Sabotim guerril kundër rrugëve kombëtare, dëshpërim i madh në kampin edvinist
Protesta e socialistëve për hapjen e kutive zhvendoset nga Tirana në disa zona të vendit, nga jugu në veri, por grevat e urisë po zëvendësohen me një strategji të re, atë të bllokimit të akseve kryesore nacionale. Pas tentativës për bllokimin e rrugës në Shkodër nga të rinjtë socialistë lokalë, socialistët uzurpuan dje me forcë akset kombëtare që lidhin Korçën me Tiranën si dhe Tepelenën me kryeqytetin, duke bllokuar për disa minuta lëvizjen e qytetarëve me automjete drejt Tiranës dhe anasjelltas.
Militantët e PS në Korçë zunë një krah të rrugës kombëtare në afërsi të fshatit Podgorie, duke krijuar anomali në qarkullim, si dhe rëndim të menjëhershëm të trafikut drejtë Doganës së Kapshticës. Thuajse në të njëjtën kohë, socialistët e Tepelenës bllokuan hyrjen e qytetit duke qëndruar në mes të rrugës dhe mos lejuar asnjë makinë të lëvizë.
Protestat e Shkodrës, Korçës dhe Tepelenës, dhe ajo e Fierit, për të cilën socialistët kanë lajmëruar bllokimin e rrugës në orën 18, duket se janë pjesë e strategjisë së re të mosbindjes civile për të cilën Rama dhe drejtues të tjerë të opozitës kanë folur vazhdimisht kohët e fundit.
Shembulli i parë dhe më domethënës u dha në Tiranë, duke bllokuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që prej 30 prillit, një praktikë që ka krijuar kaos në trafik në kryeqytet. Por, krahas këtyre veprimeve antiligjore, forcat e policisë kanë paralajmëruar masa të ashpra ndëshkimore ndaj të gjithë eksponentëve, të cilët synojnë të prishin qetësinë publike në pjesë të ndryshme të vendit dhe njëherazi të sjellin anomali të paprecedenta në qarkullimin e automjeteve.