E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti vjetor, përplasje mes Avokatit të Popullit dhe maxhorancës



Laureta Rryçi

Pas një situate jo fort të qetë shënohet përplasja e parë mes institucionit të Avokatit të Popullit dhe maxhorancës. Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar nëpërmjet një deklarate zyrtare duke hedhur akuza se po cenohet pavarësia që i jep Kushtetuta. “Më 31 mars 2010, Avokati i Popullit në detyrë, z. Riza Poda, raportoi para Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë për veprimtarinë e institucionit të Avokatit të Popullit gjatë vitit 2009. Anëtarët e shumicës parlamentare në këtë komision bënë pyetjet e rastit dhe diskutuan rreth problematikës së paraqitur. Sa më lart, nga anëtarë të veçantë të Komisionit u shtruan pyetje lidhur me respektimin e parimit të paanshmërisë në punën e institucionit. Pas diskutimeve, ku çuditërisht u përfshinë çështje konkrete për të cilat Gjykata Kushtetuese ka shprehur juridiksionin prej kohësh, nga deputetë të veçantë u insistua që në projekt-rezolutë të vihet fraza se ‘Avokati i Popullit ka trajtuar çështje në mënyrë preferenciale’, si dhe një frazë tjetër ku shprehet kritika për ‘trajtim politik të çështjeve nga ana e AP-së’. Sqarojmë se në këtë mënyrë, pas 10 vjetësh, për herë të parë, anëtarë të caktuar të këtij komisioni shprehin akuza të tilla ndaj AP-së, të cilat kanë për qëllim të sulmojnë pavarësinë e këtij institucioni”, - thuhet në deklaratën nga zëdhënësi i Avokatit të Popullit.
Deklarata
Në deklaratë thuhet se Avokati i Popullit ka iniciuar çështje pranë Gjykatës Kushtetuese sa herë e ka çmuar të nevojshme, qoftë me nismën e vet, qoftë me kërkesë të subjekteve që i janë drejtuar atij, qofshin këta persona juridikë apo fizikë. Lidhur me çështjen e kritikuar nga anëtarët e komisionit, e që ka të bëjë me shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, nëpërmjet deklaratës sqarohet se ende nuk është shprehur Gjykata Kushtetuese, e cila e ka në shqyrtim çështjen në fjalë dhe vendimin e së cilës nga ky institucion po pritet pa asnjë lloj paragjykimi. “Duke i qëndruar besnik respektimit të parimit të paanshmërisë në punën e AP-së, sqarojmë se, pavarësisht subjektit që sjell në vëmendjen apo fokusin e veprimtarisë së tij, çështjen konkrete, gjithmonë AP ka vlerësuar çështjen në vetvete, aq më tepër kur ajo nxjerr në dritë elemente të papajtueshmërisë së akteve normative në fuqi me Kushtetutën. Gjithashtu, për herë të parë vihet në dyshim transparenca e institucionit, duke e argumentuar këtë me volumin dhe formatin e raportit, që do të thotë për faktin e vetëm që ne nuk duam ta besojmë, se deputetët, me sa duket, përtojnë të lexojnë raportin voluminoz të AP-së dhe, çka është e papranueshme, përpiqen të imponojnë një strukturë tjetër, kur tashmë ajo është vendosur prej 10 vjetësh, sipas strukturës së raportit të Ombudsmanit danez, roli i të cilit në ngritjen dhe zhvillimin e këtij institucioni është thelbësor”, - thuhet në deklaratë.
Përplasja
“Tendenca e mësipërme dhe qëndrimi pasiv i pjesës tjetër të Komisionit, në kushtet edhe të mungesës së opozitës, e vendos raportin e AP-së para një gjykimi të njëanshëm që synon të zhvlerësojë punën dhe imazhin 10-vjeçar të këtij institucioni. U bënë vërejtje edhe për promovimin e mëtejshëm të institucionit dhe punës së tij, ndërkohë që u tha se mungesa e këtij informimi ka çuar në rritjen e numrit të çështjeve jashtë juridiksionit. Faktikisht është e kundërta: është pikërisht puna intensive e AP-së për informimin e publikut ajo që ka çuar në një rritje më të madhe të besimit të publikut, i cili i drejtohet institucionit edhe për çështje që nuk i takojnë atij dhe që natyrisht dalin jashtë juridiksionit”, - shkruhet në deklaratë. Për këtë akuzë shpjegohet se edhe për këto çështje, realisht bëhet një punë e madhe, duke u ofruar ankuesve një konsulencë ligjore ezauruese dhe në raste të veçanta, edhe ndërhyhet në mënyrë që ankesat të mos ngelen pa përgjigje apo pa zgjidhje. “Gjykojmë se dyshimet e hedhura për paanshmërinë në një çështje, e cila prej kohësh është bërë publike, nuk mund të justifikojnë çfarëdolloj anshmërie të shprehur në qëndrime individuale të anëtarëve të veçantë të Komisionit të Ligjeve. Duke mirëpritur të gjitha vërejtjet që realisht ndihmojnë mirëfunksionimin e institucionit, sikurse në këto 10 vjet, paanshmëria, profesionalizmi, konfidencialiteti e pavarësia do të mbeten bazat e funksionimit të institucionit të Avokatit të Populit”, - përfundon deklarata e Avokatit të Popullit.

8 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›