E Diel, 1 Nëntor 2026

Transit në Shqipëri autokolonat italiane

Qeveria shqiptare miratoi dje lejimin e kalimit transit të dy autokolonave ushtarake italiane, përmes territorit të Republikës së Shqipërisë. Vendimi u miratua dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në selinë e Kryeministrisë. Ky vendim bazohet në nenin 100 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të ligjit nr. 9363, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”. Bazuar në nenet e këtij ligji, pritet që autokolonat ushtarake italiane të kalojnë në itinerarin Qafë-Thanë, pika e hyrjes, dhe deri tek porti i Durrësit, që do të jetë edhe pika e daljes. Autokolonat do të shkelin tokën shqiptare në datat 6 dhe 11 dhjetor të këtij viti. Një autokolonë do të jetë e përbërë nga 4 (katër) automjete dhe 8 (tetë) trupa. Për këtë arsye janë marrë edhe masa të forta sigurie. Autokolonat ushtarake italiane gjatë hyrjes, lëvizjes dhe daljes në nga territori i Republikës së Shqipërisë të shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Njoftimi për shtyp i qeverisë shqiptare shton se procedurat për hyrjen, qëndrimin dhe daljen e këtyre trupave në Republikën e Shqipërisë janë parashikuar në marrëveshjen ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›