PS: Familjarët dhe ministrat e Berishës që po grabisin tokat në bregdet
Partia Socialiste ka denoncuar emrat e familjarëve të kryeministrit Berisha dhe të disa prej ministrave të tij, të cilët, sipas selisë rozë, janë duke grabitur tokat e shqiptarëve në bregdet. Denoncimi ka ardhur nga deputeti socialist Erion Braçe, i cili tha se kjo grabitje po bëhet me anë të ligjit “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”. Duke iu referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Braçe tha se njerëzit e afërm të kryeministrit po përvetësojnë një sipërfaqe toke që në 23,5 hektarë, pra 235 mijë metra katrorë! Sipas tij, vlera e kësaj toke është 47 milionë euro.
Emrat
Deputeti socialist, Erion Braçe, tha se me anë të ligjit të mësipërm, 9 kompani, kliente politike e ekonomike të familjes Berisha, po përvetësojnë tokat në bregdet. Ai shtoi gjithashtu se të paktën 15 klane, ministra, ish-ministra, zv.ministra, guvernatorë, deputetë, biznesmenë po pronësohen përmes grabitjes më të madhe në historinë e Shqipërisë. Duke iu referuar deklaratave të pasurisë të depozituara në ILKDP, Braçe publikoi emrat konkretë që përfitojnë toka në bregdet. Ai përmendi emrat e dy fëmijëve të kryeministrit, Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha, gjithashtu emrin e zëvendëskryeministrit Ilir Meta, emrin e ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli, emrin e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, emrin e ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, emrin e ministrit të Financave, Ridvand Bode, ministrin e Mjedisit, Fatmir Mediu, ish-ministrin e Mjedisit Lufter Xhuveli dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Vlera
Sipas Braçes, secili prej emrave të mësipërm përfiton nga 200 metra katrorë tokë në bregdet. “Secili përfiton nga kjo grabitje minimumi 200 m2 truall në mes të pishave, në zonë të mbrojtur, buzë detit në bregdet. Vetëm ky takëm merr mbi 4000 m2 truall të tillë. E gjitha kjo pasuri vlerësohet me vlerë tregu në 47 milionë euro. Kjo është vlera e këtij operacioni pronësimi antikushtetues. Vlera e grabitjes vetëm nga shmangia me këtë ligj e çmimit të tregut arrin në 23.5 milionë euro. Vlera e pronës së përfituar vetëm nga takëmi i ngushtë i Familjes arrin në 1 milion euro. Vlera e grabitjes për shkak të shmangies së çmimit të tregut, si dhe të skontos së aplikuar vetëm ndaj këtij takëmi arrin në mbi 700 mijë euro. Kësaj vlere i shtohet dhe vlera e gati 5 milionë euro detyrime të papaguara ndaj shtetit faktuar nga raporti i fundit i KLSH-së. Mbi të gjitha bëhet fjalë për një ligj antikushtetues që shpronëson pronarë të ligjshëm dhe shtetin dhe pronëson në mënyrë antikushtetuese e me çmim të lirë ministrat, familjarët dhe klientët e familjes që na qeveris. Nisur nga sa më sipër, PS deklaron sot se nuk do të njohë pronësimin antikushtetues e skandaloz të ministrave e familjarëve të familjes Berisha”, - tha Braçe. Ai i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet ndaj këtij veprimi të rëndë, ndërkohë që i bëri thirrje ILKDP-së që të verifikojë gjendjen e konfliktit të interesit për ministrat dhe deputetët që pronësohen, duke aprovuar një ligj antikushtetues. “PS i kërkon me forcë ILKPD-së të bëjë detyrën kushtetuese, të verifikojë gjendjen skandaloze të konfliktit të interesit ku ministra e deputetë miratojnë një ligj që pronëson po ata dhe të kërkojë menjëherë përjashtimin e ministrave e deputetëve të përfshirë në këtë operacion të paligjshëm nga përfitimet prej këtij ligji! I kërkon Prokurorisë të nisë hetimet menjëherë për këtë rast flagrant të shpërdorimit të detyrës nga kryeministri, ministrat përfitues, veçmas ndaj ministrit përgjegjës që ka marrë prej ditësh rolin e dhëmbit të qenit për të kafshuar prona e pasuri të ligjshme për interesa të familjes në pushtet”, - tha Braçe.
27 Nentor 2009