E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Nuk do ti ndalim protestat. Të bashkuar për të larguar këtë qeveri të dështuar”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në mbledhjen e Asamblesë së PS-së u bëri apel qytetarëve shqiptarë për të disatën herë që t’i bashkohen protestës së madhe të opozitës më 30 prill në kryeqytet. Ai theksoi se sot më shumë se kurrë duhet fituar beteja për grabitjen e votave që iu bë opozitës më 28 qershor të vitit 2009. Përveç manipulimit të procesit zgjedhor nga qeveria aktuale, Rama u ndal edhe te situata e rënduar ekonomike në vend.
Deklarata
Kreu socialist nënvizoi se Partia Socialiste i ka fituar zgjedhjet, por pushteti i kryeministrit Sali Berisha mori peng kutitë. “Më 28 qershor u grabitën votat. Pa çliruar zgjedhjet në këtë vend, nuk do të çlirojmë asnjëherë çdo padrejtësi. Sot, 8 muaj pasi PS-ja filloi aksionin e saj, ka dalë e qartë si drita e diellit se në kutitë e votimit është fshehur krimi elektoral. PS-ja i fitoi zgjedhjet më 28 qershor, por pushteti i mori peng kutitë”. Sipas Ramës, vlen që gjatë kërkimit të së drejtës së zbardhjes së krimit elektoral, PS-ja të bëhet njësh me popullin duke mbrojtur dhe padrejtësi të tjera që sot po vështirësojnë jetesën. “Çdo ditë e më shumë po rrënohet ekonomia në vend. Sot Shqipëria qeveriset duke humbur vendet e punës. Qeveria e Berishës nuk fundosi vetëm zgjedhjet duke i humbur Shqipërisë një shans të madh, por ajo fundosi dhe ekonominë shqiptare duke bërë humbjen e mijëra vendeve të punës. Barra e opozitës sot është bërë zëri i shpresës, e shëmbëlltyra e zërit të çdo shqiptari që lufton ndaj padrejtësive”, - theksoi Rama.
Zgjidhja e vetme sipas kryetarit socialist tashmë e bërë e ditur dhe më parë janë vetëm protestat. “Nuk do t’i ndalim protestat. Çdo ditë një protestë, që më 30 prill në bulevardin e madh të largojmë këtë qeveri të dështuar”. Sipas tij, kur fatet e vendit merren peng nga një pushtet që grabit votat, opozitës i lind detyrimi që të bëhet njësh me popullin. “Kjo është një betejë e vështirë përballë një kundërshtari që nuk ndihet i kufizuar nga ligjet”, - tha kryesocialisti. Sipas tij, me zgjedhje si në Ruzhdie nuk ka asnjë mundësi të ketë demokraci, drejtësi, ekonomi si në Europë. Kështu, ai theksoi se hapja e kutive të Ruzhdieve dhe garantimi i popullit shqiptar që ato që ndodhën më 28 qershor nuk do të përsëriten më kurrë, përbën një kusht themelor për të dalë jo vetëm nga kriza e demokracisë, por edhe nga kriza e ekonomisë. “Një qeveri që populli nuk e ndal dot me votë është një regjim që nuk ndalet dot përpara asgjëje. Është një forcë mbytëse për demokracinë, që nuk ndien kurrfarë përgjegjësie ndaj qytetarëve, as për ligjshmërinë, as për ekonominë e vendit, as për korrupsionin e kudondodhur, as për varfërimin e papunësimin e përditshëm të njerëzve, as për rritjen e papërballueshme të çmimeve, as për të ardhmen e fëmijëve”, - u shpreh Rama, duke shtuar: “Është një oborr familjarësh e klientësh që tjetërsojnë liri, të drejta, prona dhe pasuri, duke shkelur Kushtetutën, ligjin, lirinë dhe të drejtat e kujtdo që nuk është pjesë e këtij oborri. Cilido që jeton jashtë këtij oborri duhet ta kuptojë se s’ka asnjë rrugë tjetër veç protestës për të marrë në dorë fatet e tij, prandaj Partia Socialiste është këtu për t’i bashkuar të gjithë, për të refuzuar faturat e papërballueshme të kësaj qeverie që zhytet përditë në borxhe, duke kufizuar përditë liritë dhe të drejtat dhe rritur çdo ditë çmimin e jetesës për çdo familje”.
Apeli
Kreu i PS-së u ka bërë thirrje të gjithë bujqve, fermerëve e peshkatarëve, ushtarakëve të liruar, minatorëve në aktivitet a në pension, komuniteteve të prekura nga padrejtësitë mbi pronat, shoqatave e organizmave të shoqërisë civile që t’u bashkohen protestave sot më shumë se kurrë. Sipas tij, të gjithë ata që nuk gjejnë shteg në xhunglën ku shkelen të drejtat dhe liritë kushtetuese për këdo që nuk është pjesë e familjes në pushtet, të rimarrin në dorë fatin e tyre si njerëz që në mes të Europës nuk mund të vidhen, as në lirinë e tyre për të zgjedhur dhe as në të drejtat e tyre për të jetuar si të barabartë para ligjit. “Është edhe më shumë se dje dita që t’i japim me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin jetë një proteste pa ndalim, për të mbyllur një kapitull të shëmtuar padrejtësisht, të cilat rrënjët i kanë te deformimi i vullnetit të njerëzve në kutinë e votimit”, - u shpreh Rama.

