E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: “Berisha nuk mund t’i ndalë protestat popullore”



Kryetari i Partisë Social Demokrate tha se kryeministri Sali Berisha nuk do të mund të arrijë të ndalë dhe të pengojë protestat popullore. Gjinushi tha se Berisha po sillet në mënyrë të turpshme dhe si frikacak. Ai u shpreh se gjuha e Berishës kundër protestave nuk është përdorur as nga regjimi diktatorial komunist në vitet ‘90. “Dëshiroj t’i jap një përgjigje kryeministrit të Partisë Demokratike, që nuk mund të ndalë protestat popullore dhe t’i intimidojë me deklaratat e tij të turpshme dhe prej frikacaku, duke i kujtuar që në vitet 1989-1990, as diktatura nuk fliste me këtë gjuhë, atëherë kur Berisha fshihej pas nesh, dhe jo që s’ka guxuar t’u drejtohej protestave dhe popullit në këtë mënyrë, por dridhej nga ato protesta, ndonëse ishin kundër komunizmit. Pra, gjuha e forcës është gjuha e dështimit, ashtu siç do të dëshmojë nga vala e re e protestave nga dhjetori e tutje”, - u shpreh Gjinushi.

Veliaj: “Protestat tona nuk janë aspak të dhunshme”
Kreu i Partisë G99, Erion Veliaj, hodhi poshtë çdo akuzë dhe deklaratë të maxhorancës, sipas së cilës protestat e opozitës synojnë të jenë të dhunshme dhe të përmbysin pushtetin me forcë. Veliaj konfirmoi se protestat e opozitës do të vijojnë të jenë paqësore. Ai tha se opozita nuk nxit aspak përdorimin e dhunës. “Ka një kulturë që flet ditë e natë për dhunën, para dhe prapa fëmijëve, që në mënyrë grafike tregon se si duhet ushtruar dhuna mbi tjetrin. Ka qartazi një kulturë, e cila po mbjell idenë e dhunës dhe po i jep licencë për dhunë kujtdo militanti të verbuar. Prova e qartë për të gjitha nivelet e dhunës u dha në protestën e fundit, që ishte protesta më paqësore e organizuar në Shqipëri. U kërkojmë qytetarëve të tregohen të vetëpërmbajtur, sepse asnjëherë nuk jemi promotorë dhe as aplikues të dhunës në Shqipëri. Këto protesta do të mbahen si hera e parë, ku në mënyrë paqësore do të kërkohet e drejta dhe jo në mënyrë të dhunshme ashtu siç po provokohet dita-ditës”, - u shpreh Veliaj.

Gjermeni: “Deputetet e PD-së përdorin gjuhë të dhunshme si Berisha”

Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratave të deputeteve të Partisë Demokratike në Kuvend, në një seancë që i kushtohej luftës kundër dhunës ndaj grave. Deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni, akuzoi deputetet e PD-së se po përdorin një gjuhë të dhunshme që shpreh prapambetjen e tyre. “Ndoqa sot gratë kolege deputete që folën për dhunën ndaj grave duke përdorur ato vetë një fjalor të dhunshëm, madje edhe në prani të fëmijëve. E keqardhur si grua e si nënë duhet të them se kështu nuk e luftojmë, por e nxisim dhunën; nuk e rrisim, por e ulim figurën e gruas në shoqëri. Shpifjet dhe fyerjet për nxitjen e urrejtjes në shoqëri janë armë të vjetra të politikës, po s'mund të jenë instrumente të një shoqërie europiane për mbrojtjen e gruas nga dhuna. Përkundrazi, janë shembull i trishtueshëm i një prapambetjeje të thellë, të cilën uroj me gjithë zemër që gratë kolege në pushtet ta kuptojnë, jo ta përfaqësojnë”, - tha Gjermeni.

27 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›