Kievo blindon Bogdanin: Do qëndrojë tek ne
Kievo blindon Bogdanin. Drejtori sportiv i klubit italian të Serisë A, Xhovani Sartori, hodhi poshtë zërat e merkatos që e shihnin të larguar sulmuesin shqiptar. Sulmuesi 32-vjeçar ishte i lidhur me emrat e shumë klubeve italiane, midis të cilave Bari dhe Katania (si dhe disa klube të huaja). Drejtori Sartori: “Bogdani është një sulmues me vlera dhe ne e vlerësojmë shumë. Sot, - pranoi drejtuesi verdheblu për mikrofonat e Itasportpress.it, - lexova dhe dëgjova për një lamtumirë të shqiptarit nga Kievo, një hipotezë false, pasi mund të konfirmoj se lojtari do të qëndrojë me ne dhe nuk do të shkojë as te Katania dhe as te shoqëri të tjera të Serisë A”. Sulmuesit i përfundon kontratë në qershor të 2010-ës por mendohet se ai do të ketë një ofertë rinovimi para këtij muaji nga drejtuesit e Kievos.