E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutimi, një dëshmitar pa autorët në makinën e taksistit

 

TROPOJE - Një dëshmitar ka zbuluar ekzekutimin e taksistit tropojan. Dje, policia ka zbardhur faktin se një person ka parë dy vëllezërit e arrestuar tashmë, Jetmir e Granit Hasanpapaj, duke udhëtuar në makinën e 37-vjeçarit Avni Sinani. Ai ka hedhur dritë me rrëfimin e tij për autorët e mundshëm të masakrimit të Sinanit, të cilët përballë këtij fakti zbërthyen çdo element të ngjarjes së rëndë. Në qelitë e Komisariatit të Tropojës ndodhen tashmë tre persona të akuzuar për vrasje me paramendim, dhunim të kufomës dhe fshehje të krimit. Bashkë me dy vëllezërit, në pranga është dhe nusja e 23-vjeçarit Jetmir Hasanpapaj, Amarilda Koka, 21 vjeçe, ndërsa babai i tyre, pas shoqërimit të parë është lënë dje i lirë nga policia. Pista kryesore që policia po heton është ajo e xhelozisë së treguar prej vëllezërve, pasi sipas siç kanë treguar ata, ka pasur disa raste të ngacmimit të gruas së Jetmirit nga viktima. I gjithë skenari i masakrës do të ishte i fshehur nëse rastësisht dikush që i ka parë dy vrasësit duke hipur në autoveturën e Sinanit të mos kishte sinjalizuar policinë. Dy djemtë akuzohen se në sy të gruas së re e kanë goditur për vdekje taksistin e më pas e kanë transportuar atë rreth 70 km larg nga fshati Tëplan i Tropojës, në kufi me qytetin e Kukësit. Aty kanë tentuar ta hedhin në ujërat e liqenit, por  nuk kanë mundur, pasi trupi i viktimës ka ngecur disa metra poshtë urës. Për të kryer këqyrjen e trupit të pajetë të 37-vjeçarit, në drejtim të Kukësit ka mbërritur me helikopter një ekspert mjeko-ligjor. Ai ka konfirmuar atë që kishin konstatuar dhe ekspertët e policisë në vendngjarje, se viktima kishte pësuar plagë vdekjeprurëse në trup e kokë, ndërsa dëmtime të tjera i ishin shkaktuar gjatë tërheqjes nga autovetura e tij për te vendi ku e kishin fshehur. Makina e tij u gjet e djegur në fshatin Berishë, të komunës Bytyç, pasi autorët kishin tentuar të fshihnin gjurmët.

Ceremonia mortore, në prani të policisë
Rreth orës 15:00 të ditës së djeshme është bërë varrimi i taksistit të vrarë tre ditë më parë, Avni Sinani. Ceremonia është kryer në një mot të ftohtë e me borë, në fshatin e lindjes, Gri. Trupi i tij u transportua nga morgu i spitalit të Kukësit për në fshatin e lindjes, i shoqëruar dhe nga policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›