Spahiu, kritika gjyqtarëve për të drejtat e qytetarëve
GJIROKASTER - Nën-kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, u shpreh dje me tone kritike në analizën e gjyqësorit të Gjirokastrës, përsa u përket të drejtave të qytetarëve. Deklarata e tij kishte të bënte me proceset gjyqësore të organizuara nga Gjykata e Shkallës së Parë, por edhe ajo e Apelit. Spahiu solli dy çështje konkrete, të cilat janë edhe më karakteristike për Gjirokastrën: kalimi ilegal i kufirit dhe ndryshimi i kombësisë. Për sa i përket kalimit ilegal të personave, kreu i KLD-së evidentoi faktin e dënimeve mjaft të ashpra të qytetarëve dhe të atyre që i suportojnë këto lëvizje. "Duhet të ketë më tepër të drejta për qytetarët", u shpreh ai. Spahiu u tërhoqi vëmendjen gjyq-tarëve edhe për proceset e shumta të ndryshimit të kombësisë të atyre qytetarëve që e kërkojnë atë. "Kemi kërkuar që në asnjë lloj rasti të mos cenohet ligji mbi procedurat rreth kërkesave të qytetarëve shqiptarë për të ndryshuar kombësinë nga shqiptare në grekë", tha Spahiu. Kreu i KLD-së vijoi më tej në Sarandë në analizën e gjyqësorit të këtij rrethi. Çështjet e pronësisë, vjedhjeve, kalimit klandestin të kufijve e funksionimi i tij si trafik, janë përcaktuar ndër më problematiket për Gjykatën e Sarandës. Por Spahiu garantoi se Gjykata e Sarandës është ndër institucionet më në vëmendje të KLD-së. p.n/sh.d