E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, gjobë kush ka deklaruar pas shtatorit 2006

Këshilli i Ministrave ka miratuar dje një ndryshim në lidhje me procedurën e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Vendimi i djeshëm ka aktivizuar penalizimet që parashikon ligji i legalizimeve, si dhe ka saktësuar procedurën e pagesës që do të bëhet për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Sipas këtij ndryshimi, të gjithë ata që kanë bërë deklarimet e ndërtimeve të tyre pa leje në muajt tetor dhe nëntor të vitit 2006, do të penalizohen. Ata që kanë deklaruar ndërtimin në tetor do të penalizohen 10 lekë për metër katror, ndërsa ata që kanë bërë vetëdeklarimin në muajin nëntor, do të penalizohen 20 lekë për çdo metër katror të zënë. Ligji kishte parashikuar 4 muaj afat për vetëdeklarimin, i cili nisi në gusht të vitit 2006. Dy muajt e parë ishin vullnetarë, ndërsa dy muaj e tjerë parashikonin penalizim për neglizhencën e tyre. Për ndërtimet pa leje, si dyqane, garazhe apo për qëllime tregtare, penalizmi do të jetë 3 herë më i lartë. “Subjektet që kanë vetëdeklaruar jashtë afateve ligjore (në muajin e 3-të dhe të 4-t) të periudhës së vetëdeklarimit, së bashku me tarifën e shërbimit do të shlyejnë dhe sanksionet e parashikuara, për këtë qëllim, për llogari të ALUIZNI-t, duke iu referuar kohës së vetëdeklarimit dhe natyrës së ndërtimit informal (vilë, shtesë familjare, shtesë tregtare), të parashikuara në nenin 8 të ligjit”, - thuhet në vendimin e qeverisë. Vendimi i djeshëm ka përcaktuar edhe procedurën e pagesës së taksave që kërkon ky proces dhe do të bëhen nëpërmjet bankës dhe jep vetëm një muaj afat nga dalja e emrit për legalizim. “Brenda një muaji nga pajisja me formularin e pagesës së tarifës së shërbimit, modeli i të cilit i bashkëlidhet këtij vendimi, subjektet që do të vazhdojnë procedurat e legalizimit të objekteve pa leje apo shtesave informale në ndërtime me leje, do ta derdhin këtë pagesë në numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim nga ALUIZNI”, - thuhet në vendim. E njëjta procedurë parashikohet edhe për taksën e ndikimit në infrastrukturë. “Taksa e ndikimit në infrastrukturë paguhet brenda 30 ditëve nga data e pajisjes me formularin e pagesës, modeli i të cilit i bashkëlidhet këtij vendimi, për llogari të njësisë së qeverisjes vendore, ku ndodhet ndërtimi informal. Fondi, i krijuar nga pagesa e kësaj takse, do të përdoret për financimin e studimeve urbanistike, realizimin e tyre dhe përmirësimin e infrastrukturës së territoreve që legalizohen”, - thuhet në vendim të qeverisë.

Tarifat e legalizimit

Nëpërmjet bankës do të paguhen të gjitha shumat që kërkon ligji për legalizimin e objekteve pa leje. Në ligjin për legalizimet janë përcaktuar edhe çmimet përkatëse, të cilat variojnë nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë të reja. Këto çmime konsiderohen sociale. Ligji ka përcaktuar edhe çmimet e përfundimit të këtij procesi, sipas sipërfaqes dhe zonave informale përkatëse. Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha, çmimi për një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë shkon deri në 100 mijë lekë. Ndërkohë, për sipërfaqe deri në 500 metra katrorë shuma që duhet paguar është 400 mijë lekë të reja. Për parcela ndërtimore brenda vijave të verdha, çmimi për një sipërfaqe toke deri në 100 metra katrorë varion deri në 200 mijë lekë, ndërsa deri në 300 metra katrorë është 400 mijë lekë të reja. Në lidhje me shtesat, çmimi për sipërfaqe deri në 50 metra katrorë është 100 mijë lekë të reja dhe maksimalja për 100 metra, është 400 mijë lekë të reja. Njëkohësisht, do të ketë disa taksa të tjera, si ajo e ndikimit në infrastrukturë apo tarifat e tjera për formularët e legalizimit.

Neni 8

Sanksionet e zbatueshme për mosrespektim afati

Kur vetëdeklarimi nuk kryhet brenda afateve ligjore të përcaktuara në pikat 1 dhe

2 të nenit 7 të këtij ligji, vendoset kjo masë gjobe:

I. Për "vendbanimet informate" dhe "territore të tjera":

a) brenda muajit të tretë, vetëdeklarimi shoqërohet me gjobë 10 lekë për metër

katror sipërfaqe toke të zënë;

b) brenda muajit të katërt, vetëdeklarimi shoqërohet me gjobë 20 lekë për metër

katror sipërfaqe toke të zënë;

c) në përfundim të afatit të vetëdeklarimit subjektit i humb e drejta e legalizimit.

II. Për "vendbanimet formale" zbatohen të njëjtat tarifa dhe afate, por i referohen:

a) sipërfaqes së parcelës, për ndërtime "vila";

b) sipërfaqes së ndërtuar (m² ndërtim) për shtesa familjare, jo për qëllime

shitblerjeje;

c) sipërfaqes së ndërtuar (m² ndërtim) shumëzuar me koeficentin 3, për shtesa

komerciale nga subjektet fizike dhe juridike, për qëllime shitblerjeje/qiradhënieje.

Çmimet për legalizimin e ndërtimit jashtë vijave te verdha

Sipërfaqja Çmimi

a. Për sipërfaqe deri në 100 m² 100 mijë lekë

b. deri në 200 m² 150 mijë lekë

c. deri në 300 m² 200 mijë lekë

d. deri në 400 m² 300 mijë lekë

e. deri në 500 m² 400 mijë lekë

f. mbi 500 m² vlera e tregut

Brenda vijave të verdha

Sipërfaqja Çmimi

a. Për sipërfaqe deri në 100 m² 200 mijë lekë

b. deri në 200 m² 300 mijë lekë

c. deri në 300 m² 400 mijë lekë

d. mbi 300 m² vlera e tregut

Shtesat e ndërtimeve brenda vijave të verdha

Sipërfaqja Çmimi

a. Për sipërfaqe deri në 50 m² 100 mijë lekë

b. deri në 75 m² 200 mijë lekë

c. deri në 100 m² 400 mijë lekë

d. mbi 100 m² vlera e tregut

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›