E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miku i Aldo Bares njihet me dënimin në gjykatë

 TIRANE - Gjykata e Tiranës e vlerësoi të rregullt arrestimin e Edmond Begos, ish-presidentit të klubit të futbollit të Lushnjës, në bazë të një dënimi me burg nga drejtësia italiane, dhënë në mungesë ndaj tij. I arrestuar rreth një javë më parë, Edmond Bego u paraqit dje para Gjykatës së Tiranës për njohjen me dënimin e dhënë në vendin fqinj. Vendimi i drejtësisë italiane, që e ka dënuar në mungesë Begën me 13 vjet heqje lirie, për akuzën e "trafikut të narkotikëve", është njohur nga Gjykata e Tiranës. Burime pranë seancës bënë të ditur se Bego nuk shfaqi ndonjë pretendim para palëve në gjyq. Ndërsa bëhet e ditur se mbrojtësi i Begës ka kërkuar që klienti i tij të mos mbahet në burgun 313, për shkak të përplasjeve që mund të ketë me të pandehurit e tjerë të "bandës së Lushnjës" që qëndrojnë në këtë institucion. Ish-presidenti i klubit të futbollit të Lushnjës në vitet 2002-2004, që sipas drejtësisë italianë ishte personi që drejtonte një grup kriminal të shpërndarjes së narkotikëve në Itali, u arrestua më 24 dhjetor në Tiranë. Në vitin 2007, Gjykata e Torinos në Itali ka dhënë vendimin duke e dënuar atë në mungesë me burg për veprën penale të "trafikut të narkotikëve". Pas këtij vendimi, i dyshuari i është fshehur drejtësisë duke qëndruar në Tiranë dhe Lushnje, duke përdorur emrat e rremë Manol Bego, Saimir Sina dhe Belul Gjahtari. Sipas drejtësisë së vendit fqinj, ai ishte personi që priste në Itali lëndën narkotike të nisur nga Aldo Bare nga Shqipëria.                             ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›