E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjimet lënë në qeli policin-spiun të Dritan Dajtit

Avokati kërkoi një masë më të lehtë për Mariglen Muçën. Provat që mbajtën në qeli ish-inspektorin e Krimeve të Rënda

Laureta Rryçi

Gjykata e Krimeve të Rënda la dje në arrest me burg inspektorin e Drejtorisë së Policisë së Durrësit, i cili akuzohet se i ka dhënë ndihmë Dritan Dajtit gjatë viteve kur ishte në arrati. Në seancën e djeshme gjyqësore, gjyqtarja ka lënë në fuqi masën e arrestit të marrë në mungesë katër ditë më parë për Mariglen Muçën. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se avokati mbrojtës i Muçës ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie, por kërkesa nuk është pranuar nga Gjykata me argumentin se nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese. Të njëjtat burime pohuan se vetë i arrestuari nuk ka bërë asnjë deklaratë në sallën e gjyqit. Mariglen Muça, inspektor i Krimeve të Rënda në Policinë e Durrësit, u arrestua katër ditë më parë pas një hetimi disamujor të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Hetimet
Ndaj Muçës, hetuesit Krimeve të Rënda kanë ngritur akuzën e "shpërdorimit të detyrës", e cila, sipas prokurorisë, është konsumuar nga i arrestuari Muça gjatë kohës që ai kryente detyrën e efektivit të Policisë në zonën e plazhit, ku edhe kishte gjetur strehim prej kohësh i shumë kërkuari Dritan Dajti dhe kunati i tij, Ergest Xhoxhi.
Dajti u prangos më 7 gusht të këtij viti në qytetin e Durrësit, pas 6 viteve arrati. Në 2003-shin Dritan Dajti, i cili po gjykohej për vrasjen e një biznesmeni, mundi të arratisej në mënyrë spektakolare nga ambientet e Gjykatës së Tiranës. Më 7 gusht 2009, gjatë operacionit për arrestimin e tij, pranë pistës "Iliria" në Durrës, Dajti ekzekutoi 4 policë, ndërsa vetë mbeti i plagosur. Gjykata, pas kërkesës së Prokurorisë, ka prerë menjëherë fletë–arrestin për inspektorin.
Lidhja
Sipas Prokurorisë, kunati i Dajtit kishte qenë ndërmjetës mes inspektorit dhe super të kërkuarit, që mesditën e 7 gushtit të këtij viti, gjatë një aksioni për arrestimin e tij, vrau katër oficerë të Policisë. Të njëjtat burime pohuan se prej tre muajsh inspektori i zonës së plazhit, Muça, po hetohej prej tyre, ndërsa mëngjesin e djeshëm ishte vendosur që ai të merrej në pyetje. Arrestimi u realizua pas zbardhjes së tabulateve telefonike të Dajtit. Muça fillimisht është thirrur për të dhënë shpjegime. Për më tepër se katër orë rresht inspektori ka dhënë deklarime duke shpjeguar të gjitha rastet e takimit dhe komunikimit mes tij dhe Erges Xhoxhit. Fillimisht i arrestuari është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen nga prokurorët Ardian Nezha dhe Eugen Beci. Më pas ai është pyetur në cilësinë e personit në hetim dhe në fund me cilësinë e të pandehurit, pasi i është komunikuar akuza dhe vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Operacioni i 7 gushtit dhe vrasja e 4 policëve

Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohet Dritan Dajti ndodhi mesditën e 7 gushtit 2009, pranë pistës "Iliria" në Plazhin e Durrësit. Agjentë të skuadrës speciale operacionale që mbanin nën vëzhgim të shumëkërkuarin Dajti u hodhën në veprim duke tentuar t'i vënë prangat. Por, i kërkuari u përgjigj me plumba duke ekzekutuar Fatos Xhanin, shefin e skuadrës së operacioneve speciale, Saimir Duçkollarin, Altin Dizdarin dhe Kastriot Feskon. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë dhe Ledion Mara, që ndodhej pak metra larg makinës së Dajtit, i cili sapo kishte zbritur. Sipas vendimeve të Gjykatës, i dënuari Dajti akuzohej dhe është dënuar në vitin 2003 për vrasjen e biznesmenit Agim Beqaj, pronari i "Besa Construksion" në vitin 1999. Në ditën e operacionit për kapjen e tij, nga shkëmbimi i zjarrit Dajti mbeti i plagosur me tre plumba dhe u paralizua në këmbën e majtë.

27 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›