtruar autopsisë Mjeko-Ligjore dhe për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Paraprakisht mjekët ligjorë konstatojnë se 51-vjeçari mund të ketë vdekur disa ditë më parë si pasojë e djegies nga korrenti.
Bllokohen tri makina luksoze, rezultonin të trafikuara
TIRANË - Tri automjete të tipit të fundit janë bllokuar ditën e mërkurë në kryeqytet. Sipas burimeve të uniformave blu këto automjete rezultuan të vjedhura në Itali dhe Gjermani. Të tre personave që zotëronin automjetet u janë vënë prangat. Seksioni i Luftës Kundër Trafiqeve bllokoi dje automjetin tip “Mercedes Benz”, me targë TR 925 B, pasi rezulton i vjedhur në Itali. Gjatë momentit të bllokimit mjeti drejtohej nga shtetasi Armand M., 22 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Po këtë ditë ky seksion bllokoi automjetin tip “Opel Zafira”, me targë TR 7368 I, pasi rezulton i vjedhur në Itali dhe drejtohej 31-vjeçari Ilir K. Gjithashtu, ekspertët e sektorit të Antitrafikut bllokuan 46-vjeçarin Arben L. teksa drejtonte automjetin tip “Audi A-6”, me targë TR 3553 P, pasi rezulton i vjedhur në Gjermani. Për të tria këto raste materialet i kanë kaluar Prokurorisë, për veprën penale të “trafikimit të mjeteve motorike”.
Policia gjen në mjetin e braktisur 100 kg Cannabis
DURRËS - Gjendet në një makinë të braktisur një sasi prej 100 kilogramësh lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa. Burimet zyrtare thonë se droga ndodhej në mjetin tip “Benz”, ngjyrë gri, me targë Tiranë 75 98 I, i parkuar në pjesën anësore të autostradës. Pas kontrollit që iu bë mjetit nga forcat policore është gjendur droga e vendosur në ndenjësen e pasme dhe në bagazhin e makinës, ndërsa janë gjetur të paketuara në rreth 100 pako plot 100 kilogramë Cannabis. Deri tani nuk dihen autorët apo pronarët e mjetit të braktisur, ndërsa mendohet se policia ka pasur paraprakisht informacione në rrugë operative. Ndërsa policia, nga ana e vet, ka nisur hetimet. Sipas burimeve policore të Durrësit bëhet e ditur se janë ngritur dyshime për një person që mund të jetë implikuar në këtë rast, por nuk bëhet publik emri i tij për arsye hetimi.
Lezhë, vdes adoleshenti në një aksident
LEZHË – Një kamionçinë ka përfunduar në kanal duke shkaktuar vdekjen e një prej udhëtarëve të mjetit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se aksidenti ndodhi mesditën e së mërkurës, në vendin e quajtur Shën Koll, në rrethin e Lezhës. Sipas tyre, viktima është 16-vjeçari M. I., i cili ishte pasagjer në kamionçinë. Në momentin e aksidentit, në timon ishte xhaxhai i tij, Ibrahim Idrizi, 48 vjeç. Policia ka mbërritur në vendngjarje për të gjetur shkaqet e aksidentit që përfundoi me një viktimë.
Gjendet një arsenal armësh, prangoset 65-vjeçari
POGRADEC – Një person i moshuar ka përfunduar në pranga pasi në banesën e tij u gjet një arsenal armësh. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje, rreth orës 16:00, është arrestuar shtetasi Raif Leka, lindur në fshatin Osnat të komunës së Dardhasit dhe banor në komunën Lekas. Sipas tyre, ekspertët kanë marrë informacione se në banesën e të moshuarit, në fshatin Lekas, ndodhej një arsenal armësh dhe municioni. Nga kontrolli i bërë në banesë u gjetën disa pistoleta të llojeve të ndryshme, pajisje armësh zjarri, lëndë eksplozive, kapsollë dhe sasi të mëdha municionesh për disa lloje armësh. Zëdhënësja e Policisë së qarkut Korçë bën të ditur se Raif Leka është shoqëruar në komisariatin e policisë dhe ndaj tij pritet të nisin hetimet për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve.
27 Nentor 2009