Kapet emigranti me 10 kg drogë
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Kapet emigranti në tentativë për të kaluar në Greqi 10 kilogramë heroinë. Artur Hasalla, 23 vjeç, nga Elbasani u arrestua dje në mëngjes në pikën doganore të Kapshticës. Ai dyshohet të jetë i implikuar në një rrjet të trafikut të lëndës narkotike që vinte nga Turqia, me vend transit Shqipërinë dhe destinacion përfundimtar shtetin helen. Në kuadër të operacionit të koduar "Goma rezervë", agjentët e Antidrogës i kanë kërkuar Hasallës t'i bënin një kontroll në momentin kur ai i kishte mbaruar procedurat e vulosjes së dokumenteve. Qeni i stërvitur për nuhatjen e narkotikëve kishte nisur të jepte sinjalet e pranisë së drogës në makinën me targa greke. Pas hapjes së bagazhit, kafsha nuhati mallin që ishte fshehur në gomën rezervë. Gjatë kontrollit të ushtruar, blutë gjetën fillimisht 3 kilogramë drogë të fshehur në gomën rezervë të makinës. Ajo ishte e ndarë në paketa të veçanta, me sasi të vogla. E ndërsa fillimisht u mendua se kjo ishte e gjithë sasia që i riu elbasanas do të trafikonte drejt Greqisë, një tjetër sasi u zbulua e fshehur poshtë makinës. Sipas burimeve ajo peshonte katër kilogramë. Pjesa e ndarë e drogës, bëri që efektivët antidrogë të dyshonin për të tjera sasi të fshehura. Ata e kaluan në "sitë" gjithë makinën duke e kontrolluar atë me imtësi, derisa në brendësi të saj gjetën edhe tre kilogramë të tjerë. Kjo sasi e çoi në total në 10 kilogramë heroinën që po trafikohej. Pas konstatimit të mallit, blutë i vunë prangat të riut elbasanas me akuzën e "trafikut ndërkombëtar të drogës". Mësohet se 23-vjeçari ishte emigrant në Greqi dhe kishte ardhur tek familja e tij një javë më parë. Në hetimet e para, 23-vjeçari Hasalla, edhe pse ishte i pranishëm gjatë gjithë kontrollit të imët, që iu krye mjetit të tij dhe e pa se nga u nxor gjithë sasia e drogës, ka mohuar akuzën. Ai deklaroi se kishte hyrë në vendin tonë një javë më parë. Sipas tij, mjetin e ka pasur të parkuar në rrugën para banesës, duke aluduar se mallin mund t'ia kishin vënë të tjerë persona në mjet. Policia po heton edhe në këtë pistë, ndërsa verifikoi në pikën kufitare se 23-vjeçari ishte futur në vendin tonë pikërisht një javë më parë. Dyshohet gjithashtu se elbasanlliu kishte ardhur në Shqipëri me qëllim transportimin e lëndës narkotike. Bashkë me sasinë e drogës u sekuestrua në cilësinë e provës edhe mjeti që drejtohej nga Hasalla. Të njëjtat burime policore bënë të ditur se ka dyshime se i riu është pjesë e një rrjeti që trafikonte drogë nga Turqia. Destinacioni përfundimtar ishte Selaniku. Policia po heton për të konfirmuar burimin se nga e kishte siguruar mallin 23-vjeçari. Drejtoria e Policisë bëri të ditur se operacioni do të shtrihet edhe në disa qytete të tjera, mbasi dyshohet se është duke funksionuar një rrjet trafiku ndërkombëtar i drogës. Gjatë këtij aksioni pritet të ketë arrestime të tjera.