E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aldo Bumçi: Edi Rama po ndjek amanetin e baballarëve, për bllokimin e heqjes së vizave

Partia Demokratike thotë se me mbajtjen me dhunë të socialistëve në një burg të improvizuar në mes të Tiranës, tregon qartë tendencën e Edi Ramës për të mbajtur premtimin ndaj etërve të tij shpirtërorë dhe biologjikë, mirëfillti komunistë, për çuarjen e situatës në dhunë të egër dhe prej aty marrjen e pushtetit me gjakderdhje.
Ngujimi i afro 22 deputetëve dhe 200 simpatizantëve politikë, ka krijuar hije dyshimi mbi arsyen e vërtetë të kësaj metode proteste dhe për kushtet në të cilët po zhvillohet.
Edi Rama, nuk pranoi të bëhej pjesë e protestës, por urdhëroi dhe ushtroi dhunë të egër mbi disa gra, deputete të PS-së, të cilat të ndodhura përballë një sjellje kafshërore të Edvinit, u detyruan të ‘vetë shkojnë’ në burg, pa e ditur se pse dhe përsa kohë do t’u privohet një element tejet i rëndësishëm për standardet e demokracisë, siç është vlera e lirisë. Në këto kushte, Edi Rama, jo vetëm nuk pranoi të bëhej pjesë e fushatës, siç e ka quajtur ai të vetëflijimit, por përtej kësaj, ajo që përbën çudinë më të madhe, është tallja e tij me grevistët, pasi nga mëngjesi deri në darkë, për çdo ditë, kapërdihet nga njeri cep i Tiranës, në tjetrin, nga njëri restorant në tjetrin, pa u shqetësuar aspak, për të “burgosurit” që ka lënë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Nisur nga ky fakt, deputeti i Partisë Demokratike dhe kreu i degës së PD-së për Tiranën, Aldo Bumçi, u shpreh përmes një reagimi publik, se Edi Rama ka krijuar artificialisht një “burg” në mes të Tiranës, për të kyçur aty shokët e tij dhe të fitojë vetë personalisht kapital politik, për të marrë pushtetin me dhunë.
Sipas deputetit demokrat, me këtë akt, Rama po kërkon shpagimin e etërve komunist, ku përmes hakmarrjes kërkon të marrë pushtetin me dhunë.
“Bllokmenët e rinj, Edvin Kristaq Rama, Gramoz Ruçi, Ilir Xhelil Gjoni, Ditmir Sulejman Bushati, Dash Myslim Peza, kërkojnë shpagim për baballarët e tyre.
Për këtë, z. Rama ka ngritur edhe një burg në mes të bulevardit ku mban shokët e vet.
Edi Rama, në hakmarrje kërkon pushtet me dhunë. Objektivi i tij i parë është bllokimi i heqjes së vizave. Në betim të baballarëve të tyre që mbajtën Shqipërinë e izoluar, Edi Rama me burgun që ka ngritur në mes të rrugës, synon marrjen e pushtetit, me përplasje, me dhunë”, u shpreh deputeti demokrat, Aldo Bumçi.
Ai vuri në dukje gjithashtu se Edi Rama në amanet të baballarëve, ka prioritet bllokimin e heqjes së vizave, izolimin e Shqipërisë.
“Edi Rama, për këtë t’i mban përgjegjësi personale, individuale”, u shpreh deputeti dhe kreu i PD-së për Tiranën, Aldo Bumçi.
Kësisoj, Rama po kryen shërbimet e fundit ndaj ish bllokmenëve, duke mbizotëruar i vetëm dhe i mbështetur nga disa pinjollë të bllokut, trashëgimtarë të nomeklaturës komuniste. Me aktet e tij çnjerëzore, Edvini po faktohet kryekëput si famëkeqi më i madh në historinë politike moderne, pasi karrierën e tij politike po përpiqet ta ndërtojë mbi ato të prangosur në ‘burgun’ e bulevardit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›