Mblidhet tryeza opozitare: Protesta edhe më të fuqishme nëse Berisha nuk hap kutitë
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka thërritur dje tryezën opozitare për të diskutuar dhe miratuar strategjinë që do të ndjekë opozita pas përfundimit të ultimatumit 10-ditor që ajo i ka caktuar kryeministrit Berisha për hapjen e kutive të votimit. Takimi i liderëve të partive të majta dhe të djathta është zhvilluar paraditen e djeshme në mjediset e hotel “Tirana International”. Kreu i PS-së, Edi Rama, kishte thërritur në këtë takim kryetarin e Partisë Ligj për Drejtësi, Spartak Ngjela, kryetarin e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi, kreun e PDS-së, Paskal Milon, kreun e G99-s, Erion Veliaj, kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule, si dhe ish-anëtarin e Kryesisë së LSI-së, Ndre Legisi. Takimi është zhvilluar pa praninë e medias, por në përfundim të saj janë zbuluar disa nga vendimet që kanë marrë liderët e opozitës. Ata i kanë bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha që të plotësojë kërkesën për hapjen e kutive brenda ultimatumit 10-ditor që i është caktuar. Opozita i ka bërë apel kryeministrit që të reflektojë, në të kundërt ajo ka paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe më të fuqishme sesa ato të realizuara deri tani.
Rama
Pas takimit me drejtuesit e partive opozitare, lideri i opozitës, kryesocialisti Edi Rama, tha se i gjithë populli opozitar përbuz gjuhën vulgare dhe agresive që ka përdorur gjatë këtyre ditëve kryeministrit Berisha në drejtim të lëvizjes së re që tashmë ka lindur në Shqipëri dhe që është në funksion të mbrojtjes së demokracisë. Rama akuzoi pushtetin aktual se po mbahet në këmbë me anë të rrugëve të paligjshme, duke grabitur vota dhe paratë e shqiptarëve. “Jemi në këtë fazë të ndërmjetme dhe kohë reflektimi për pushtetin dhe për Sali Berishën. Ndërkohë jemi të gjithë në një mendje, që në emër të të gjithë atij populli të madh opozitar që përfaqësojmë, të refuzojmë me përbuzje jo vetëm gjuhën vulgare dhe agresive të përdorur nga Sali Berisha dhe nga lakenjtë e tij në këto ditë, por njëkohësisht edhe të gjitha insinuatat e turpshme që kërkojnë të njollosin këtë lëvizje të madhe popullore, duke e trajtuar si një episod që meriton epitete që ne jo vetëm i përçmojmë, por njëkohësisht na bëjnë edhe më të vetëdijshëm të gjithëve për natyrën e këtij pushteti. Një pushtet që përmes parasë së akumuluar në rrugë të paligjshme, është ricikluar dhe synon të mbahet në këmbë brenda një rrethi vicioz mes rrugës së paligjshme të përfitimit dhe njëkohësisht të riciklimit të vetvetes”, - u shpreh Rama.
Ngjela
Kryetari i Partisë Ligj për Drejtësi, Spartak Ngjela, ka qenë më i ashpër në deklarimet e tij kundër kryeministrit Berisha. Ngjela tha se në rast se Berisha nuk do të hapë kutitë, pas 10 ditësh ai do të përballet me protesta popullore, të cilat do të jenë edhe më të fuqishme sesa ato të mëparshmet. “Duhet të lajmërojmë opinionin publik vetëm për një gjë: Pas 10 ditësh, në rast se kryeministri aktual, me gjithë darët që ka me vete, nuk hap kutitë, protesta e radhës do të jetë masive, e fuqishme, e paparë në Shqipëri. Ne vendosëm këtu t’i themi edhe njëherë, se në rast se pas 10 ditësh nga dita që është caktuar, nuk merr vendimin për të rinumëruar votat në qendrat që duan njerëzit, atëherë shqiptarët do të ndërmarrin protestën më të madhe masive, sepse ai indirekt ka provuar se ka manipuluar zgjedhjet”, - tha Ngjela.
27 Nentor 2009