E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi për vrasjen e dyfishtë kapërcen kufijtë e fshatit Pojan

Korçë Policia merr në pyetje banorë të fshatrave të tjerë të zonës

Forca të shumta policore vazhdojnë të jenë prezente në fshatin Pojan, aty ku tri ditë më parë dy persona mbetën të vdekur pasi u qëlluan me armë zjarri. Tri ditë kërkime intensive nga ana e policisë kanë çuar në hetimin përtej fshatit të autorësisë së mundshme të krimit. Në pyetje janë marrë persona jo vetëm nga fshati ku ka ndodhur vrasja e dyfishtë, por edhe banorë të tjerë nga gjashtë fshatrat e komunës, me të cilët shënjestra e atentatit të së dielës, Altin Liçolli, ka pasur kontakte por edhe konflikte të mëparshme. Hetimet e policisë së Korçës janë shtrirë mbi një numër të madh personash. Ndërkohë, burime zyrtare të policisë së Korçës kanë bërë të ditur se për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, viktima tjetër e atentatit, Arben Mica, nuk ka mundur të tregojë identitetin e autorit, por ka konfirmuar me kokë gjatë marrjes në pyetje se ai e ka parë personin që ka kryer krimin. Por Mica vdiq vetëm pak orë pas atentatit, duke marrë me vete edhe misterin e këtij krimi.

Policia që është vendosur në fshat që prej natës së të dielës e ka pasur tepër të vështirë për të arritur në gjurmët e personit që ka kryer krimin, megjithatë ai pohim me kokë i Micës në grahmat e fundit para vdekjes i ka bindur hetuesit se autori i krimit nuk ka ardhur nga larg, por ishte i njohur prej dy viktimave. Ndërkohë, përveç shoqërimit të dhjetëra personave, policia vazhdon të mbajë ngritur postblloqe në zonë dhe ushtron herë pas here kontrolle në mjetet që kalojnë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›