E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aldo Bare refuzon Shqipërinë

 

Trazhgim Sokolaj

Ish-kapo i "bandës së Lushnjës" refuzon ekstradimin në Tiranë, duke pohuar se nuk dëshiron të jetë i pranishëm në gjyqin që po zhvillohet ndaj tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda, madje nuk dëshiron të përfaqësohet me avokat mbrojtës. Letra e nënshkruar nga Aldo Bare në burgun që ndodhet në Kushedasi të Turqisë, ka mbërritur disa ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndërsa dje është bërë publike në seancën e caktuar për këtë qëllim. Prej më shumë se një viti, Gjykata e Krimeve të Rënda e kishte pezulluar gjyqin në ngarkim të Aldo Bares, i njohur ndryshe si Alfred Shkurti. Procedura kërkonte një konfirmim prej tij, konkretisht lajmërimin se po gjykohet në Tiranë për akuza të rënda të vrasjes, drejtimit të bandës, armëmbajtjes pa leje dhe dhunimit të varreve dhe më pas konfirmimin nëse do të jetë i pranishëm në këtë proces. Sipas burimeve zyrtare nga Gjykata dhe nga Prokuroria, mësohet se i akuzuari si kapo i "bandës së Lushnjës" ka refuzuar ekstradimin dhe paraqitjen e tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, duke theksuar se jeta e tij është në rrezik në rast kthimi në vendlindje. Refuzimi i Alfred Shkurtit për t'u transferuar në Tiranë nuk pritet të ketë efekt vendimtar në procesin që po zhvillohet në Ankara lidhur me ekstradimin e tij në Tiranë. Megjithatë po bëhen katër vjet nga arrestimi i Aldo Bares në një lagje të Ankarasë, ndërkohë që vendimi i vetëm gjyqësor i formës së prerë ndaj tij është ai për shtatë vjet burg me akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Nëse procesi i ekstradimit nuk merr zgjidhje në tre vitet e ardhshme, në rast se Bare nuk ka probleme me drejtësinë turke ai rrezikon të lirohet nga paraburgimi.    
Gara me Italinë
Kreu i "bandës së Lushnjës" kërkoi azil politik në Turqi pas arrestimit nga policia në vitin 2005. Mirëpo një kërkesë e tillë u refuzua, ndërsa Shqipëria dhe Italia dorëzuan në gjykatën e Ankarasë kërkesat për ekstradimin e Alfred Shkurtit në vendet respektive. Në Shqipëri, Aldo Bare akuzohej si drejtuesi i një prej bandave më të përgjakshme, ndërsa pala italiane e akuzonte Baren se përmes telefonatave nga Turqia, Italia dhe Rumania ku lëvizte vazhdimisht, ka drejtuar trafikun e heroinës dhe kokainës për në Itali, ku në emër të tij vepronte krahu i djathtë, Enver Dondollaku. Gjatë kësaj kohe dosja e "bandës së Lushnjës" u rihap, ndërsa hetimet zbardhën disa prej krimeve, të cilat u dërguan për shqyrtim në gjykatë. Në dosjen e dërguar para togave të zeza të Krimeve të Rënda, Aldo Bare akuzohet për kryerjen e krimeve të "vrasjes me paramendim, më shumë se një herë"; "shkatërrim të pronës me zjarr"; "vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë"; "dhunim të varreve"; "vjedhje me dhunë në bashkëpunim" dhe "krijim të organizatave kriminale dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të kësaj organizate". Gjykimi i Alfred Shkurtit për këto akuza u pezullua që në fillim të procesit, pasi gjykata kërkoi njoftimin e të pandehurit që ndodhet në qelitë turke. Me një deklaratë të nënshkruar nga vetë ai, Bare thotë se nuk dëshiron të jetë i pranishëm.

