E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet pas 10 vjetësh vrasësi i 15-vjeçarit

 

SHKODER - Policia e Shkodrës zbulon autorësinë e një vrasjeje dhe plagosjes së dy personave të tjerë, ngjarje kjo e ndodhur 10 vjet më parë. Gjykata e Rrethit ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg" (në mungesë) ndaj autorit të këtij krimi, Nikë A. Sipas policisë, ai është 41 vjeç dhe banon në fshatin Grudë, Komuna Rrethina. Të njëjtat burime bënë të ditur se 41-vjeçari akuzohet për veprat penale të "Vrasjes në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave" dhe "Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit". Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më 17 janar 1998, kur në lagjen "Tom Kola" në Shkodër është vrarë me armë zjarri Ergys Kopshtari, 15 vjeç. Gjithashtu, në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe motra e viktimës, M. Kopshtari dhe një tjetër kalimtare, M. Mita. Nga hetimet e kryera rezultoi se autor i ngjarjes është Nikë A. Mësohet se vrasja e 15-vjeçarit ka qenë e rastësishme, pasi autori kishte tjetër person në objektiv. Ai kishte në shënjestër të vriste shtetasin V.S për të marrë gjakun e një të afërmi të tij. Por ndërsa ai kishte qëlluar për të vrarë shënjestrën për gjakmarrje, ka vrarë gabimisht Ergys Kopshtarin. Sipas policisë, Sektori i Luftës Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e këtij Qarku ka mundur të bëjë rindërtimin e ngjarjes pas një pune disamujore. Tashmë 41-vjeçari është në kërkim për veprat e mësipërme.                             r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›