E Diel, 1 Nëntor 2026

Lul Berisha përjashtohet nga salla e gjyqit pasi ofendoi prokurorin



Lul Berisha nuk ka ngurruar dje të përdorte shprehje ofenduese ndaj një prej prokurorëve të çështjes. Burime pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda pohuan se gjatë seancës së djeshme, Lul Berisha, pas ofendimit që i ka bërë prokurorit, është përjashtuar menjëherë nga salla duke ndikuar kështu që të ndërpritej edhe seanca gjyqësore. Të njëjtat burime saktësuan se edhe ditën e djeshme, i penduari Adriatik Coli ka vijuar duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve të Lul Berishës. Coli ka rikthyer edhe një herë faktet që Mulosmani furnizonte bandën me veshje të uniformave blu. Të njëjtin fakt Coli e bëri publik edhe gjatë seancës së kaluar. Ndërsa avokatët kanë ndërtuar pyetjet për të lehtësuar sadopak pozicionin e klientëve të tyre, i penduari ka fundosur edhe njëherë jo vetëm ata, por edhe emra të tjerë jo pak të njohur. Burime nga Gjykata e Krimeve të Rënda thanë se në dëshminë e radhës në seancën gjyqësore, Adriatik Coli, ish-pjesëtar i bandës së Lulzim Berishës, ka përmendur Jaho Mulosmanin si bashkëpunëtor të bandës që e kishte bazën në qytetin bregdetar. Mulosmani aktualisht është në burg përjetë, pasi është cilësuar si një nga fajtorët për vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari. Në rrëfimin e tij, Coli tregoi se Mulosmani, me detyrë ish-shef i rendit në Tropojë, ka furnizuar përmes familjarëve të tij, me rroba ushtrie dhe policie, anëtarët e bandës së Durrësit. Nga dëshmia mësohet se këto rroba i janë dorëzuar vetë Adriatik Colit. Dëshmitë e Colit janë konsideruar kyçe jo vetëm për të vërtetuar akuzat ndaj të pandehurve, por edhe pse gjatë rrëfimit kanë dalë emra personash që nuk janë pjesë e dosjes që ka sjellë për gjykim institucioni i akuzës. Kështu, pas dëshmive të dhëna kohët e fundit, Coli përmendi ish-kreun e PDK-së në Malësinë e Madhe, Aleksandër Keka, vrarë me minë në makinë pak para zgjedhjeve të 28 qershorit. Coli përmendi edhe Dritan Dajtin, aktualisht i arrestuar për vrasjen e 4 policëve, si personazh që tentoi të bashkëpunonte me ish-anëtarë të bandës, bashkëpunim që nuk u arrti pasi u prishën pazaret. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, banda e Durrësit konsiderohej si më e rrezikshmja pasi kreu disa vrasje dhe realizoi një trafik të gjerë droge, kryesisht mes Shqipërisë dhe Italisë. Shumica e anëtarëve aktualisht po gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda, proces i cili u desh dy vite për të hyrë në fazat e gjykimit normal.

27 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›