Hoxha: Ina Rama po përdoret politikisht
Banorët e zonës së tij elektorale janë ata që ndiejnë efektet e para pozitive të rrugës kombëtare Durrës-Kukës-Prishtinë. Fatos Hoxha, deputeti i rrethit të Kukësit, tregon për “standard” skajet e pafundme të “rrugës së shqiptarëve”. Deputeti demokrat kundërshton me argumente akuzat boshe të opozitës ndaj ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha. Por, ai akuzon dhe kryeprokuroren Ina Rama për mënyrën se si ajo po përdoret duke hedhur baltë mbi veprën më madhështore të shekullit. Z. Hoxha i kujton kreut të akuzës se para se të hapë procese hetimi ndaj z. Basha, më parë duhet të hetojë korrupsionin e 200 milionë dollarëve të mbledhur nga taksapaguesit shqiptarë, të shpërdoruara nga qeveritë socialiste gjatë tetë viteve.
Z. Fatos Hoxha, si deputet i rrethit të Kukësit, cilat janë efektet e rrugës Durrës-Kukës-Morinë për zonën tuaj?
Së pari, po saktësoj se emërtimi i rrugës është Durrës-Kukës-Prishtinë, çfarë do të thotë se Kukësi nuk është skaji i fundmë i kësaj rruge, për rrjedhojë, efektet pozitive që do sjellë kjo rrugë, i kalojnë kufijtë e zonës që unë përfaqësoj, efektet shtrihen në gjithë pjesën verilindore, në gjithë Shqipërinë dhe më gjerë, në Kosovë e rajonin e Ballkanit. Po rendis disa nga efektet, pasi të gjitha do ishte e pamundur në një intervistë. Efektet e para kuptohet, do të ndihen nga banoret e asaj zone, për faktin se shkurtohet shumë koha e udhëtimit për në Tiranë, nga rreth 5 orë udhëtim në 1 orë e gjysmë. Kjo kohë e shkurtër komunikimi i hap rrugën zhvillimit të shpejtë ekonomik. Janë të shumtë biznesmenët që kanë filluar të interesohen për investime në rrethin e Kukësit. Hapja e më shumë se 8 bankave të reja gjatë 2 viteve të fundit besoj se është një paralajmërim i mirë i këtij zhvillimi. Efektet sociale të pritshme janë hapja e vendeve të reja të punës, ndërkohë që shumë vende pune janë hapur, rritja e cilësisë së shërbimit shëndetësor dhe arsimor, besoj se në një kohë jo shumë të gjatë filiali i Universitetit të Tiranës i hapur prej dy vitesh do të kthehet në Universitetin e Kukësit.
Thatë se efektet e kësaj rruge do të shtrihen në Kosovë e mbarë rajonin e Ballkanit. Në ç’mënyrë?
Kjo rrugë do sjellë një zhvillim të ndjeshëm të turizmit në vendin tonë. Do të jetë më e lehtë për shqiptarët e Kosovës që t’i kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar, ndërkohë që rriten mundësitë për shtimin e turistëve nga vendet e tjera fqinje. Nga rritja e këtij fluksi turistësh kuptohet që përfiton Durrësi, Shkodra, Lezha, Vlora, Saranda, pra e gjithë Shqipëria. Nëpërmjet kësaj rruge shumë tregtarë nga vendet e tjera të rajonit kanë si portin më të afërt Durrësin, Shëngjinin, Vlorën çka do ta kthente vendin tonë në një vend të rëndësishëm të shkëmbimeve tregtare. Kjo, besoj, që është arsyeja pse kjo rrugë ndryshe quhet “Rruga e Shqiptarëve” pasi na shërben të gjithëve.
Kjo rrugë mbart vërtet vlera kombëtare? Kjo është arsyeja që ka kaq shumë akuza dhe kundwrakuza ndaj ndërtimit të saj?
