Aldo Bare me supermasa në burg, gjykata shtyn procesin në 2010
TIRANE - Siguria e lartë në të cilën mbahet Aldo Bare në paraburgimin 313 në Tiranë, ka penguar të akuzuarin si kreu i "bandës së Lushnjës" të njihet me dosjen në ngarkim të tij te Krimet e Rënda. Lajmi u bë i ditur nga mbrojtësi ligjor i Bares në proces, avokati Vladimir Meçe. Avokati tha dje para gjykatës se e kishte pasur të pamundur të takonte klientin e tij për ta njohur me dosjen, për shkak të masave të sigurisë në të cilat ai ndodhet. Kërkesa u pranua edhe nga përfaqësuesit e akuzës dhe në vijim edhe nga trupi gjykues, i cili caktoi datën 13 janar të vitit të ardhshëm si seancë të radhës. Vetë i pandehuri Bare nuk ishte i pranishëm në seancë. Në një seancë që zgjati vetëm pak minuta, avokati mbrojtës i Bares kërkoi dje shtyrje të seancës, pasi nuk kishte mundur të kontaktonte klientin e tij. "Për shkak të kushteve të sigurisë të klientit tim, nuk kam kontaktuar me të. E kam pasur të pamundur të konsultoheshim për të gjitha aktet. Kërkoj shtyrje të seancës në një datë të re", u shpreh avokati përpara gjykatës. Kërkesa e palës mbrojtëse u pranua dje nga përfaqësuesit e akuzës në sallë si e drejtë. Referuar volumit të madh të dosjes së prokurorisë për Aldo Baren, përfaqësuesit e akuzës i kërkuan gjykatës miratimin e kërkesës së mbrojtësit. E këshilluar në vend, gjykata pranoi kërkesën dhe pasi pezulloi afatet e paraburgimit për të pandehurin Bare, shtyu seancën.Aldo Bare u ekstradua nga Turqia, vend ku mbahej që prej arrestimit të tij në nëntor të vitit 2006, më 25 nëntor të këtij viti. Disa ditë më parë, Gjykata për Krimet e Rënda rrëzoi kërkesën e tij, për lirim nga qelia për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit. Sipas vendimit të gjykatës, numërimi i afatit të paraburgimit për të fillon në momentin që ai u ekstradua në Shqipëri. Gjykimi i tij te Krimet e Rënda bëhet nga një pesëshe gjyqtarësh të Gjykatës së Tiranës, të deleguar në këtë gjykim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Aldo Bare, i njohur edhe si Alfred Shkurti cilësohet nga Prokuroria si "truri" i "bandës së Lushnjës". Sipas organit të akuzës, mbi të rëndon autorësia e një numri të madh veprash penale të ndodhura në periudhën 1997-2000, përfshi "vrasjen me paramendim" dhe "vrasje në rrethana cilësuese". ar.ba