Aldo Bare kërcënon dëshmitarin e akuzës
Aldo Bare ka kërcënuar drejtpërdrejt një dëshmitar, teksa zhvillohej gjyqi i Bandës së Lushnjës. I kërcënuari është Fatos Bilbili, vëllai i Luan Bilbilit, që u vra më 18 gusht të vitit 1998. Teksa ai ka qenë duke dëshmuar, Aldo Bare ka bërtitur nga kafazi me hekura, duke e kanosur drejtpërdrejt. Më tej, procesi gjyqësor në ngarkim të kreut të Bandës së Lushnjës ka vazhduar me debate mes palëve dhe dëshmitarëve. Gjashtë dëshmitarë kanë dhënë shpjegimet e tyre para trupit gjykues të kryesuar nga Fatmira Hajdari. Dëshmitarët kanë treguar momente nga krimet e ndryshme për të cilat akuzohet i pandehuri. Vetë Bare ka reaguar disa herë edhe ndaj dëshmitarëve të tjerë. Në përfundim, gjykata e ka paralajmëruar se nuk do ta lejonte të hynte më në seancë nëse e përsëriste sërish. Një nga dëshmitarët ishte pikërisht Fatos Bilbili, vëllai i Luan Bilbilit, i cili ka treguar para gjykatës sesi e mori vesh ngjarjen, si dhe për faktin që nuk ishte ende në dijeni për autorët e krimit. “Në saj të thënieve të gruas së vëllait, disa persona kishin ardhur në shtëpinë e Luanit në orën gjashtë të mëngjesit. Më vonë më njoftoi policia që të shkoja se kishin vrarë Luanin dhe ndodhej në spital. E pashë të vdekur në morg. Ka qenë Arben Boriçi, Ilir Stërku, Enver Dondollaku dhe Leonard Prifti që shkuan në shtëpinë e vëllait”, ka treguar Bilbili. Sipas dëshmitarit, Luani para se të vritej ka qenë në burg dhe ka dalë rreth një javë para se të ndodhte ngjarja. Bilbili bëri me dije se Lindita Nushi është punonjësja e policisë, e cila shoqëroi vëllain e tij pas daljes nga burgu për në shtëpi. “Luani më tregoi se Lindita i kishte thënë që do vinin disa shokë të saj dhe ai duhej të sqarohej me ta. Këta shokë ishin ata që shkuan dhe e morën në shtëpi në mëngjes. I thashë që nëse ka shqetësime, shko dhe sqarohu”, i ka bërë me dije gjykatës Bilbili. Sipas dëshmitarit, në orën shtatë të mëngjesit e kishte marrë në telefon gruaja e vëllait, e cila i kishte thënë se e kishin marrë disa persona. Më vonë, nga ora 11.00 e paradites, e kishte marrë në telefon policia dhe i kishte thënë që të shkonte në spital. Dëshmitari shpjegoi se e kishte gjetur Luanin në morgun e spitalit të vdekur dhe asnjë nuk e ndihmoi. Sipas tij, ai ishte i vrarë dhe kishte shenja arme në trup. Dëshmitari ka shpjeguar se i vëllai i tij ishte futur në burg pasi kishte qëlluar me pistoletë një mace dhe ndenji 2 javë. Pas deklaratës së dhënë nga ana e dëshmitarit Fatos Bilbili ka reaguar i pandehuri Aldo Bare. “Ti je fëlliqësirë, tregoji gjykatës që ke çuar motrën të punonte në bordello. Do të t’i shkul ato mustaqe more vesh. K.... m...”, u shpreh Bare. Pas reagimit të tij gjykata e ka paralajmëruar të pandehurin se nëse do të kërcënojë sërish dëshmitarët nuk do të lejohet që të marrë pjesë në seancat gjyqësore. Ndërkaq, ditën e djeshme ka dëshmuar edhe vëllai tjetër i Luanit, Flamur Bilbili, i cili ka deklaruar pothuajse të njëjtat thënie si vëllai tjetër. Ndërsa dëshmitari tjetër, Azem Arapi, ka treguar si e kishin dhunuar Arben Boriçin dhe Ilir Stërgun, duke e futur në një bagazh makine. Dëshmitari tjetër, Qemal Haliti ka treguar se Boriçi dhe Enver Dondollaku e kishin kërcënuar me jetën e djalit, pasi i kërkonin të dinin se ku ishte Artur Daja. Haliti kishte lidhje miqësore me Tur Dajën, por disa herë ishte shprehur se nuk e dinte ku ishte, derisa kishte parë të akuzuarit me kokën e tij në dorë. Ndërkohë, Petrit çela ka deklaruar se Luan Bilbili është vrarë pranë një blinde të bardhë, i cili njihet si mjeti i komisariatit që rrinin djemtë e Aldo Bares. Edhe dëshmitarët e tjerë kanë treguar versionet e tyre, duke mbyllur edhe seancën e djeshme për Bandën e Lushnjës.
#