Sigurisht, nuk mund të mohohet fakti që kjo rrugë ka edhe vlera kombëtare, pasi bashkon dy anët e kombit dhe ndihmon në progresin ekonomik e shoqëror të Shqipërisë dhe të Kosovës. Disa politikanë, kryesisht të majtë, dhe disa media të tyre janë munduar si fillim të paraqesin argumentin se kjo rrugë ka një kosto të madhe dhe përfitimet ekonomike që sjell, nuk do të justifikonin shpenzimet, nga përllogaritje të thjeshta ekonomike, por doli ndryshe. Atëherë u hoq dorë nga ky argument dhe doli argumenti se nuk ka para të mjaftueshme për ndërtimin e kësaj rruge, u bë zhurmë e madhe edhe për këtë nga disa media. Kur u pa se punimet po ecnin me ritme të shpejta dhe paratë ishin siguruar, u kalua në argumentin se përqendrimi i parave në këtë rrugë do të lërë jashtë vëmendjes rrugë të tjera të rëndësishme në vend. Po të shohësh investimet e bëra në rrjetin rrugor në të gjithë vendin këta tre vjet, janë shumë më tepër se ato që opozita e sotme ka bërë në tetë vjet. Pra, ky argument doli më bajat se dy të parët. Së fundmi, të gjitha forcat e atyre që faktikisht nuk e duan këtë rrugë, janë përqendruar te argumenti i “korrupsionit” i cili besoj se do të rrëzohet njëlloj si argumentet e mëparshme që tani pothuajse janë harruar.
Pse opozita akuzon kaq shumë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës?
Që në fillim kam menduar se klasa politike do ishte në unison, në mbështetje të kësaj rruge, por më rezultoi ndryshe. Po të shohësh në pamje të parë, askush nuk del hapur kundër rrugës, por zvarriten ndër argumente të tjera boshe me të cilat kanë tentuar në vazhdimësi të bllokojnë sa munden ndërtimin e saj. Kundërshtarët e rrugës unë do t’i ndaja në tri kategori: Të parët janë ata politikanë të cilët mbrojnë ato interesa ekonomike që dëmtohen nga ndërtimi i kësaj rruge. Të dytët janë ata që vazhdojnë të luftojnë në kohëra të reja me armë të vjetra, pra mohimin e çdo arritjeje të qeverisjes së Kryeministrit Berisha. Së treti, janë ata që punojnë haptas kundër interesave tona kombëtare dhe fatkeqësisht kjo kategori vazhdon të jetë pjesë e politikës dhe medias.
Megjithatë, socialistët kishin iniciativën që ta ndërtojnë…
Po, ideja e kësaj rruge është e hershme. Në fakt, unë s’po flas për ide, por për gjëra konkrete. Qeveria “Majko” u duk dikur se kishte qëllime serioze me taksën “Majko”, por kur pas disa vjetësh lekët e mbledhur “humbën”, zhgënjimi ishte i madh. Edhe minat që Kryeministri Nano i vuri “Metës” në shpërthimin e parë, dolën pa rezultat, pasi nuk u hap asnjë kilometër rrugë, ndonëse ishte shumë figurative, “minat” i duheshin vënë më parë pengesave të pakapërcyeshme politike.
Sot po dalin fakte korruptive për atë që ju e quajtët argument i fundit i kundërshtarëve, por si e shpjegoni qëndrimin e prokurores Ina Rama?
Logjikisht, pritej që të përdorej ky “argument”, në thonjëza, kuptohet me të vetmin qëllim, pengimin e punimeve. Asnjë fakt konkret nuk është paraqitur deri më sot që të vërtetojë korrupsionin. Qëndrimi i prokurores Ina Rama besoj se nuk është thjesht i saj, por i dikujt tjetër. Nëse ju kujtohet, ne kërkuam largimin e Dhori Sollakut, pasi ai ishte i kapur peng dhe dosjet e krimit dhe korrupsionit flinin në zyrat e Prokurorisë, me ardhjen e saj të gjithë kemi pritur që këto dosje të hapeshin dhe politikanët e përlyer të viheshin para drejtësisë. Por kjo nuk ndodhi dhe me sa duket, as ka për të ndodhur. Ju besoj se keni ndjekur hetimet maratone të Prokurorisë ndaj ministrit Lulzim Basha. Në fakt, këto akuza kanë rezultuar boshe. Akuzat ndaj tij duan vetëm të përlyejnë qeverinë e cila po realizon këtë vepër të madhe. Prokurorja Ina Rama duhet të merrej me 200 milionë dollarët e mbledhur nga taksapaguesit shqiptarë, të shpërdoruara nga qeveritë socialiste gjatë tetë viteve.