E Diel, 1 Nëntor 2026

Aldo Bare nuk shkon në gjyq: Jam i sëmurë

Kërkesa

Kreu i bandës së Lushnjës, Aldo Bare, ka refuzuar dje të paraqitet në procesin gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku po gjykohet për dhjetëra krime të ndodhura në harkun kohor të 1997-2005 në qytetin e Lushnjës. Kolegji Penal ka verifikuar palët dhe ka vënë re mungesën e të pandehurit Aldo Bare, i cili kishte dërguar një letër. “Për arsye shëndetësore nuk mund të paraqitem në gjykatë. Burgu nuk më ka dhënë mundësinë që të takohem me avokatin tim dhe mbahem në kushte çnjerëzore”, deklaronte Bare. Ndërkohë, gjykata ka verifikuar gjendjen e tij shëndetësore. është thirrur doktoresha e Burgut 313. Ajo ka shpjeguar se Aldo Bare është i sëmurë, por është në gjendje të paraqitet në gjykatë. Në këto momente trupi gjykues rifilloi procesin, teksa pyeti organin e akuzës në lidhje me kërkesat e Bares për pezullimin e masës së arrestit dhe kërkesës për gjykim. Prokuroria, e përfaqësuar nga Gentian Trenova, paraqiti disa prova, sipas së cilave kërkohej që të hidhej poshtë pretendimi i avokatit të Bares. “Të rrëzohen kërkesat e kapobandës me pavlefshmërinë e akteve të dosjes, me argumentimin se të gjitha veprimet hetimore janë kryer brenda afateve ligjore, ndryshe nga sa ka pretenduar pala mbrojtëse”, tha prokurori. Ndërkohë, gjykata do të shprehet me vendim në seancën e datës 10 shkurt. Ndaj Bares rëndojnë akuzat për dhjetëra vrasje, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh etj. Ai u ekstradua në nëntor të vitit të kaluar nga Turqia, ku ishte arrestuar që prej tre vitesh, pas një urdhër-arresti të lëshuar ndaj tij nga autoritetet e drejtësisë shqiptare.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›