Një rrugë dytësore prish guroren 2000-vjeçare
Shpresa DineSARANDE- Gurorja 2 mijëvjeçare në fshatin Shkallë, me gurët e të cilit është ndërtuar qyteti Antik i Butrintit, e vetmja e kësaj natyre në vendin tonë, po shkatërrohet për një rrugë dytësore. Kohët e fundit në këtë monument kulture, i shpallur në mbrojtje, ka nisur një ndërhyrje e paligjshme. Firma greke “AEGEK” prej rreth dy vjetësh po punon për ndërtimin e rrugës Qafë Botë – Krane. Por çuditërisht, jashtë projektit të rrugës, mbi vendin e quajtur Gurorja Antike, në të dalë të fshatit Shkallë, është bërë ndërtimi i një rruge dytësore, që kalon mespërmes këtij monumenti. Kanë qenë banorët e këtij fshati, por edhe drejtues të Drejtorisë Rajonale të Kulturës në Sarandë, që kanë dhënë alarmin. Kryeplaku i fshatit Shkallë, Spiro Bakalli thotë se, ndërtimi i kësaj rrugë dytësore, që ka prishur monumentin e kulturës, nuk ka kaluar as në Këshillin e Komunës. “Unë si kryeplak nuk kam dijeni fare se si është ndërtuar kjo rrugë. Nuk e di se me kë ka biseduar firma për hapjen e saj. Këtu kemi një prishje masive në zonën e mbrojtur. Në kontaktet që kam pasur me drejtuesit e komunës, kam kundërshtuar ndërtimin e saj. Ata më janë përgjigjur se për këtë është bërë mbledhja e Këshillit të Komunës dhe është vendosur ndërtimi i saj. Unë si kryeplak i këtij komuniteti nuk jam vënë në dijeni fare për këtë. Në fillimet e saj, për rrugën nga krahu i urës, është punuar gjatë natës dhe për rrjedhojë janë thyer edhe gjetje antike. Nuk jam në gjendje të them se nga e kanë marrë urdhrin drejtuesit e firmës greke “AEGEK”, kush i ka drejtuar për hapjen e kësaj rruge dytësore. Nuk ka pasur studim për ndërtimin e saj, por edhe me ne banorët nuk është folur fare. Ndërtimi i kësaj rruge i intereson vetëm drejtuesve të komunës, pasi Konispolit, Shkallës, por edhe fshatit çiflik, ndërtimi i saj nuk u intereson fare”, thotë ai. Kryeplaku tregon se ditët e fundit janë zhvilluar takime dhe me përfaqësues të Drejtorisë së Rrugëve, ku merrnin pjesë kryetari i Komunës Xarrë, Dhimo Kote, kryetari i Këshillit të Komunës, kryetari i Bashkisë Konispol, supervizori i firmës. Ndonëse kundërshtimet kanë qenë të shumta, ato ranë në vesh të shurdhët. Mësohet se Drejtoria Rajonale e Kulturës në Sarandë ka gjobitur firmën, por deri tani asgjë nuk ka ndryshuar. Për drejtorin e kësaj drejtorie, Ilir Papa, kjo është shkelje flagrante e bërë me dëshirë, për të cilën jo vetëm ai, por edhe Ministria e Kulturës këmbëngul për sjelljen e saj në identitet. “Nuk mund të them se nga është bërë kjo ndërhyrje për këtë ndërtim. Nga ana jonë janë marrë masat e nevojshme që përcakton Ligji “Për Trashëgiminë Kulturore”, për këtë veprim. Fillimisht, specialistë të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare kanë bërë pezullimin e punimeve në vend. Por edhe pas kësaj u vazhdua të punohej. Kërkesat tona nuk kanë reshtur dhe është kërkuar kthimi i saj në identitet. Firma ka rënë dakord me kërkesën tonë. Do të bëjë pastrimin e rrugës, rrethimin e monumentit dhe jo vetëm të këtij monumenti, por edhe rrethimin e monumentit të Tempullit Antik të Dobrës, do të vihen tabelat treguese, që kemi të bëjmë me monument kulture të kategorisë së parë”. Jashtë projektit Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale, Ilir Papa, ndërtimi i rrugës nuk është pjesë e projektit të rrugës Qafë Botë – Krane, sepse kjo kalon tek ish-traseja ekzistuese e rrugës së vjetër. “Në rastin konkret kemi të bëjmë me një degëzim, që është jashtë projektit, e pranuar kjo edhe nga firma greke dhe supervizori. Edhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk e njeh këtë degëzim. Për gjendjen e krijuar është gjobitur komuna me një shumë prej 5 milionë lekësh të reja dhe firma do të kthejë monumentin në identitet. Interesim të veçantë ka treguar për zgjidhjen e këtij problemi Ministria e Kulturës, por edhe Drejtoria e Rrugëve. Nuk e di se kujt i ka shërbyer prishja e monumentit, por di se nga mesi i muajit janar do të nisë puna për rikthimin e gurores antike në gjendjen e mëparshme”.