E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkimi i Bleonës, me hoxhallarë e falltarë

Familjarët janë shpërndarë në vende të shenjta e në njerëz që besohet se kanë dhunti

Në këto ditë të nxehta dhe me pluhur, rruga për Zapod të bëhet edhe më e vështirë nga sa mund të ishte në një ditë tjetër, të paktën para se atje të humbte Bleona 6 vjeçe, ngjarje e cila u bë shumë mediatike dhe mban pezull familjet e kësaj zone dhe më gjerë, por mbi të gjitha familjen Mata.

Fshati

Kur hyn në bisedë me njerëzit e paktë që takon gjatë rrugës, duket se që të gjithë kanë humbur diçka, dhe në të vërtetë argumenti më i dhimbshëm që i mban të lidhur njerëzit që prej dy muajsh është Bleona. Kush e mori, ku e mbajnë, çfarë po bëjnë me të, kur do të gjendet dhe pyetje të tjera si këto bëhen rëndom. Dhe gati të gjithë flasin me shqetësim si të kishte ndodhur dje dhe jo para dy muajsh. Një roje i kantierit të një hidrocentrali që po ndërtohet në lumë, ku kalon edhe rruga e Zapodit, pyet me shumë kureshtje për ndonjë lajm për Bleonën. “Po të pyes, sepse ju që vini nga Kukësi, e dini ndoshta ndonjë gjë”, u përpoq të justifikonte pyetjen punëtori 50-vjeçar nga fshati Bele, një fqinj me Zapodin. Ai tregoi se, qëkur ka humbur Bleona, çdo makinë që vjen nga Kukësi e shoqëron me sy deri në largësi, sikur të kishte lajmin brenda. “Nuk e merr me mend se sa plasje më vjen kur mendoj se ai që ka grabitur Bleonën mund të ketë kaluar këtej me makinë”, tha mendueshëm punëtori. Në zërin e tij dallohej një mllef i brendshëm, a thua se keqbërësit e kishin gjetur në gjumë dhe kishin mundur të ikin me vajzën e grabitur.

Dhe po ashtu edhe në fshat, dhjetëra persona, kryesisht fëmijë, shohin me kuriozitet çdo mysafir që shkel aty se mos sjell ndonjë lajm. Sepse ai që shkel në një fshat të vogël, ku nuk ka më shumë se dyqind a treqind banorë, edhe pse një qendër komune, e ka një punë, arsyetojnë banorët, siç mësova më vonë prej tyre.

Banorët e Zapodit ishin mësuar një muaj rresht të kishin në mesin e tyre qindra forca policie dhe më pas edhe prokurorë të Krimeve të Rënda. “Ato ditë ishin me të vërtetë shpresëdhënëse, por tani në fshat ka rënë qetësia dhe askush nuk sjell asnjë lajm”, thotë një burrë i vjetër i fisit Mata, Shazimani.
“Ato ditë që vinin policia në kërkim, por edhe më vonë prokurorët nga Tirana, kishte shpresa se Bleona mund të gjendej, sepse çdo ditë merrnin dikë në pyetje, e dërgonin në Tiranë dhe e sillnin prapë, mirëpo tani nuk vjen askush”, thotë një banor tjetër i Zapodit në kafenenë e vogël të fshatit. Pronari i kafenesë, Azgani 27 vjeç, tregon se javët e fundit edhe lokali i tij, që është njëkohësisht edhe dyqan ushqimor, frekuentohet shumë rrallë, gjithë-gjithë nja 20 persona në ditë pinë kafe aty dhe jo më shumë. Qëndrojnë për orë të tëra duke biseduar dhe duke bërë pyetje, kush e grabiti Bleonën... Sepse, siç tha Azgani, lokali tij ishte edhe “agjencia” e vetme e lajmeve.

Kërkimi virtual

Pas heqjes dorë nga kërkimi i hapur për Bleonën nga ana e policisë dhe prokurorisë, njerëzit e familjes kanë nisur një tjetër kërkim. Po bëjmë një kërkim “virtual”, tha një familjar, dhe nuk e kishte fjalën për internetin, që ne e njohim si bota virtuale, por për kërkimin me hoxhë, me shesh, me teqe, me kisha, me fall e me çdo profeci tjetër. “Po, po, kemi shkuar në shumë vende të shenjta e kemi shkruar për Bleonën, kemi shkuar në hoxhallarë e te njerëz që kanë cilësi parashikuese. Na kanë thënë se është gjallë, por ende nuk ka ndonjë rezultat konkret”, tha Zeneli.

Në zonat e Kukësit shumë njerëz ende besojnë, apo kanë nevojë të besojnë diku, “thjesht për të varur shpresën diku”, siç thonë veta ata, në rastet kur përpjekjet njerëzore dështojnë. Duke përshkruar rezultatet e kërkimit me hoxhë, Zeneli thotë se parashikues të ndryshëm kanë dhënë përgjigje të ndryshme, por të gjithë bashkohen në parashikimin se Bleona është gjallë. Madje një falltar nga Hasi i ka thënë familjes se “Bleona do të vijë, ose pas tri ditësh nga koha e fallit, ose pas tre muajsh, por do të vijë”, ka thënë falltari. Njerëzit e familjes janë angazhuar totalisht në kërkimin “virtual” me metoda metafizike, saqë dy-tre njerëz të familjes vazhdimisht ndodhen në udhëtim. “Na kanë thënë se edhe në Prizren është një hoxhë i fortë dhe do të shkojmë të shkruajmë edhe atje”, tha një kushëri i familjes Mata.

Ky mbiemër përbën gati të gjithë fshatin. Pjesa tjetër janë nga fisi Shllaku, që ka vetëm pak familje, pasi shumica e banorëve nga të dyja fiset janë shpërngulur prej aty. Matat duken totalisht të angazhuar në gjetjen e vajzës së vogël, sa edhe tani në fushatën e hajmalive çdonjëri prej tyre mbledh informacion se te cili hoxhë i fortë nevojitet të shkohet, apo te cili vend i shenjtë.

Vajzat

Nga ana tjetër, vajzat e familjes dhe të fisit Mata, që atë ditë e kishin me vete në mal Bleonën, vazhdojnë punët e përditshme. Ato ndodheshin në mal dhe sipas disa njerëzve të shtëpisë, ato janë “lodhur” me pyetje të hetuesisë dhe as kanë dëshirë të flasin, aq më tepër kur në rrjetin social “Facebook” ka pasur informacione denigruese për to, kryesisht për hallën e Bleonës.
Sidoqoftë, njerëzit në Zapod, pas zhgënjimit tek institucionet, tani besojnë në një tjetër mundësi “zbulimi”, te bota e magjisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›