E Diel, 1 Nëntor 2026

Debat në Asamble, miratohen parimisht ndryshimet statutore të Partisë Socialiste



Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste u mblodh dje 10 ditë para mbledhjes së kongresit, për të diskutuar mbi ndryshimet e Statutit dhe programit të PS-së. Parimisht u miratuan të gjitha ndryshimet statutore, por votimi i tyre do të bëhet në Kongres më 18 prill. Për ndryshimet statutore kanë punuar prej 7 muajsh dy grupe pune. Pas mbledhjes me dyer të mbyllura, deputeti Blendi Klosi bëri të ditur se Asambleja mori vendim për të mbështetur protestat që do të zhvillohen në të gjithë vendin gjatë gjithë muajit prill, për të kundërshtuar këtë krizë ekonomike. Gjithashtu, Klosi tha se u mor vendimi për të organizuar gjithë strukturën e partisë për të mbështetur protestën e madhe që do të zhvillohet më 30 prill në Tiranë, duke i ftuar edhe njëherë të gjithë qytetarët shqiptarë të bëhen pjesë e kësaj proteste. Sipas Klosit, Asambleja e PS-së, në unanimitet i shikon këto ndryshime në strukturat e partisë si pjesë e punës së kësaj partie për të forcuar punën organizative dhe elektorale të PS-së, për të forcuar gjithë strukturën e partisë në funksionin e kësaj partie në shërbim të protestave të mëdha që po përgatiten sot në vend.
Mësohet se ka pasur debate të shumta mes kundërshtarëve të Ramës. Siç ka sqaruar edhe deputeti Klosi, PS-ja në Statut e ka pasur dhe e ka se është një parti elektorale dhe funksionale. Është një parti e cila mbi çdo gjë ka mbështetjen e interesave të qytetarëve, të të gjithë qytetarëve shqiptarë, pa dyshim dhe një strukturë elektorale, e cila ndihmon në realizimin e programit dhe të objektivave elektorale të njerëzve që e votojnë këtë parti.
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve në PS, Ylli Manjani, ka dhënë dorëheqjen. Ai është shprehur se Rama nuk e ka pyetur për ndryshimet, ndërkohë që po veron me Statutin. Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, Ben Blushi, është shprehur kundër këtyre ndryshimeve, pasi grupi i punës nuk ka marrë parasysh asnjë nga propozimet e paketës “Blushi”. Deputeti Blushi ka kërkuar që votimi i propozimeve statutore në kongres të bëhet me votim të fshehtë. Socialistët po punojnë edhe për programin e partisë. Kongresi i 18 prillit pritet të miratojë një program që mbron interesat e ish-të përndjekurve dhe ish-pronarëve. Në programin e ri pritet që Partia Socialiste të emërtohet “një parti e qendrës së majtë dhe liberale”.
Grupi i punës
Në një relacion rreth përmirësimeve e ndryshimeve në Statut, sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi, u ka sqaruar anëtarëve të Asamblesë se grupi i punës i kushtoi një vëmendje të veçantë studimit të përgjigjeve të formularëve të anketimit që u organizua me rreth 5 mijë anëtarë të asambleve socialiste të bashkive dhe komunave në të gjithë vendin. Ndër të tjera në relacion Klosi sqaron edhe rrëzimin e oponencës kolektive, propozimin e bërë nga ish-kandidati për kreun e PS-së, Maqo Lakrori, propozim që ndryshe u quajt si “legalizimi i fraksioneve”. Në një tjetër paragraf të këtij materiali thuhet se një bazë e rëndësishme e punës në grup ishte edhe studimi i propozimeve për përmirësime dhe ndryshime në Statutin e PS-së, të depozituara në Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS-së, të zhvilluar në muajin gusht të vitit 2009. Në këtë kongres, një paketë të plotë propozimesh paraqitën edhe pjesëtarët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe, por nga këto propozime duket se nuk është marrë parasysh asgjë në lidhje me funksionimin e organeve qendrore dhe veçanërisht kompetencave dhe rikandidimit të kreut të partisë, pasi partia humbet zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Statuti
Një nga pikat kryesore të draftit të ri, është ngritja në nivel rrethi i një strukture vendimmarrëse, siç është Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste në të cilën do të marrin pjesë kryetarët e bashkive dhe komunave, kryetarët e këshillave përfaqësues të kësaj partie, kryetarët e grupeve të këshilltarëve socialistë, koordinatorët e forumit të grave. Ndërkaq, kryetarët e bashkive dhe komunave nuk zgjidhen më sipas parimit “një anëtar, një votë”, por nga anëtarët socialistë të komunave dhe bashkive. Do të ngrihet një strukturë e re në nivel qarku, ku do të marrin pjesë deputetët e qarkut dhe kryetarët e partive në rrethe. Sipas draftit të ri, Sekretariati Qendror do të jetë në Kryesinë e Partisë Socialiste me të drejtë vote, por PS-ja do të ketë një sekretar partie për çdo zonë të administrimit të zgjedhjeve (ZAZ).

