E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllai i vogël pret gjithë ditën anës rrugës

Familja Prindërit dhe gjyshërit tregojnë vuajtjet pas zhdukjes pa nam e nishan të vajzës

Në familjen Mata, që të gjithë e përjetojnë thellësisht humbjen e Bleonës dhe herë pas here, siç tregon gjyshi i Bleonës, Zeneli, njerëzit gjejnë një kënd për të dënesur dhe për të shkarkuar lotët dhe lëmshin e hidhërimit. Por nga të gjithë duke se “roja” më besnik i rrugës është Armendi 4 vjeç, vëllai i vogël i Bleonës. Atë e gjejmë ulur në pluhur te dera e oborrit, duke thirrur, “oj Bleonë, oj pise, pse nuk vjen, ku je”? Sepse Armendi e ka pasur Bleonën edhe si model të rritjes, ka mësuar të ecë në krahët e brishtë të saj dhe tani i mungon. Ai qan me të madhe, grindet dhe përplaset për tokë nga hidhërimi, sepse i duket se për inat të atij Bleona nuk vjen. “Me djalin e vogël e kemi shumë keq punën, thotë gjyshi. Ky nuk pajtohet me asgjë, qan gjithë ditën te dera e oborrit duke thirrur Bleonën, qan natën në gjumë. Ky na e këputi shpirtin”. Nëna e tij, Bukuria, tregon se Armendi kohët e fundit është bërë shumë nervoz e ia ka shtuar asaj dhimbjen që ka për humbjen e vajzës.
Edhe gjyshja Saime vuan në mënyrën e vet mungesën e Bleonës. Ajo mundohet të mos e japë veten, por burri i saj Zeneli tregon për të: “Qan në orët e natës, sepse nuk e merr gjumi. Disa herë më ka dalë gjumi nga dënesjet e Saides”. Ndërsa Saidja pohon edhe këtë gjendje: “Nuk ka rehat në shtëpinë tonë, bukë e lot hamë çdo ditë”, thotë ajo.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›