Në gjyq i riu, rrëmbeu e përdhunoi të dashurën
TIRANE - Prokuroria e Tiranës dërgon në gjykatë të pandehur me dy akuza, 21-vjeçarin e akuzuar për heqje lirie dhe marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj të dashurës së tij. Burime zyrtare nga organi i akuzës, pohuan se kanë përfunduar hetimet ndaj të dyshuarit Ermal Gj, 21 vjeç, i cili akuzohet se dy muaj më parë ka mbajtur për disa orë pa dëshirën e saj një vajzë 16-vjeçare, e cila më parë kishte qenë e fejuar me të dyshuarin. Incidenti ka ndodhur pas ndarjes së dy të rinjve ndërsa sipas policisë ngjarja e kryer nga i dyshuari besohet se ka qenë një hakmarrje. Sipas burimeve zyrtare nga organi i akuzës, më 10 nëntor 2009, Ermal Gj, 21 vjeç, ka marrë peng ish të fejuarën e tij të cilën e ka mbajtur për disa orë në një motel ku ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të duke e kërcënuar për jetën. I pandehuri banues në lagjen "Ali Demi", u arrestua nga policia me akuzat "kryerje e marrëdhënieve seksuale me dhunë", "heqje e padrejtë e lirisë" dhe "vrasje me dashje e mbetur në tentativë". Ngjarja duket se ka ndodhur pas ndarjes së dy të rinjve. Një muaj para se të binte pre e dhunës, vajza kishte vendosur të ndahej nga 21-vjeçari. Pas kësaj, më 10 dhjetor 2009, ai ka shkuar para shkollës "Myslym Keta", ku studionte vajza dhe e ka takuar atë. Pasi kanë shkëmbyer disa fjalë, 21-vjeçari i ka kërkuar vajzës të flisnin në makinën që ai, ia kishte marrë një miku të tij. Vajza ka refuzuar, por i riu e ka futur me forcë në makinë, pasi e ka qëlluar në fytyrë. E gjitha kjo skenë është dëshmuar nga vajza e dëmtuar, e cila pritet të provojë këtë variant të ngjarjes në sallën e gjyqit. Më pas i dyshuari ka lëvizur me makinë në drejtim të Shkozës, duke çuar vajzën në një hotel ku e ka përdhunuar pasi i ka mbyllur gojën. Pas ngjarjes vajza është paraqitur menjëherë në polici, duke denoncuar dhunën dhe kërcënimet e ushtruara ndaj saj. Policia filloi hetimet dhe zhvilloi një ekspertim mjeko-ligjor për të dëmtuarën, duke arritur në përfundimin se ndaj saj ishte ushtruar dhunë fizike dhe seksuale. Pas ndalimit nga policia, 21-vjeçari nuk ka pranuar akuzën ndërsa ka mohuar dhunën ndaj nxënëses së vitit të tretë të gjimnazit. tr.so