E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ligji antimafia, fazë e re kundër krimit të organizuar”

Ministri i Brendshëm Basha takon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë belge,  Koekelberg

Ligji antimafia do të jetë një fazë e re kundër krimit të organizuar dhe konfiskimit të aseteve në vend. Kështu u shpreh dje ministri i Brendshëm Lulzim Basha, gjatë një takimit të zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Federale belge, Fernand Koekelberg. Basha e konsideroi ligjin e ri si një hap të rëndësishëm drejt një faze të re në luftën kundër krimit të organizuar.
Duke paraqitur një pasqyrë të përgjithshme të rezultateve të Policisë së Shtetit kundër të gjitha aktiviteteve kriminale, e në veçanti ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, ministri Basha theksoi se arritjet në këtë fushë e renditin Shqipërinë si vendin më të sigurt në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë kontekst, ai tha se Shqipëria nuk përbën më një vend domethënës për tranzitin e drogave apo trafiqet e paligjshme. Po kështu, ministri Basha foli në këtë takim edhe për luftën e vazhdueshme kundër akteve korruptive në të gjithë sektorët e administratës publike. Këtu ai përmendi faktin se vetëm javët e fundit janë goditur 12 raste të tilla.
Këto rezultate morën edhe vlerësimin e komisionerit Koekelberg, i cili përgëzoi edhe vullnetin për bashkëpunimin mes strukturave policore të dy vendeve për goditjen e elementeve kriminale. Ai shprehu interesimin dhe angazhimin e plotë të policisë federale të Belgjikës për shkëmbimin e informacionit dhe ekzekutimin e fletë-arresteve dhe për ekstradimin e personave të kërkuar në dy vendet. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe ambasadori belg në Tiranë, Mishilsen.
Diplomati Mishilsen e përgëzoi qeverinë dhe ministrinë e Brendshme për progresin e bërë për përmbushjen e detyrimeve në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe vlerësoi përmbushjen e standardeve të kërkuara në zgjedhjet parlamentare të qershorit, si dhe rezultatet domethënëse në përmbushjen e kritereve për heqjen e vizave, luftën kundër krimit dhe trafiqeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›