Statuti i ri
Ngritja në nivel rrethi i një strukture vendimmarrëse, si Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste në të cilën do të marrin pjesë kryetarët e bashkive dhe të komunave, kryetarët e këshillave përfaqësues të kësaj partie, kryetarët e grupeve të këshilltarëve socialistë, koordinatorët e forumit të grave, si dhe kryetarët e FRESSH-it dhe FGSH-së së rrethit.

Kryetarët e bashkive dhe komunave nuk zgjidhen më sipas parimit “një anëtar, një votë”, por nga anëtarët socialistë të komunave dhe bashkive.

Ngritja e një strukture të re në nivel qarku, ku do të marrin pjesë deputetët e qarkut dhe kryetarët e partive në rrethe.

Kryetari i PS-së në komunë dhe bashki ka mandat 4-vjeçar. Në rast se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme apo vendore është humbës ose më i ulët se në zgjedhjet paraardhëse, ai dorëhiqet automatikisht. Kur përbërja e asamblesë së komunës/bashkisë ripërtërihet, kryetari i partisë i nënshtrohet votëbesimit.

Vendoset kryetari i PS-së së rrethit, i cili zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e Asamblesë socialiste të rrethit. Kandidaturat për këtë post miratohen nga Kryesia e PSSH-së. Mandati kryetarit të PS-së së rrethit është 4-vjeçar. Ai është automatikisht dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare.

Përfaqësia i paraqet Kongresit për miratim listën me kandidaturat për anëtarë të Asamblesë Kombëtare dhe listën me kandidaturat për Komisionin e Garancive Statutore. Kongresi zgjedh me votim të fshehtë dhe kandidaturat alternative të Asamblesë Kombëtare dhe Komisionit të Garancive Statutore.

Asambleja Kombëtare e PS-së zgjedh Kryesinë e PSSH-së. Numri i anëtarëve të kryesisë miratohet nga Asambleja Kombëtare, me propozim të kryetarit të partisë. Kryetari paraqet listën e plotë me kandidaturat për anëtarë të Kryesisë.

Sekretariati Qendror do të jetë në Kryesinë e Partisë Socialiste me të drejtë vote, por PS-ja do të ketë një sekretar partie për çdo zonë të administrimit të zgjedhjeve (ZAZ).

Disa prej propozimeve të LMN-së:
1. Kryetari i partisë nuk duhet të rikandidojë në rast se humbet zgjedhjet.
2. Të rriten kompetencat e kongresit.
3. Kongresi i partisë analizon veprimtarinë e saj gjatë periudhës ndërmjet dy kongreseve dhe përcakton objektivat kryesore për të ardhmen.
4. Kongresi miraton programin dhe statutin e partisë dhe bën ndryshime e përmirësime në to.
5. Përfaqësia e kongresit administron kandidaturat për kryetar të PSSH-së, shoqëruar me kërkesat për kandidim dhe platformat për drejtimin e partisë të paraqitura prej tyre. Kandidatët për kryetar të PSSH-së duhet të kenë të paktën një mandat përfaqësimi politik si të zgjedhur në AK të PSSH-së.
6. Kandidatët për kryetar të PSSH-së paraqesin në kongres platformat e tyre.

8 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›