E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e NATO-s: Samitin tjetër Shqipëria anëtare

NATO-ja është e ndërgjegjshme se Shqipëria dhe Kroacia kanë kryer tashmë reforma të rëndësishme dhe po japin kontribut domethënës ndaj sigurisë euroatlantike. Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s përshëndetën dje në Bruksel reformat e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe shprehën bindjen se në samitin e ardhshëm, Shqipëria do të anëtarësohet me të drejta të plota në këtë aleancë. Ministeriali vjetor i Aleancës në Bruksel, në të cilin merr pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, zhvilloi dje sesionin e dytë, në të cilin u diskutua mbi Kosovën, Afganistanin, u mbajt mbledhja e Komisionit NATO-Gjeorgji, Komisionit NATO-Ukrainë dhe u miratua deklarata e ministerialit. Në këtë deklaratë ministrat e Jashtëm të NATO-s u shprehën se "presin me padurim anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancë, çka do t’i kontribuojë forcimit të sigurisë për të gjithë në zonën euroatlantike". Ministrat e Jashtëm të vendeve të Aleancës njëzëri përshëndetën vendimin për shtrirjen e menjëhershme të misionit EULEX në Kosovë si një hap i shumëpritur që i kontribuon konsolidimit të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë në funksion të realiteteve të reja politike pas shpalljes së pavarësisë. Në këtë kuadër ministrat e Jashtëm konfirmuan angazhimin e tyre dhe të Aleancës për të vazhduar punën e KFOR-it brenda mandatit dhe konfigurimit të tij aktual. Ministrat e Jashtëm të Aleancës theksuan, në të njëjtën kohë, se NATO-ja është e gatshme të nisë punën për zbatimin e një vizioni afatgjatë për sigurinë në Kosovë. Në këtë kuadër ministrat e Jashtëm rikonfirmuan mbështetjen e tyre për themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK, dhe bënë të ditur angazhimin e tyre financiar për fondin përkatës që Aleanca ka krijuar në funksion të mbështetjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Gjatë fjalës së tij në këtë sesion, ministri Basha theksoi se falë angazhimit të Aleancës, situata e stabilitetit të sigurisë në Kosovë dhe në gjithë rajonin është përmirësuar ndjeshëm. Ministri Basha përshëndeti angazhimin e qeverisë së Kosovës për të mundësuar shtrirjen sa më të shpejtë të EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Duke nënvizuar angazhimin e NATO-s për integritetin territorial të Republikës së Kosovës, ministri Basha theksoi se zbatimi i plotë dhe pa mëdyshje i Planit Ahtisari është garanci dhe domosdoshmëri për stabilitetin, sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në rajon. Më tej, ministri Basha informoi Këshillin e Atlantikut të Veriut mbi kontributin prej 250 000 eurosh që Shqipëria do të japë për ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Duke mbështetur fuqishëm angazhimin e Aleancës në Afganistan, ministri Basha informoi ministrat e Jashtëm të NATO-s se Shqipëria së shpejti do të rrisë numrin e efektivave të saj që shërbejnë në kuadër të ISAF-it në Afganistan për t’iu përgjigjur kështu nevojave të Aleancës dhe thirrjeve për angazhim edhe me të madh në drejtim të situatës së sigurisë në këtë vend. Pas përfundimit të ministerialit, ministri Basha, së bashku me një numër të madh kolegësh, u nis drejt Norvegjisë, ku do të nënshkruajë konventën e OKB-së për ndalimin e municioneve thërrmuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›