E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutuan policët në Krujë në 1999, burg përjetë dy autorëve

 

TIRANE - Burg përjetë ekzekutorëve të policëve Arben Keqi dhe Durim Kasmi në vitin 1999 në Krujë dhe 25 vjet heqje lirie për bashkëpunëtorin e tyre. Dënimet maksimale u dhanë dje nga Gjykata për Krimet e Rënda në seancën në ngarkim të të pandehurve Sokol Halilaj, Dritan Rexhepi dhe Shefqet Seferi. Togat e zeza të kësaj gjykate i dhanë fund dje shqyrtimit gjyqësor në ngarkim të këtyre tre të pandehurve. Në vendimin e saj gjykata shpalli fajtor për veprën penale të "vrasjes me paramendim" e "vrasjes në rrethana të cilësuara" Sokol Halilajn dhe Dritan Rexhepin, duke i dënuar ata me burgim të përjetshëm. E njëjta masë dënimi ishte kërkuar edhe nga Prokuroria. Ndërkohë që fajtor u deklarua nga gjykata edhe Shefqet Seferi, i cili u dënua me 25 vjet burg, 5 vjet më shumë nga sa kishte kërkuar Prokuroria në pretencë. Gjatë dhënies së vendimit në sallën e gjyqit ishin të pranishëm vetëm Halilaj dhe Seferi, ndërsa Rexhepi gjykohej në mungesë, pasi është duke vuajtur një tjetër dënim në Itali, për një vepër penale të kryer atje. Ngjarja për të cilën akuzoheshin personat e mësipërm është shënuar në vitin 1999 në qytetin e Krujës. Sipas Prokurorisë, Halilaj dhe Rexhepi janë ekzekutorët e punonjësve të policisë dhe krimi ishte kryer kundrejt pagesës. Në një nga ngjarjet ka mbetur i vrarë gabimisht edhe Rekim Bakiasi. Po sipas organit të akuzës, rolin e bashkëpunëtorit në vrasje e ka luajtur Shefqet Seferi, i cili ishte personi që ka identifikuar "objektivët" përpara vrasjes së tyre.                 ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›