Protesta
Alternativa e vetme e Partisë Socialiste sot është protesta që pas debatit të ashpër në Parlament për ngritjen e komisionit hetimor përmes hapjes së kutive. Protestat e opozitës kanë për qëllim të largojnë këtë qeveri në rast se do të vazhdojë të bëhet pengesë për transparencën e zgjedhjeve. Protestat e Partisë Socialiste nuk shoqërohen si zakonisht me sloganet për hapjen e kutive, apo me fjalimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Ndryshe nga nëntori i vitit të kaluar, çdo protestë është ndryshe, në bazë të problemeve apo konfliktit që një shtresë e qytetarëve ka me qeverinë. Zyrtarët socialistë në të gjithë Shqipërinë kanë për detyrë të nxisin dhe më pas të mbështesin qytetarët, të cilët do të protestojnë. Megjithatë, forma e re e protestës ndaj qeverisë “Berisha” nuk do të lërë në hije hapjen e kutive dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Burime në selinë rozë bëjnë të ditur se qëndrimi përpara Kryeministrisë do të zgjasë për disa ditë, duke nisur nga e premtja e 30 prillit.

Mitingjet përplasen në të njëjtën orë në Çorovodë dhe në Berat

Përplasje për orën e mitingut të Partinë Socialiste të qarkut të Beratit. Ndërsa ishte lajmëruar se Partia Socialiste kishte miting në Çorovodë në orën 11:00, ndërkohë burime kanë bërë të ditur se në po të njëjtën orë është lajmëruar miting edhe në qytetin e Beratit. Në fakt, debati ka nisur ditë më parë, kur deputeti i këtij qarku, Erion Braçe, në një televizion lokal ka akuzuar kryetarin e qarkut, Pelivan Shati, i cili njihet si një nga miqtë më të afërt të Fidel Yllit. Shati është akuzuar nga Braçe lidhur me mungesën e impenjimeve në punë.

Haxhinasto: “Për dëmet në Shkodër, dy fonde të papërdorura prej 2 vjetësh”

Zëvendësministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Edmond Haxhinasto, ka reaguar dje ndaj deklaratës së deputetit Erion Braçe dhe të disa kryetarëve të bashkive për transferimin e fondeve të Bankës Botërore. Ai i ka konsideruar manipulime politike deklaratat për kalimin e fondeve të Bankës Botërore për zhvillimin urban në fondin e emergjencës për qytetarët e Shkodrës. Sipas Haxhinastos, po negociohet për disa fondeve që nuk janë përdorur prej 2 vjet e gjysmë nga disa bashki dhe që kanë qenë të destinuara për planet urbanistike në veprat për riparimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet. Dy ditë më parë akuza për transferimin e fondeve të BB-së në bashkinë e Shkodrës ka ardhur nga deputeti Erion Braçe. Sipas tij, kryeministri Sali Berisha lë pa investime Beratin për arsye se qytetarët e Beratit prej 20 vitesh nuk e kanë votuar atë.

8 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›