Ministri i Punëve Publike prezanton Kryeinspektorin e ri të INUK, Gjergj Bojaxhi
Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, prezantoi sot Kryeinspektorin të ri të Inspektoriatit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar, Gjergj Bojaxhi. “Ky është një emërim që përkon në kohë me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të ligjit (Nr. 10240, datë 25.02.2010 ) që kemi bërë “ Për Inspektoriatin e Ndërtimit” dhe besoj që do të jenë dy momente shumë të rëndësishme për t’i dhënë një tjetër dimension punës së Inspektoratit”, u shpreh Olldashi. Ai tha se kanë pasur dhe kanë një problem vazhdimisht shqetësues me situatën e ndërtimeve të paligjshme në territorë dhe mbi kontrollin mbi territorin. Ministri i Punëve Publike shprehu bindjen se me këto dy element të rinj, me Kryeinspektorin e ri dhe me ndryshimet në ligjin, inspektorati do di ti’ përgjigjet shumë më mirë nevojës që ka për të kontrolluar dhe për të ushtruar detyrimet e veta ligjore mbi territorin. Ndërsa gjatë fjalës së tij, Bojaxhi falënderoi kryeministrin Berisha dhe ministrin Olldashi për besimin e dhënë. Ai tha se e shikon fenomenin e ndërtimeve pa leje si një kancer që vazhdon të deformojë hapësirat urbane në qytetet dhe fshatrat tona, si një evazion fiskal i cili është i dukshëm dhe që rëndon drejtpërdrejtë në arkat e pushtetit lokal. “Inspektoriati do të ketë zona prioritare si akset rrugore, akset energjitike, parqet kombëtare, kurora e gjelbër e kryeqytetit të vendit si dhe zonën e bregdetit, peizazhi i të cilës është një pasuri kombëtare dhe ne në mënyrë sistematike do ta pastrojmë nga ndërtimet pa leje”, u shpreh Bojaxhi.