Pastroi para në Belgjikë, arrestohet në Rinas biznesmeni italian
Një biznesmen italian është arrestuar në Rinas se kërkohet në Belgjikë për pastrim të parave dhe për ndihmë ndaj organizatave kriminale. Policia tha zyrtarisht se gjatë kontrollit në Aeroportin e Rinasit është kryer arrestimi i shtetasit italian, Italo Gigante, 57 vjeç, banues në Ruoti të Italisë. Nga verifikimi i kryer në sistemin e kërkimit të Interpolit, ASF, ky shtetas ka rezultuar i kërkuar në nivel ndërkombëtar nga Interpol-Brukseli në Belgjikë. Ndaj këtij personi është lëshuar urdhri i arrestit që më 31 korrik 2007, nga Gjykata e Brukselit, për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv dhe aktiv, falsifikim dhe përdorim dokumentesh të vjedhura dhe pastrim të fondeve kriminale”. Në Itali ai kishte kandiduar edhe për kryetar ose këshilltar i bashkisë së qytetit të tij, duke ardhur nga jeta civile, pasi mbahej si një biznesmen i rëndësishëm në industri, eksport e import dhe në shërbimet për kreditë. Madje, nga kjo e fundit mendohet se ka realizuar edhe pastrimin e fondeve kriminale. Ai ka kandiduar për një post të tillë në zgjedhjet e vitit 2007. Arrestimi i tij iu la për procedurë Interpol Tiranës, që do të kryejë veprimet e duhura për ekstradimin e tij. Po dje, nga Interpol Tirana u arrestua Ferit Siridolli, 46 vjeç, nga Kosova, pasi kërkohet nga Gjermania për përdhunim dhe për pengmarrje. Ai kërkohej nga Interpoli gjerman që në vitin 2002, ndërkohë që u kap në pikën e kalimit kufitar të Morinës, pasi nga verifikimi i kryer në këtë sistem, ky shtetas rezultonte person në kërkim ndërkombëtar.
#