Katër dëshmi te "Banda e Lushnjës":Kujtuam se vrasjet i bënte policia
TIRANE - Katër dëshmi të reja janë dëgjuar ditën e djeshme në seancën në ngarkim të anëtarëve të "bandës së Lushnjës" te Krimet e Rënda. Dëshmitarët e akuzës rrëfyen dijeninë që kishin mbi vrasjet e Nimet Zenelit, Masar Aliut dhe Idajet Beqirajt, ngjarje të ndodhura në vitin 1998 pranë fshatit Kolonjë të Lushnjës, për të cilat akuzohen anëtarët e bandës. Skënder Kaja, pranë banesës së të cilit është vrarë Zeneli, pohoi dje se pas ngjarjes ai kishte marrë vesh se vrasja ishte kryer nga policia. Dy persona të armatosur dhe të maskuar e kishin detyruar nën kërcënimin e armës dëshmitarin Mustafa Gremi, shofer i një furgoni taksi në vitin 1998, të zbrazte furgonin dhe të ndiqte rrugën që donin ata. Ndërsa Petraq Krifka dhe Fatos Vuzi, pronarë të dy bareve në rrugën Lushnjë-Fier, pranë vendit ku ka mbetur i vrarë Masar Aliu dhe Idajet Beqiri, treguan se kishin dëgjuar vetëm krismat, pa parë autorët. Në dëshmitë e tyre dëshmitarët janë tërhequr nga ajo ç'ka kanë deklaruar më parë për oficerët e Policisë Gjyqësore. Prokuroria në të gjitha rastet ka kërkuar kundërshtime të pjesshme të dëshmive, kërkesë e pranuar nga trupi gjykues. Pranimi i procesverbaleve të marrjes në pyetje nga Policia Gjyqësore u kundërshtua nga mbrojtësit ligjorë të të pandehurve. Avokatët hodhën dyshime për pavërtetësi të këtyre procesverbaleve dhe se ato mund të ishin të falsifikuara. "Në momentin që ka ndodhur ngjarja ku u vra Nimet Zeneli unë nuk isha në shtëpi, por 800 metra larg saj tek shkolla", ka treguar dje Skënder Kaja. "Më thanë që 'është vrarë një njëri pranë shtëpisë tënde. Vajta tek shtëpia dhe pashë që ishin mbledhur shumë njerëz. Aty mora vesh se ishte vrarë Nimet Zeneli. Unë nuk e pashë ngjarjen, por populli aty thonte që e vrau policia", deklaroi në vijim ai. Për ngjarjen ku ka mbëtur i vrarë Masar Aliu dhe Idajet Beqiraj, Kaja deklaroi dje se nuk kishte qenë aty në momentin që kishte ngjarë. Ndërsa sipas dëshmisë së dhënë prej tij në poicinë gjyqësore, ngjarja ishte parë prej tij. "Po pija një kafe në një bar pranë rrugës Lushnjë-Fier. Pamë dy persona të veshur me rroba të zeza që ngjasonin me ato të policisë, që po qëllonin mbi një automjet gri. Aty u afrua dikush tjetër dhe u tha 'mos qëlloni se është gjynah'. Personat e armatosur qëlluan edhe mbi të. Më vonë mësuam se ai ishte Idajet Beqiri", lexoi prokurori në deklarimet e dhëna nga dëshmitari.  Deshmitari tjetër Mustafa Gremi deklaroi para gjykatës se si ishte marrë nga dy persona të armatosur pranë fshatit Kolonjë të Lushnjës. "Po udhëtoja nga Lushnja drejt Fierit. Në Kolonjë ndalova të zbrisja dy pasagjerë, kur para më dolën dy persona të armatosur dhe të maskuar. Më detyruan të zbisja gjithë pasagjerët dhe të ktheja furgonin drejt Lushnjës", dëshmoi ai. Në vijim ai ishte detyruar të merrte drejtimin e fshatit Kolonjë, por pas një defekti që kishte pasur makina, personat me maska ishin larguar pa i bërë keq. Dje dëshmitari nuk kujtonte detaje të ngjarjes, ndërsa në kundërshtimin e dëshmisë së tij bërë nga prokurorët thuhej se "Para se të ndaloja furgonin dëgjuam breshëri armësh. Personat e armatosur erdhën nga drejtimi i një are me grurë. Pak më larg dukej një fuoristradë e bardhë e dalë jashtë rruge".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›