E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi me pagesë, pritet ekspertiza e armëve

Pogradec Myrderi Verdha mbahet në burg

Tre pistoleta TT dhe një kallashnikov janë dërguar drejt laboratorit shkencor të kryeqytetit për ekspertizë pas arrestimit të 45-vjeçarit Myrderi Verdha nga Leshnica e Pogradecit. Burimet policore kanë bërë të ditur se armët që janë gjetur në banesën e 45-vjeçarit me precedentë penalë dyshohet se janë përdorur në krime që kanë ndodhur në harkun kohor të 5 viteve të fundit. Policia ka thënë se bëhet fjalë kryesisht për vrasje ku do të krahasohen armët me gëzhoja të gjetura në vendngjarjet e disa vrasjeje në të cilat dyshohet se ato janë përdorur. Në pritje të ekspertizës laboratorike për të bërë edhe krahasimin me elementë të provës të gjetura në vendet ku kanë ndodhur disa krime brenda Rrethit të Pogradecit, 45-vjeçari po mbahet në arrest për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe kundërshtimit me armë të forcave të rendit. Myrderi Verdha u arrestua tri ditë më parë dhe në banesën e tij u gjet një sasi e konsiderueshme armësh dhe municionesh. I dyshuar dhe i dënuar më parë për implikim në një vrasje, Verdha dyshohet të jetë autor i disa vrasjeve të tjera të ndodhura në zonë dhe hetuesit besojnë se ai është një vrasës me pagesë. Por për të vërtetuar krimet duhet të sigurohen prova shkencore, që varen nga ekspertiza balistike e armëve që iu kapën 45-vjeçarit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›